Miltiadh M. Muçi: Nuk mund të ketë demokraci me ligjin 7501

567
Një diskutim më 26 prillit 2017, në emisionin “Të bësh ekonomi”, më nxiti për të përgatitur këtë shkrim. Moderatorja, një zonjë “pronare” sipas ligjit 7501, kishte të ftuar në panel specialistë të qeverisë të ngarkuar me zbatimin e ligjit më të fundit për regjistrimin e certifikimin e tokave bujqësore, të “dhuruara” nga politikanët tanë, duke shpronësuar “ish – pronarët”. Dhe me të drejtë quhen të tillë të përbuzur, derisa në vitin ‘45 u shpronësuan dhe tokat e tyre edhe pas viteve ’90 i administron shteti, kur kanë kaluar 27 vjet nga sistemi komunist në atë kapitalist.. Vërtetë e habitshme, e pa besueshme !! Ligji 7501 është reforma e dytë agrare komuniste, pas asaj të pas luftës në vitin 1946. Ndryshimi i sistemit nga ish – socialist në kapitalist ose i thënë ndryshe i ekonomisë së tregut, kurrsesi nuk mund të kuptohet pa pronësinë mbi tokën të individit, e drejtë themelore e njeriut. Me këtë të drejtë janë të lidhura të gjitha të drejtat e tjera vetjake të tij, sikurse është e informimit, e banimit, e gjykimit, të drejtat ekonomike dhe sociale, etj. Pa zgjidhjen e pronësisë mbi tokën nuk mund të pretendohet se në vendin tonë është ndryshuar sistemi, pra se kemi vendosur demokracinë, përkundrazi tek zgjidhja përfundimtare e problemit të pronësisë mbi tokën nis demokracia, Pronësia mbi tokën është themeli, baza e një shoqërie me ekonomi private apo të tregut të lirë. Ajo njihet vetëm me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. Ndryshe nga çdo vend tjetër demokratik, tek ne ajo është njohur me ligje të veçantë të vendosur nga politika për interesa të saj, duke shpronësuar pronarët. Nuk shkoj më larg se në Greqi, vend fqinj me mentalitet ballkanik, si e ka trajtuar problemin e pronës së bashkëkombësve tanë, dhe pse kanë kaluar dekada të tëra të larguar forcërisht, ku kanë lënë pronat e tyre mbi tokën e banesat. Shteti grek tokat e shqiptarëve absolutisht nuk i ka shtetëzuar, por i ka dhënë në përdorim deri në momentin që në rrugë gjyqësore ato t’u kthehen pronarëve. Nuk mund të bëhet fjalë as për banesat, të cilat janë kthyer në rrënoja sepse nuk mund t’i marrë kushdo tjetër përveç pronari i tyre. Ky është kapitalizmi, kjo është demokracia ndryshe ç’ ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë. Rasti i vendit fqinj a nuk është shembulli më tipik, si ruhet prona e çdo individi nga shteti i vërtetë demokratik? Me ndryshimin e sistemeve nuk ishin qytetarët që vendosën të zaptonin kudo tokat nëpër Shqipëri, por ishin politikanët që me politikat e tyre i nxitën dhe jo vetëm, por edhe me shembullin e tyre kanë zaptuar apo “blerë” toka nga persona që nuk kanë qenë pronarë, dhe mbi ato kanë ngritur ndërtesa pa leje, padrejtësisht i kanë legalizuar apo kanë zhvilluar bizneset fantazmë të tyre. Si mund të bëhet fjalë për njohje të pronësisë me ligjin famëkeq 7501, të Ramiz Alisë, Sali Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës dhe kartonët jeshil të deputetëve, sikur tokat e pronarëve të ishin pronë e tyre? Askush në botën demokratike perëndimore nuk mundej të kishte kurajën, të merrte iniciativën t’i shpronësonte sikurse ndodhi në sistemin komunist. Por këtë mund ta bënin dhe e bënë përsëri komunistët që kishin dorëzuar teserat e partisë, apo të tjerë me prejardhje dhe lidhje të ngushta me komunistët. Ligji 7501 ka shkombëtarizuar shqiptarët, sepse toka është atdheu, dheu i atit dhe atdhetar mund të jesh vetëm në dheun e etërve të tu që tashti nuk e kanë, por ja u kanë marrë ironikisht me ligj antiligjor, absolutisht në kundërshtim me kushtetutën. Si ka mundësi që pronari apo trashëgimtari të paguaj taksat për t’u kompensuar me një politikë ekonomike veçse të mashtrimit? Si mundet shteti shqiptar t’i kompensojë tokën pronarit, kur kushtetuta përcakton se pronarit toka mund t’i konfiskohet apo kufizohet qoftë për të ashtuquajtura “interesa publike”, vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë, ndërsa për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë, sikurse është e shprehur në nenin 41.4 e 5 të Kushtetutës. Lëvizja hemorragjike e pandalshme e shqiptarëve, jashtë vendit dhe nga fshati në qytet për arsyet më të ndryshme, ka bërë që shumica e tyre tokën e “dhuruar” me ligjin komunist 7501 ta braktisin, dhe ajo t’u mbetet të afërmve të moshuar, të cilët nuk janë në gjendje fizike ta shfrytëzojnë. Kur pa dyshim në shkallë vendi janë larguar rreth gjysma e banorëve. Me çfarë logjike veçse asaj komuniste politikanët e partive më të mëdha, fajtor për atë çka ka ndodhur dhe ndodh në 27 vjet, të këmbëngulin në njohjen e “pronësisë” së tokës së dhënë në “përdorim”, pas disa dekadash ta “dhurojnë”. E them me plot gojën dhe me bindje, se është vërtetë një çmenduri, kur dhe vendimet më të fundit për certifikimin, deri në fundin e vitit 2017, nuk po respektohen kur më shumë se gjysma e regjistrimit të tokës bujqësore të dhuruar me ligjin 7501 nuk ka përfunduar, që do të thotë se gjithçka është e deformuar dhe ka dështuar. Nga diskutimi në mbrëmjen e datës 26 prill të emisionit “Të bësh ekonomi” mësova çfarë tragjedie vazhdon të ndodh me pronësinë mbi tokën, se si ligji 7501 përdoret me qëllim jo vetëm për të ligjëruar atë çka është përvetësuar nga politikanët, por edhe për interesa elektorale sepse reforma ka pasur dhe ka qëllime politike, pra aspak ekonomike. 
Mjerë shqiptarët dhe mjerë Shqipëria…!
Sigal