Miltiadh M. Muçi: Marrëveshja e turpit

542
Në çdo dy vjet të zgjedhjeve parlamentare, “kundërshtarët politikë”, PS-ja dhe PD-ja kanë diskutuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kështu ndodhi edhe për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ndërsa “debatet” u përqendruan mbi reformën në drejtësi, një çështje e lakuar në 25 vjet, për herë të parë atë të vetingut ose të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar në shërbim të politikës e politikanëve jo pa qellim, vetëm për të larguar vëmendjen e elektoratit nga korrupsioni i deputetëve e qeveritarëve. Jemi dëshmitarë çfarë nuk ka ndodhur në 25 vjet, premtime e gënjeshtra, mashtrime e vjedhje sidomos nëpërmjet ligjit 7501 e firmave piramidale, vrasje indirekte të eksodeve, armatosje e qytetarëve në ngjarjet e marsit të vitit ’97, vrasjet direkt të viktimave të Gërdecit e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tragjedi të tjera të panumërta. Në përfundim asnjëherë dhe asnjë politikan i kujtdo krahu nuk u vu para përgjegjësisë, dhe pse ishin e mbeten shkaktarët që sollën pasojat e mëdha ndaj popullit të tyre, të papara ndonjëherë në vendet evropiane. Pikërisht ato çfarë kanë ndodhur në 25 vjet, pasojat që kanë sjellë politikanët e qeveritarët e të dy partive kryesore, PS-ja dhe PD-ja, elektorati nuk mund t’i harrojë. Pikërisht kur pritej se me “vetingun” do të niste jo vetëm pastrimi i drejtësisë, pra largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, më pas dhe i politikës nga persona të inkriminuar jashtë e brenda vendit, lidershipi aktual e kishte menduar fare mirë si do t’i shmangej “vetingut”, dhe më pas të vazhdoj qeverisjen e vendit sikurse e kanë qeverisur, për mos t’u zëvendësuar nga forca të reja politike padyshim më të vogël, qysh në tentativën e parë atyre ju kanë zënë shtigjet, thuajse pa u lindur. Nuk më harrohet ajo skenë në hapësirat e spitalit të traumave, ditën e vrasjes së 28 viktimave të Gërdecit kur lidershipi i opozitës i ra krahëve për ta “ngushëlluar” atë të pozitës, sikur të ishte prindi, vëllai apo gjyshi i viktimave. Po kështu nuk mund të harrohen as skenat e homazheve të përvitshme për viktimat e 21 janarit të lidershipit të opozitës, i cili dhe pse u paralajmërua një ditë më parë nga i pozitës, se çdo tentativë për të hyrë në rrethim të territorit të kryeministrisë nga forcat e sigurisë do të përdoreshin armët, që do të thotë se urdhri ishte dhëne prej tij dhe pse viktimat u ekzekutuan shumë larg rrethimit. Të gjitha iu lanë harresës, ndërsa për lidershipin e sotëm të pozitës mjaftonte pushteti në koalicion me shkaktarin e protestave të nisura dhe të përfunduara në 21 janarin 2011. Marrëveshja e majit 2017, nuk është veçse përsëritja e asaj marrëveshje midis lidershipit te partive kryesore pas ngjarjeve të marsit ’97, nën drejtimin e shkaktarëve që sollën çka ndodhën pas 31 marsit ’92. Realiteti tregon qartë se dy grupimet e mëdha kanë vetëm një platformë të përbashkët, ta mbajnë peng këtë vend, sa më larg në kohë jashtë BE-s. Kjo është mënyra e vetme që kanë synuar e synojnë të pasurohen sa më shumë. Propaganda ka qenë e madhe në 25 vjet, për të marrë reformat që kërkohen nga ndërkombëtarët, por asnjëherë nuk janë çuar deri në fund, përkundrazi me ligje pas ligjesh e vendime pas vendimesh janë deformuar në favor të interesave të politikanëve e pushtetarëve. Mjafton të përmendet rasti më i fundit në takimin e përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së, Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor për dialogun vjetor të politikave ekonomike ku mbi vlerësimin për Shqipërinë, midis të tjerash u theksua se me gjithë progresin, pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë “pronësinë ende të paqartë mbi tokën”, çfarë do të thotë termi i përdorur në 25 vjet mbi pronësinë e tokës, që pronarët kurrsesi nuk mund të quhen “ish pronarë” të zhveshur nga prona me ligjin 7501, të komunistëve Alia, Berisha e Nano, por veçse “shitës”, “dhurues” dhe “trashgimlënës”. 

Së fundi, marrëveshja e majit nuk mund të quhet midis PS-ës dhe PD-ës, por ajo është midis pozitës dhe opozitës, për sa kohë që partitë në koalicion të dy krahëve ishin dakord dhe bënë tentativa për negocim edhe vetëm, të lëkundura nga parti apo lëvizje të reja të majta, të qendrës apo të djathta, të dala në këta muaj të fundit në skenën politike të vendit, të cilat pa shumë pretendime për të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 25 qershorit, në vitet e ardhshëm me siguri do të jenë opozita e vërtetë, qe s’ka ekzistuar ndonjëherë më parë, veçse si një fasadë e “ndryshimit” të sistemeve pas viteve ‘90 në Shqipëri. 
Sigal