Mirela Karabina: Arsimi dhe kambanat e alarmit

1161
Karabina: Kambanat e alarmit të INSTAT dhe festimet e 105-vjetorit të Pavarësisë

Ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, u shpreh se struktura e popullsisë në moshë pune në Shqipëri ka ndryshuar në favor të nivelit të ulët arsimor. Duke komentuar për “Telegraf” raportin e fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), ish-ministrja nënvizoi se arsimi parauniversitar konsiderohet edhe si një bazë për sistemin arsimor. “Arsimi është themeli i kombit, e tashmja dhe e ardhmja e tij. Një sistem arsimor i mirë përgatit profesionistë të mirë në të gjitha fushat. Arsimi i paraprin shoqërisë, por dhe ndikohet prej saj dhe ndryshimeve shoqërore.” Por çfarë po ndodh tek ne? Struktura e popullsisë në moshë pune ka ndryshuar në favor të nivelit të ulët arsimor. Kambanat e alarmit vijnë nga INSTAT: “Të arsimuarit me 8/9 vjet zunë 48.5% të popullsisë në moshë pune nga 15-64 vjeç, duke u rritur me 1 pikë nga vitit 2016, 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë, as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional”. Arsimi parauniversitar është arsimimi bazë (mosha 3 vjeç deri më 18 vjeç), periudhë me rëndësi të veçantë në formimin e individit, i cili synon të formojë çdo individ në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes dhe të jetë i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe kombin”, tha Karabina. Sipas ish-ministres së Arsimit, “rëndësia e kësaj periudhe në arsimimin dhe formimin e nxënësve kërkon vlerësim dhe vëmendje të madhe”. “Arsimi i lartë është një hallkë e rëndësishme e sistemit arsimor. Ai konsiderohet si një shërbim publik dhe e mirë publike. Në fakt, këto synime të arsimit janë vlerësuar nga politikat qeverisëse si mundësi e tyre për kredo politike duke rrënuar arsimin, duke rrënuar zhvillimin, duke ngadalësuar qytetërimin. Paligjshmëria ka mbërthyer reformën në arsimin e lartë, çoroditja e organizuar me kurrikula të huazuara pa studiuar kushtet tona ka dëmtuar thelbin, arsimin parauniversitar. Dhe, kjo do të ndodhte: shoqëri e çorientuar dhe e pa shpresë për të jetuar e punuar në këtë vend”, u shpreh ajo. Në të njëjtën kohë, ish-ministrja komentoi edhe festimet e 105-vjetorit të Pavarësisë. “Valëvitja e famujve të 105-së vjetorit të Pavarësisë ishte valëvitja e lëngimit të kombit, dëshirës së shqiptarëve për të emigruar. E ardhmja e shoqërisë shqiptare, e ardhmja e kombit është në një moment të vështirë. Demagogjia, kryefjala e politikave qeverisëse, me shkëlqimin kalimtar të saj, po lë pas dëmin afatgjatë”, u shpreh Mirela Karabina.
Sigal