Mirakaj dhe Kripa: Qeveria të rrisë fondin e dëmshpërblimit.Asnjë i kompesuar nga mijëra të internuar

496
Sigal

Flasin për “Telegraf” Simon Mirakaj dhe Reshat Kripa,
drejtues të Shoqatës Antikomunistë të ish të Përndjekurve Politikë


Dezdemona Porja

1. Si ecën procesi i dëmshpërblimit të ish të
përndjekurve politikë?

 Simon Mirakaj, kryetar i Shoqatës Antikomunistë të ish të
Përndjekurve Politikë:

 Dëmshpërblimi i ish
të përndjekurve ka filluar herët që në vitin 1993 me letra me vlerë, pra herë
pas here janë bërë ligje për integrimin e kësaj shtrese, në vitin 2007 u
aprovua një ligj, i cili vendosi dëmshpërblim jo me letra me vlerë, por me lekë
kesh, sipas viteve të burgut, gjithmonë burg
për motive politike
. Nga periudha që u aprovua ligji në 18 dhjetor 2007, u dha
një mundësi ligjore institucionale ku njerëzit e interesuar trashëgimtarë apo
edhe vetë të burgosurit filluan të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe këtë
dokumentacione ta paraqesin Ministrisë së Drejtësisë, sepse aty ishte sektori që
shqyrtonte dosjet, Pati edhe një afat kohor për dorëzimin e tyre, nga 18
dhjetori 2007 deri në 1 korrik 2009.  Sipas
ligjit, dëmshpërblimi duhej të fillonte në Mars të 2009-s dhe më 15 mars dolën
listat e para të dëmshpërblimit, nga periudha mars 2009 deri në qershor të 2013-s.
Kur në pushtet ishte qeveria e quajtur e djathtë që drejtohej nga Partia
demokratike kanë marrë këstin e parë dhe këstin e dytë rreth 12 mijë dosje. Iu
dha prioritet të burgosurve që ishin gjallë. Morën 3 këste të burgosurit që janë
gjallë, ndërsa trashëgimtarët morën këstin e parë dhe një pjesë, madje morën
edhe këstin e dytë. Me ndryshimin e spektrit politik, ndodhën ndryshime dhe në
ligj, sepse prioriteti që iu dha të burgosurve që janë gjallë, nuk ishte me
ligj. Të majtët bënë një ligj ku prioritet do të kishin të burgosurit që janë
gjallë dhe nga fondi 70 për qind do të jenë në dispozicion të burgosurit të tyre,
ndërsa 30 për qind për trashëgimtarët. Ne, për hir të së vërtetës, e pritëm, e
quajtëm një hap pozitiv në vazhdimësinë e ligjit nga spektri i majtë dhe ritmet
qenë të kënaqshme deri në gushtin e 2015-s. Njëkohësisht edhe fondi ishte pothuajse
i barabartë me fondet e caktuara nga ish qeveria Berisha. Mirëpo nga gushti
2015-s deri në këto momente që flasim, ritmet janë të ngadalta, listat enden nëpër
gazeta vazhdimisht, njerëzit kur shohin emrin në gazetë shkojnë nëpër bankat ku
kanë hapur numrat e llogarisë edhe nuk gjejnë fondin e përcaktuar. Për sa i përket
ritmeve nga të dyja qeveritë duke bërë një përllogaritje sipas skemës së
hartuar prej tyre, dëmshpërblimi shkon në pafundësi. Jeta ka fillim edhe fund,
sidomos për të burgosurit që kanë kaluar nëpër tortura e punë të rënda fizike.  Të gjitha këto kanë lënë gjurmë për keq
sigurisht dhe vazhdimisht për fat të keq dëgjojmë lajme të hidhura për bashkëvuajtësit
tanë që nuk mbërrijnë që ta marrin dëmshpërblimin me këto ritme që po ecën dëmshpërblimi.
Sigurisht që ne e dimë edhe mundësitë financiare që ka shteti, por kur ka një
predispozicion të mirë, nuk ka gjë që nuk arrihet, sepse mendojmë që të
burgosurit dhe pjesa e të internuarve të periudhës komuniste duhen parë me
përparësi. Një pjesë e pasurisë kombëtare duhej të ishte futur  në dëmshpërblim, për shembull, në të gjitha
ndërmarrjet e mëdha shtetërore është dora e të burgosurve, në tharjen e
kënetave, në ndërtimin e fabrikave të aeroporteve por edhe të banesave, pra është
djersa dhe mundi i këtyre njerëzve. Kështu që me një sakrificë nga qeveritë
ritmet dhe fondet duhet të kishin qenë 10 fish në mënyrë që njerëzit sa janë
gjallë ta gëzojnë, ata që kanë vuajtur direkt të dëmshpërblehen për atë që kanë
dhënë. Sigurisht që unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk ka çmim që mund të
jepet për jetën, sepse njerëzit kanë humbur rininë, jetën nëpër kampe nëpër
burgje, mirëpo mundësitë financiare këto janë. Unë mendoj që nuk ka qenë predispozicioni
i duhur për ta realizuar këtë, sepse këtu nuk është punë partish, borxh
partish, këtu është borxh shteti, kësaj shtrese i ka borxh shteti.

 

 

Si e mendoni juve një zgjidhje sa më të mirë për dëmshpërblimet,
si mund të bëhet më mirë kjo punë?

 

Reshat Kripa, kryetar për Tiranën i Shoqatës
Antikomunistë të ish të Përndjekurve Politikë:

 

 

Para se të
miratohej ligji u thirr edhe shoqata jonë në Komisionet përkatëse dhe paraqitëm
vërejtjet tona, në qoftë se ju kujtohet në ligj parashikohej neni 6 ku
përjashtoheshin nga dëmshpërblimi ish anëtarët e byrosë politike, ish
ministrat, me pak fjalë ish nomenklatura e lartë e së kaluarës, por kishte edhe
një pikë ku përjashtoheshin edhe ish bashkëpunëtorët e sigurimit. Shoqata jonë
bëri një propozim që kjo pikë për bashkëpunëtorët e sigurimit të hiqesh për
arsye që është fakt i njohur nga të gjithë që sigurimi i shtetit përdori mënyra
nga më makabret për të detyruar njerëzit që të nënshkruanin. Edhe sollëm edhe
shembuj të kësaj natyre. Si rezultat i kësaj nuk u hoq vetëm kjo pikë, por u
hoq i gjithë neni dhe praktikisht dëmshpërblimin e marrin edhe anëtarët e byrosë
politike, Kadri Azbiu etj, të barabartë me shtresën tonë, ligji u bë, u
parashikua që dëmshpërblimi do shlyhej për 8 këste. Unë mendoj, se qeveritë që
e përpiluan këtë, duhet të kishin bërë një llogari të kostos së këtij dëmshpërblimi
edhe këtë llogari duhej ta kishin ndarë në një numër të caktuar vitesh në mënyrë
që të dihej fillimi, por që të dihej edhe fundi se kur do të përfundonte kjo. Përderisa
nuk ka një afat të fundit kjo do të thotë që mund të vejë edhe 100 vjet. P.sh
llogaritet me 8 këste, normalisht dëmshpërblimi duhej të mbaronte deri në vitin
2017 për të gjithë, në qoftë se shteti nuk kishte mundësi financiare, burime të
ndryshme mund të jenë kreditë ose rrugë të tjera të gjetjes së fondit për dëmshpërblimin.

 

Një gjë tjetër ku
ka mangësi ligji është vendimi i qeverisë  që dëmshpërblimi të jepet jo më pak se 100 mijë
lekë të vjetra dhe jo më shumë se 1 milionë lekë të reja. Mirëpo në këtë mënyrë
i bie që të përfitojnë shlyerje pas 8 kësteve, vetëm ato që kanë bërë nga 15
vjet e poshtë, por një sasi e madhe të dënuarish kanë bërë mbi 30 vjet, për këta
kanë kaluar 7 vjet dhe nuk kanë marrë asgjë. Si do zgjidhet puna e tyre. Kjo gjë
nuk po zgjidhet.A do e marrin dëmshpërblimin apo do marrin vetëm këtë me 8 këste.
Kjo punë nuk ka gjetur zgjidhje. Unë mendoj që raporti i Kontrollit të Lartë të
Shtetit është shumë i drejtë, është zvarritja që po bëhet për këtë problem, nuk
e di nëse ka bërë propozim Ai apo jo, por qeveria duhet të marrë masa dhe të
caktojë një afat përfundimtar të këtij dëmshpërblimi për të gjitha kategoritë
edhe për ata që kanë bërë shumë vite, jo vetëm për ne që kemi bërë 15 vjet, unë
i këtij mendimi jam.

Qeveritë kanë
përcaktuar fonde çdo vit nga 15 milionë dollarë maksimumi në vitin 2013 qeveria
Berisha caktoi 30 milion dollarë, me këto ritme siç ju thashë ky proces shkon në
pafundësi, e vetmja zgjidhje është shtimi i fondit, i cili përshpejton dhënien
fund të dëmshpërblimit.

 

3. A ka akoma ish të përndjekur në kampet e përqendrimit

 

Simon Mirakaj,
kryetar i Shoqatës Antikomunistë të ish
të Përndjekurve Politikë:

Janë raste të
rralla, janë ata që nuk kanë dashur të luajnë ose që nuk kanë pasur mundësi.

 

Çfarë problemesh ka
ende me dëmshpërblimin?

 

Reshat Kripa,
kryetar për Tiranën i Shoqatës
Antikomunistë të ish të Përndjekurve Politikë:
  Një defekt për dëmshpërblimin janë qeveritë që
hartuan ligjin e vunë afat kohor, ndërsa internimet dhe burgosjet nuk kanë
pasur afat dhe kjo është një nga arsyet që në Ministrinë e Drejtësisë janë 3000
mijë dosje të pashqyrtuara sepse kanë qenë jashtë afatit kohor. Njerëzit për
arsye të ndryshme, të sëmurë, kanë qenë përjashta, nuk kanë arritur që ta dërgojnë
dokumentacionin brenda afatit kohor  dhe
nuk janë shqyrtuar. Pra e theksoj këtë, nuk kishte afat për arrestimet, për
ekzekutimet, deri në 88-n që është ekzekutuar me varje Havzi Nela, në 89 jam liruar
unë nga internimi, me 4 korrik të 89-s, nuk ka pasur afate, kjo ka shkaktuar një
përplasje, pse duhej të kishte afate. I kanë dorëzuar dosjet jashtë afatit. Por
janë po aq të keqtrajtuar nga diktatura dhe për këtë arsye duhen hequr kufizime
të tilla kohore jo humane.

 

Po për të vrarët pa
gjyq në periudhën 1943-1945?

 

 

Simon Mirakaj, kryetar i Shoqatës Antikomunistë të ish të
Përndjekurve Politikë:

Kemi edhe një
problem tjetër afati që përcakton ligji është 30 nëntor 1944, por është një
fakt i pamohueshëm që pas 1 gushtit të 43-shit, ka një sasi të vrarësh pa gjyq që
nuk përfitojnë, shoqata jonë e ka bërë propozimin për këtë kategori, por nuk
kemi marrë asnjë përgjigje.  Ndërsa me 21
tetor kemi një ceremoni përkujtimore për krimet që Brigada e Mehmet Shehut në 1943
në Lushnje ka vrarë 80 djem të rinj, pse ishin ballistë, që kur iu kërkua të
shkonin partizanë, ata nuk pranuan dhe për këtë arsye u vranë. E dini është
edhe masakra e Gërhotit e 1943-shit që ka mbetur jashtë dëmshpërblimit. Të
internuarit kanë 7 vjet që s’kanë marrë asnjë këst edhe pse është përcaktuar me
ligj, pra nuk janë shpërblyer.