Mimoza Cika-Kelmendi: Çfarë mund të bëjë Edi Rama?

665
Roli i liderit sot në botë është padyshim mjaft kyç në zhvillimet politike të një vendi. Shpesh një lider i “fortë” me vizion, i aftë të kapë rastin për të mirën e vendit është padyshim një fat për popullin. Por të gjithë jemi gjithashtu të bindur se një lider, sado vizionar dhe transformues, ai është i kushtëzuar në lëvizjet e tij nga marrëdhëniet ndërkombëtare. Sot bota është bërë sa globale, po aq dhe e copëzuar ku e dyta ka fuqi të madhe mbi kombin dhe shtetin. Në këto kushte, lider i suksesshëm është ai që di të përshtatet e të përfitojë nga çdo rrethanë që i krijohet e që shkon për të mirën e vendit dhe jo të emrit të tij. Edi Rama erdhi në pushet si një lider vizionar dhe me një besim gati të padiskutueshëm të një publiku mjaft të gjerë, se do të arrinte të ndryshonte rrjedhën e zhvillimit në kahe pozitive e për rrjedhojë do të përmirësonte jetesën e popullit. Sot, mbi dy vite pas ardhjes në pushtet, mund të bëjmë një skedë të mundësive që pati apo ka Edi Rama për të bërë ndryshimin që pret populli, por edhe Europa. Është e sigurt që Edi nuk ka “shkopin magjik” për ta transformuar vendin në një ditë. Asnjë lider në botë nuk e ka apo nuk e ka pasur këtë shkop. Por ama kanë pasur të gjithë vullnetin për të bërë më të mirën në një kohë rekord. Ndaj sot gjithkush ka të drejtë t’i kërkojë llogari Liderit që besoi. 

Cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë problemet më të mprehta të vendit? Pse zvarriten reformat? Cilat janë shkaqet? Këtyre pyetjeve zoti Rama do duhej t’i përgjigjej me vepra dhe jo me deklarata autoreferenciale. E që t’i përgjigjet me vepra do duhej të kishte vënë në kryefjalën e tij të punës sistemin e Drejtësisë me synim nxitjen e ndëshkueshmërisë. Por jo, Edi nuk e bëri. Edhe pse unë jam e bindur që ai mund ta bënte, nëse kishte vullnetin e duhur për ta bërë. Mungesa e një sistemi të qëndrueshëm Drejtësie, mungesa e ndëshkimit si model qeverisje ka sjellë sot një nivel të konsiderueshëm mosbesimi. Sepse të gjithë e dimë që besimi vendos, së pari kur funksionon Drejtësia. Unë nuk them se zoti Rama është përgjegjës për papunësinë e lartë në vend. Kudo në botë ka papunësi. Dhe ai nuk mund ta eliminojë atë, por Edi kishte dhe ka në dorë të përmirësojë klimën e biznesit që kompanitë e huaja të investojnë në Shqipëri me synim zbutjen e papunësisë. Por jo nuk e bëri. Madje ka krijuar një terren fort të qortueshëm për klimën e biznesit. Nga kjo klimë jo vetëm biznesi i huaj që po rri larg, por dhe biznesi vendas jo rrallë është ndjerë në vështirësi, duke u tkurrur në dëm të punësimit të njerëzve. Shqipëria është një vend i varfër. Madje më shumë se i tillë, përderisa shifrat e institucioneve ndërkombëtare e konsiderojnë mbi 30% të shoqërisë në nivelin, gati të skamjes. 

 Edi vërtetë nuk ka mundësi që për dy vjet të zhduk varfërinë, por ama kishte dhe ka në dorë të ndërmerrte reforma sociale që mund t’i vinin në ndihmë njerëzve në nevojë. Por jo! Bëri të kundërtën: E shtrëngoi rripin në qafën e të varfërve në emër të bërjes së shtetit. Por shteti nuk është qëllim në vetvete, por është dhe duhet të jetë në shërbim të njerëzve, pra të popullit. Nëse i heq energjinë një nëne të moçme, nëse i heq energjinë një familje me pamundësi të mëdha ekonomike, nuk bën gjë tjetër, veçse shkërmoq besimin e njerëzve. Ndaj krahas masave për përmirësimin e funksionimit të shtetit ishte e domosdoshme të ndërmerrte reforma në ndihmë të njerëzve në nevojë. Nuk gjej dot asnjë justifikim për këtë. Një lider është i tillë, sepse arrin të dallojë situatat, të përcaktojë përparësitë dhe t’i shërbejë njerëzve. Personalisht mendoj se, të emigrosh sot në periudhën e globalizmit është një e drejtë e gjithkujt dhe Edi nuk ka pse kritikohet për këtë. Por ama një kryeministër është dhe duhet të jetë përgjegjës për hallet e përbashkëta të njerëzve, të kuptojë arsyen e vërtetë të këtij emigrimi dhe nuk ka pse gjen justifikim se, “emigrantët ikin nga Greqia dhe jo Shqipëria” Po a janë shqiptarë? A nuk do ishte mirë sikur edhe ata nga Greqia (po të ishin kushtet më të mira), të ktheheshin në Shqipëri? Edi, mund të mos ketë shumë gjëra në dorë për t’i bërë, por ka në dorë të investojë në fushat ku ndikimi tek njerëzit është i dukshëm në kohë relativisht të shkurtër. 

 Bujqësia dhe Turizmi janë fusha prioritare, por reformat në to nuk mund të bëhen pjesore, jashtë një studimi të gjerë dhe nevojave reale që kërkon vendi . Nuk ka në dorë të bëjë përmbysje për një bum në ekonomi, por ka në dorë të mos bëjë avokatin e miqve biznesmenë, që çuditërisht janë po të njëjtët që kanë bërë pasuri që në kohën e Berishës, duke mospërfillur rregullat e një shteti ligjor. Edi nuk ka në dorë të detyrojë ministrat të qëndrojnë në qeveri, por ama ka në dorë të zgjedhë ekipin më të mirë e më të përkushtuar në kryerjen e detyrave. Nesër, nëse dorëheqja e ministrit të Drejtësisë do shihet si një moment reflektimi pozitiv, sërish do jetë Edi, ai që do falënderohet ose anatemohet. Ndaj ai ka në dorë të bëjë kompromis për interesat e vendit dhe jo për interes personal. Së fundi, Edi nuk ka në dorë të ndryshojë politikat e jashtme të Bashkimit Europian, edhe pse shpesh merr rolin e një kritiku patetik. Si kryeministër i një vendi të vogël është më e natyrshme një sjellje më modeste, sesa akuzuese ndaj BE-së. Po ashtu, ai ka në dorë të ndryshojë imazhin e vendit, jo vetëm me rrugën Rinas -Tiranë, por me krijimin e një shteti me një model qeverisjeje ku të funksionojë demokracia. Në të kundërt, është thjesht një peshë më shumë në kurriz të popullit.
Sigal