Mimoza Cika-Kelmendi/ Mos vrisni besimin e shqiptarëve te demokracia

744
Një çerek shekulli demokraci nuk janë shumë në historinë e një vendi. Por nuk janë pak në këndvështrimin e perceptimit popullor në lidhje me të. Demokracia nuk është destinacion. Eshtë rrugëtim dhe si e tillë kërkon të përsoset hap pas hapi, por edhe të ndjehet nga çdo individ si mundësia më e mirë për të qeverisur një vend. Shqipëria është vendi me të kaluar diktatoriale të egër e për rrjedhojë dëshira për demokraci do ishte edhe më e madhe. Ndoshta prandaj dhe ndryshimi i sistemit u bë jo fort i dhunshëm. Por sot, pikërisht pas 25 vjetësh, shqiptarët duken të zhgënjyer nga demokracia. Në biseda mes miqsh, në rrjetet sociale, por edhe në biseda familjare dëgjon gjithnjë e më shumë të thuhet: “Nëse kjo qënka demokracia më mirë ishim në diktaturë”! Sipas meje, kur një shoqëri arrin të thotë se “ishim më mirë kur ishim më keq”, atëhere politika dhe bashkë me të shteti, janë në udhëkryq të madh. Edhe shqiptarët që kanë ardhur si azilkërkues në Gjermani, ndër arsyet kryesore që shtrojnë para gjermanëve numërojnë: papunësinë, varfërinë, asnjë përkujdesje nga shteti për të rinjtë që duan të studjojnë, mosbesim tek qeveria në Tiranë, pa të ardhme për fëmijët, etj.,etj. Por pse ndodh kjo? Pse shqiptarët ndjehen të zhgënjyer nga politika, nga demokracia? Kush po e vret besimin e shqiptarëve? Të gjitha këto pyetje e marrin përgjigjen sapo shikon si funksionojnë institucionet e demokracisë. Parlamentarizmi shqiptar, nuk është në nivelin e duhur. Eshtë e vërtetë që në çdo vend demokratik ndodhin incidente në parlament, por përgjegjshmëria është ajo që dallon në ndëshkimin e pasojave dhe parashikimin e situatave të tilla. Model për këtë është Bundestagu gjerman në Berlin. Por Parlamenti shqiptar fatkeqësisht është shndërruar në një teatër tragjiko-komik ku luhen çdo të enjte fatet e shqiptarëve. Nuk po flas për gjuhën politike, por edhe etika e komunikimit është e denjë për biseda të rangut të fundit të rrugës. Madje, kohët e fundit ky fjalor ka degraduar deri në paturpësi. Nuk di si nuk reagojnë forumet e grave kur dëgjon batutën e Kryeministrit drejtuar zn. Topalli! Kur nuk është ai (fjala është për z Berisha) ti më thuaj mua se vi unë”. Por edhe raste të tjera mes deputetësh. Ky është Parlamenti? Si ka mundësi që fyerjet të shkojnë përtej çdo etike dhe përgjegjshmërie morale? Llogjika ta do se në dialogje të tilla, kur nuk ka argumente dhe kur palët e njohin mirë njeri-tjetrin, nuk mund të ketë reagime të fuqishme. Me fjalë të tjera Kuvendi e ka katandisur veten në një bashkim antivlerash (të paktën morale) ku as interesi i Partisë nuk është më i dukshëm, sepse interesi personal prevalon në çdo situatë! Të mos flasim më tej për përbërjen kriminale të vetë Kuvendit. Është shumë e rëndë të kërkosh të bësh një ligj për dekriminalizimin e politikës, ku natyrisht kryefjala është dekriminalizimi i Kuvendit! Atëherë për çfarë demokracie flasim? Nëse dëgjojmë zërin e qytetarëve ndjehet dukshëm pezmi i tyre ndaj parlamentarizmit shqiptar. Nga tribuna e këtij parlamenti dëgjohen vetëm sharje, fyerje dhe debate banale në një kohë kur vendi ka nevojë për ligje e vendime për të ardhmen e tij. Ngrihet ish-kryeminisitri dhe i zë vendin në foltore kryeministrit aktual. Batutat cinike, talljet dhe sjelljet gati foshnjarake e bëjnë Kuvendin të duket në sytë e qytetarëve si një bandë e madhe batakçinjsh! Ka vetëm akuza e kundërakuza, por jo zgjidhje. Madje zgjidhjet duket sikur nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë e Parlamentit! Ja pse deputetët po e shkatërrojnë çdo ditë besimin e shqiptarëve te demokracia. Skandalet në vend ia zenë vendin njeri – tjetrit kaq shpejt sa nuk ke kohë të mendosh apo reagosh ndaj secilit pej tyre. Quhet skandal fakti i thirrjes në shërbimin ushtarak të shefit të kabinetit të ministrit të jashtëm. Sigurisht që është, sepse i gjithë informacioni që klasifikohet sekret kalon nga duart e dikujt që është një gjysmë shqiptar. Por sa parlamentarë shqiptarë janë me dyshtetësi? Po kryetari aktual i opozitës? Unë nuk do habitesha që një ditë dhe Presidenti i vendit të dalë me dyshtetësi. Por për këtë askush nuk merakoset. Por nëse një qytetar që nuk ka ndonjë lidhje interesi me pushtetarët e lartë kërkon të punësohet diku në administratën publike, do t’i kërkohen njëmijë dokumente, ku sigurisht dyshtetësia përbën shkakun e parë për të refuzuar kërkesën. Dy standartet janë sot dukuria që po shkatërron besimin e shqiptarëve te demokracia. Rrallë mund të gjenden shembuj në botë kur populli të urrejë qënien“deputet” e ta barazojë këtë të fundit me një njeri ordiner që vjedh jo natën, por ditën, e madje me rregulla e ligje që i miraton vetë. Deputetët shqiptarë në përgjithësi janë posedues pasurish të konsiderueshme. Asnjë shqiptar nuk di çfarë dhe si është vënë kjo pasuri prej tyre. Asnjë transparencë. Dhe në pastë thashethemnajë për x apo y deputet që ka pasuri kolosale, sërish askush nuk kujdeset të bëj transparencën, të sqarojë publikisht dhe nën përgjegjësi zyrtare realitetin. Dhe populli vazhdon të besojë në thashethemnajë por edhe në një realitet që ai vetë e shikon çdo ditë. E si mund ta ndjejë veten të përfaqësuar populli nga ky model Parlamenti? Nga ana tjetër: Si janë zgjedhur deputetët? Sigurisht për shkak të modelit që kanë zgjedhur parlamentarët, deputet (jo të gjthë) mund të dalësh nëse Kryetari i Partisë “të ka me sy të mirë”(dhe kjo i jep më tej të drejtën të ofendojë e të poshtërojë pa asnjë hezitim moral), ose të jesh një bos që paratë i ke fituar si “i fortë” në raport me çdo ligj e që pikërisht për këtë status kryetari detyrohet të të pranojë si bashkëpunëtor. Dhe kjo është një tjetër paturpësi që kjo elitë politike po ia servir si demokraci popullit shqiptar. Sjellja politike e partive shqiptare shkon në drejtim të kundërt me demokracinë. Demokracia nuk e pranon autoritarizmin. Por në partitë politike shpesh dëgjohet dhe veprohet vetëm sipas fjalës së kryetarit. Nëse parlamenti, qeveria dhe partitë në një sistem që e quan veten demokratik nuk funksionojnë si të tillë, atëherë nuk është dëmtuar vetëm vendi dhe populli por është dëmtuar besimi te demokracia . Dhe kjo është humbja më e madhe. Është detyrë e të gjithëve, e në radhë të parë e elitës kulturore e shkencore shqiptare që ta ushqejë popullin me besimin te demokracia. Por për këtë lipset që secili të japë kontributin e tij aty ku mundet me synim që instrumentet e demokracisë të rikonfigurohen sipas rregullave të saj. Ndryshe do jetë sërish vonë për të kapur trenin e Europës!
Sigal