Mimoza Bedini: Auditimi i prokurimeve dhe KLSH

Auditimi i prokurimeve, në fokusin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

 

Audituese e Lartë në KLSH

 

Qëllimi i prokurimeve publike përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, të cilat kanë synimin e përbashkët sigurimin e burimeve për kryerjen e objektivave të caktuara. Entet publike duhet të zgjedhin një furnizues dhe të paguajnë për punët e kryera, mallrat e dorëzuar ose shërbimet e ofruara. Në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, prokurimi përfaqëson deri në 30% të shpenzimeve publike, ndërsa në Shqipëri shpenzimet që prokurohen janë 28% e buxhetit të shtetit. Institucionet Supreme të Auditimit shqyrtojnë  dhe vlerësojnë përdorimin e fondeve publike, por mandati dhe aktivitetet që kryejnë janë në varësi të ndryshimeve të buxhetit dhe rregullave të prokurimit publik kombëtar.  Procesi i prokurimit publik kalon në tre faza kryesore, të cilat janë: përcaktimi i nevojës, procedura e fituesit të kontratës dhe menaxhimi i kontratës deri në përfundimin e saj.  Procesi i auditimit fillon në fazë të avancuar të procedurës së prokurimit, ose kur ajo ka përfunduar.  Mandati i SAI-t i jep të drejtë audituesve të shqyrtojnë dhe vlerësojnë procesin në të dy fazat. Auditimi i procedurave të prokurimit përfshin si auditimin e përputhshmërisë, ashtu edhe atë të performancës. Kriteret e pajtueshmërisë, ndaj të cilave procesi duhet të  vlerësohet, janë të bazuara në kuadrin ligjor të secilit vend. Në termat e performancës, audituesi duhet të vlerësojë kur procedura dhe vendimmarrjet kanë arritur kriterin e “3-E-ve”, ekonomiciteti, efiçenca dhe efektiviteti. Ekonomiciteti fokusohet në pagesën e çmimit më të ulët për të mirat dhe shërbimet e ngjashme duke ruajtur cilësinë, ndërsa efiçenca është marrja e sasisë maksimale të outputit të të mirave ose shërbimeve për një input të dhënë të burimeve administrative publike (jo vetëm mjet monetar) ose minimizimi i inputeve të burimeve publike për një sasi të dhënë outputi të mirë ose shërbimi publik të procedurës së prokurimit. Efektiviteti vlerëson nëse performanca e arritur nga kjo procedurë është në nivelin e duhur, kur outputi i të mirave ose shërbimeve të përfituara nga procesi arrin objektivat e caktuara. Puna audituese është strukturuar për të vlerësuar nëse procesi i përcaktimit të nevojave për një procedurë specifike është i vlefshëm, procedura e shpalljes së fituesit është ligjore dhe nëse të mirat publike po shpenzohen në një linjë me kuadrin rregullator në fuqi. Në praktikë, qëllimet konkrete në përputhje me rrethanat, mund të jenë mjaft të ndryshme në varësi të fushëveprimit të objektit të prokurimit, nga ku auditimi synon vlerësimin nëse autoritetet kontraktore kanë arsyetuar si duhet për shpenzimin e parave publike. Në përputhje me rrethanat, një auditues analizon llogaritë e autoritetit kontraktor në funksion të vlerësimit të punës në mënyrë efektive, si dhe për të parë, nëse në të gjitha ose disa prej procedurave të prokurimit të përfunduara është ruajtur konkurrenca, vlera më e mirë për autoritetin kontraktor; besueshmëria se mashtrimi dhe korrupsioni janë penguar; si dhe  auditimi i procedurave të veçanta për të krijuar besueshmërinë nëse këto procedura janë në përputhje me kuadrin ligjor. Ndërsa në shumicën e rasteve kriteret e pajtueshmërisë janë parimisht të qarta, pyetja shpesh mbetet nëse i audituari ka arritur kushtet më të mira të mundshme në rrethanat e dhëna, në veçanti në lidhje me çmime të mira. Po kështu, treguesit e çmimeve aktuale të tregut ose të çmimeve të arritura në procedurat e mëparshme mund të shërbejnë si pikë referimi. Megjithatë, çdo konkurrim (procedurë) është një ngjarje unike që ndodh në rrethana shumë të veçanta në kohën e prokurimit në varësi të objektit të prokurimit, kapaciteteve në dispozicion, progresit teknik, etj. Auditimi vlerëson nëse procedura e ndjekur është kryer në bazë të programimit të nevojave të autoritetit kontraktor, kritereve ligjore, specifikimeve teknike të kërkuara, zbatimin e kushteve të kontratës, etj, për të arritur vlerën e parasë. Shkeljet e konstatuara nga KLSH për procedurat e prokurimit në entet publike, janë në rritje, kryesisht në përdorimin e pajustifikuar të procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratave, studimin e munguar të tregut për llogaritjen e fondeve limit, hartimin e kritereve të kualifikimit dhe specifikimeve teknike, në shmangie flagrante të konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimeve të realizuara në vitin 2015, ka konstatuar shkelje të dispozitave ligjore shoqëruar me dëm ekonomik në fushën e prokurimeve publike në shumën 2,621,594 mijë lekë, ose 3.8 herë më i lartë, krahasuar me vitin 2014 ku dëmi i konstatuar ka rezultuar 678,118 mijë lekë. Tendenca në rritje e dëmit ekonomik në prokurimet publike, konstatohet edhe për vitin 2016, i cili vetëm për 9 mujorin e këtij viti  ka arritur në shumën 2,315,581 mijë lekë. Nga vizualizimi i gjendjes nëpërmjet paraqitjes së efektivitetit të prokurimeve për operatorët ekonomikë për vitin 2014, KLSH ka vlerësuar tre zona me nivel risku të ndryshëm. Rezultatet e auditimit tregojnë se 35% e prokurimeve me efektivitet nga 0 deri në 5 % zonë e cila mbart riskun e marrëveshjeve dhe mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit, 27% e prokurimeve me efektivitet nga 5 deri në 20 % zonë e cila vlerësohet me nivel të ulët risku dhe 38% e prokurimeve me efektivitet nga 20 deri në 58 % zonë që vlerësohet me risk të lartë në mosprogramim të saktë me pasojë mos efektivitet të fondeve publike.