Ministria e Brendshme dorëzohet në Lazarat

550
Sigal

Milionat euro të financuara nga ministritë e Brendshme të BE-së, e sidomos nga ajo italiane, në bashkëpunim me ministrinë e Brendshme shqiptare, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri, shkuan dëm, derisa  drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, sapo është zgjedhur në këtë detyrë, në emër të reformave të thella të premtuara nga PS-ja, se do të luftojë krimin e organizuar, nga Gjirokastra, e cila është edhe vendlindja e tij, deklaron se policia e shtetit e ka mision të pamundur të ndërhyjë në Lazarat, për të luftuar krimin e drogën. Kohë më parë, policia italiane dhe ajo shqiptare, zbatuan një strategji të filmimit nga ajri të të gjitha plantacioneve të kultivimit të lëndëve narkotike, duke i dhënë policisë shqiptare informacionin e duhur, për të luftuar mbjelljen e trafikimin e lëndëve narkotike. Mirëpo, pohimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, se është i pamundur nga policia misioni i ndërhyrjes në Lazarat, do të thotë dorëzim të plotë të policisë së shtetit, përballë Lazaratit, madje, pa shkrepur as edhe një armë. Kapitullim të plotë të policisë së shtetit përballë  Lazaratit, pa bërë asnjë përpjekje. Kaq e paaftë është policia e shtetit, saqë drejtori i saj, në panik të plotë për kryerjen e detyrës,  kërkon ndihmën  ushtarake të  ndërkombëtarëve, thua se Lazarati na është bërë Irak, Afganistan, apo Siri dhe duhet ushtri e huaj, që të ndërhyhet në atë fshat, për të luftuar trafikimin e lëndëve narkotike! Deputeti i PS-së, Erjon Braçe,  i cili deri tani ka qenë shumë kritik,  sidomos ndaj paaftësisë së policisë së shtetit, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, e paaftë dhe e inkriminuar në botën e krimit, kësaj here, meqë PS-ja është në maxhorancë, bën lutje opinionit që të mos irritohen nga kapitullimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përballa Lazaratit, me pretekstin, se një ndërhyrje policore, mund të sjellë viktima, ngaqë, sipas Braçes, Lazarati na paska armatim më shumë se divizionet e Jugut. Zoti Braçe, kur qenke kaq i sigurt, që Lazarati ka kaq shumë armatime dhe ato i ka për të mbrojtur krimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, përse nuk i kërkon shtetit tënd, që të ndërhyjë? Ç’do të thotë logjika, juaj, zoti Braçe,  që policia nuk mund të ndërhyjë në Lazarat, se do të ketë …viktima? Ish-deputeti i PS-së, Marko Bello, duke iu referuar kapitullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përballë Lazaratit, ironikisht komenton: “ Lazarat, o vend i thatë, shumë “bukë” e ujë pak”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Didi: “Ndërhyrja në Lazarat është mision i pamundur”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi përjashton mundësinë e një ndërhyrjeje të afërt në Lazarat.  Didi tha se, Lazarati është një problem kompleks që nuk mund të zgjidhet vetëm nga policia, por që kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve. “Për Lazaratin duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet. Duhet ndihmë edhe nga jashtë për të ndërhyrë”,- theksoi drejtori i Policisë.

Braçe: “Lazarati ka armatim, ndaj nuk mundet policia të ndërhyjë”

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe,  kësaj here bëhet palë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, duke pranuar edhe ai dorëzimin pa kushte të policisë së shtetit përballë Lazaratit. Madje, Braçe shkon më tej, duke dhënë këshilla të gjithëve, që të pranojnë edhe ata, këtë kapitullim të policisë përballë krimit! Ja shkrimi i deputetit socialist Braçe:Po lexoj komente gjithë qesëndi për deklaratën e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit për Lazaratin. Një apel kam: Lëreni policinë të punojë! Mos bëni sikur nuk e kuptoni se në atë fshat ka armatim sa gjithë divizionet e Jugut së bashku! Ajo betejë duhet bërë pa viktima! E drejtë por pa viktima. Dhe një gjë nuk duhet të ndodhë:Shteti nuk duhet të dalë i humbur nga Lazarati! Po u thye aty, do thyhet kudo.
Marko Bello, ish- deputet i PS-së

Ishdeputeti i PS-së, Marko Bello, është ironik në komentin e tij, për kapitullimin e plotë të drejtorit të policisë së Shtetit, përballë Lazaratit, duke thënë: “Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, ndërhyrja e tanishme në Lazarat është thjesht një mision i pamundur.  Lazarat, o vend i thatë, shumë “bukë” e ujë pak!”