Milo GJYKANOVIÇ:”Mali i Zi është shembulli i demokracisë multietnike”

556
Sigal

Janusz Bugajski: Mirëmbrëma dhe mirëserdhët në një speciale të “Bugajski Hour” nga vila Gorica, Podgoricë, Mal i Zi. I ftuari ynë sonte është një personalitet politik kyç në Ballkanin Perëndimor, kryeministri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Milo Djukanoviç. Dhe një mik i hershëm. Kemi rreth 20 vjet që njihemi. Mirëserdhët në emision, z. kryeministër. Eshtë kënaqësi t’ju takosh përsëri dhe urime për rizgjedhjen si kryeministër.  S’është nevoja për prezantim të gjatë meqë ju njiheni mirë në rajon dhe mbarë botën si një figurë e rëndësishme politike për më shumë se dy dekada. Mbi të gjitha, keni qenë i rëndësishëm në shpalljen e Malit të Zi shtet në 2006-tën, pas 90 vite nën regjimin e modulave të ndryshme të Jugosllavisë.

 Janusz Bugajski:Po i kthehemi çështjes së minoriteteve. Siç e dini, popullsia shqiptare në Mal të Zi ka dhënë mbështetje të madhe për pavarësinë duke votuar bindshëm. Kohët e fundit kam dëgjuar disa shqiptarë që ankohen se komuniteti i këtushëm vuan nga neglizhenca, decentralizimi administrativ ka qenë shumë i kufizuar, se ka mungesë fondesh për aktivitetet kulturore të shqiptarëve në jug të Malit të Zi, si edhe pamundësi për të gjetur punë në administratë. Si do u përgjigjeni këtyre fjalëve? Eshtë vërtet kështu apo është ekzagjerim?

 Milo Djukanovic: Doja të konfirmoja një prej komenteve që bëtë. Mali i Zi mund të shërbejë si një shembull i demokracisë multietnike. Besoj i mbani mend ato vitet e vështira në Ballkan kur në njëfarë mënyre, ai ishte thuajse çështja kryesore në politikën e jashtme amerikane. Kemi kaluar shumë përvoja të këqija në këtë rajon, shumë përvoja të këqija që na kanë bërë të dyshojmë nëse vendimi për demokracinë multiektnike është projekt realist. Mali i Zi është shteti më i vogël i rajonit. Edhe në këto kohë, ka treguar se është oazi i demokracisë multietnike dhe ka inkurajuar gjithë shtetet e tjera që bashkëjetesa e grupeve të ndryshme etnike, feve dhe kulturave është e mundur edhe në Ballkanin jo të zhvilluar ekonomikisht apo nga pikëpamja demokratike. Edhe sot, rreth 18 vjet pas marrëveshjes se Dejtonit, mund të themi se besimi ekziston, se bashkëjetesa në Ballkan është e mundur dhe se Ballkani duhet të gjejë vendin e vet në proceset integruese në Evropë dhe NATO. Në të shkuarën na është dashur të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësie mes Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit. Sot, nëse pyet zyrtarët në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bosnjë, të gjithë do kthejnë të njëjtën përgjigje: Mali i Zi është një vend me të cilin nuk kemi asnjë kontradiktë dhe ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer. Në periudhën e pas luftës, Mali i Zi në të vërtetë ishte i vetmi vend në Ballkan, ku të gjithë vinin me kënaqësi. Nëse kishe probleme në organizimin e një konference ndërkombëtare, për shembull, nëse ajo do mbahej në Beograd, përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë apo Kroacisë nuk do merrnin pjesë. Nëse do zhvillohej në Kroaci, nuk do merrnin pjesë përfaqësuesit e Serbisë.

 Janusz Bugajski:Siç e thatë edhe ju, të drejtat e minoriteteve janë një vepër në punë e sipër. S’ka kurrë një përfundim konkret, në asnjë prej vendeve. Mund ta shpjegoni pak procesin…? Për këtë çështje më kanë bërë pyetje edhe në Uashington. Procesi i dhënies së statusit të bashkisë Tuzit dhe si do ndikojë ky fakt në komunitetin shqiptar? Ç’kuptim ka statusi i bashkisë në Malin e Zi? Mund të ma shpjegoni pak?

 Milo Djukanovic:Disa vite më parë, Tuzi, së bashku me një grup komunitetesh dorëzuan një iniciativë për t’u bërë bashki të pavarura. Ne si qeveri u kemi thënë se e kuptojmë shumë mirë kërkesën e tyre, se organizimi i vetëqeverisjes lokale në këndvështrimin tonë është një shërbim ndaj qytetarit në pjesë specifike të vendit. Nëse ata mendojnë se disa gjëra duhet të ndryshojnë që të përfitojnë shërbim më të mirë, qeveria do t’i mbështesë. Megjithatë, ne kemi pasur përvoja të tilla në ish-Jugosllavi, jo vetëm në Mal të Zi, por dhe në shumë vende të tjera, ndonjëherë teprohet me decentralizimin dhe krijohen bashki që nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme dhe  që më vonë kanë nevojë për subvencione. Kemi thënë se kjo iniciativë duhet të mbështetet me qëndrueshmëri ekonomike të një rajoni specifik që kërkon të bëhet bashki. Në njëfarë mënyre, u dhamë mundësinë atyre  që e iniciuan idenë e krijimit të bashkive të reja të dorëzonin në qeveri një dokument që vërtetonte qëndrueshmërinë e tyre ekonomike. Tuzi e dorëzoi këtë iniciativë shumë vite më parë dhe mendoj se kanë bërë më shumë progres në këtë aspekt dhe tani janë afër diskutimit të datës për organizimin e një referendumi ku qytetarët mund të shprehin vullnetin e tyre, nëse duan që Tuzi të bëhet bashki me të drejta të plota. Tuzi është minibashki, pjesë e ndarjes administrative të kryeqytetit Podgorica.