Milena Harito/ Administrata Publike të jetë në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik

489
Sigal

*Ministre e Administratës Publike dhe e Inovacionit

Gjëja që më vjen më shumë  ndërmend këto ditë është komedia e Shekspirit: “Shumë zhurmë për asgjë”. Nuk di përse opozita e mpakur axhitohet, proteston, thërret mbledhje, sulmon ambasadorë, duke bërë sikur harron një fakt thelbësor. Ligji i «Nëpunësit Civil» ka hyrë në fuqi në 1 Tetor, dy javë më parë, ashtu siç  u arrit konsensusi midis partive më 30 maj me kontributin e veçantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po e përsëris, se nganjëherë gjërat e thjeshta janë ato që harrohen me lehtë. Ligji ka hyrë në fuqi, pra nuk ka më kthim mbrapa. Konsensusi i arritur është respektuar. Çështja e shtruar për zgjidhje është një çështje që ne e trashëguam si shumë probleme të tjera. Ky ligj ishte i  pazbatueshëm, asnjë akt nënligjor nuk ishte përgatitur që nga 30 Maji e këtej prej qeverisë së kaluar. Po jap një shembull që ta bëj pak më të kuptueshme për ata që na dëgjojnë. Dy ministri të reja janë krijuar. Nëse qeveria jonë nuk do të kishte marrë vendimin me Aktin Normativ për shtyrjen e efekteve të ligjit 152/2013 dhe mbajtjen në fuqi të Ligjit të vitit 1999, këto ministri nuk do të mund të rekrutonin askënd në vendet e reja që krijojnë. Përse? Sepse gjithë mënyra e rekrutimit ndryshon me ligjin e ri dhe duhet përgatitur që nga ngritja e një komisioni të përhershëm rekrutimi deri tek infrastruktura për të organizuar konkurset. E gjitha kjo, si dhe shumë e shumë elementë të tjerë të ligjit, mbi 30 syresh,  kërkon akte nënligjore, të cilat ne kemi filluar tashmë t’i shkruajmë, me ndihmën e konsulencës Europiane. Kemi një raportim javor mbi këtë çështje, raportim që mund ta sjellim edhe në vëmendjen e Komisionit  të Ligjeve, nëse kolegët e komisionit e gjykojnë të arsyeshme. Por përpiqem të kuptoj pse ish-Ministri i Brendshëm nuk punoi për aktet nënligjore? Ndërkohë, që z.Basha e kishte tashmë një nga temat e fushatës së tij në parti. Përse nuk zbatoi prioritetin nr.1 të partisë së vet, të vetmen çështje që PD-ja po na servir, që në momentin që humbi zgjedhjet? Në tre muaj e gjysmë, nga maji në shtator, as edhe një akt nënligjor i vetëm nuk është shkruar. Ministri përgjegjës, me sa duket, ka qenë shumë i zënë gjatë verës, duke luftuar krimin e organizuar dhe duke punuar për vendosjen e rendit, nuk ka gjetur kohë ta ndjekë këtë detyrë. Po le të kthehemi tek ligji. Shtyrja e efekteve të ligjit u propozua  me ndihmën e konsulencës Europiane dhe është një çështje krejtësisht teknike, siç e provon edhe progres raporti.  Është një çështje që na u parashtrua nga Departamenti i Administratës Publike, përpara se qeveria jonë të dekretohej. Ne kërkuam ta bisedojmë me opozitën, që përpara se të aprovohej Akti Normativ nga qeveria. Varianti i punuar, në bashkëpunim me SIGMA, parashikonte fillimisht hartimin e akteve 6 muaj pas hyrjes në fuqi dhe shtrirjen e efekteve 1 vit pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ndryshimet i bëri Ministri i Brendshëm, me cilësinë e ministrit propozues. Afatet u reduktuan përgjysmë. Të munguarit në këtë sallë e dinë mirë që partnerët Europianë nuk ta japin lehtë mbështetjen e tyre, ata janë ekzigjentë dhe me shumë të drejtë. Por, të them të drejtën, çuditem edhe me diçka tjetër. Si kanë sy e faqe të dalin e të akuzojnë, kur në zyrën time kam pirgje me letra dhe ankesa të gjithë atyre profesionistëve që u hoqën brutalisht nga Bashkia e Tiranës, nga zoti Basha, për të vetmen arsye, sepse u identifikuan në komisionet zgjedhore të vitit 2011, si mbështetës të PS-së? Gjë që është e drejta e tyre themelore në një vend demokratik. Majlinda, Tonini, Iliri, Valbona, Dori, Irfani… lista e tyre është shumë e gjatë. Ndërkohë, ata kanë fituar gjyqet dhe kundrojnë të papunë dhe të pafuqishëm hipokrizinë e kryetarit të opozitës, teksa del e mbron në TV parimet e administratës publike dhe të nëpunësit civil. Pa folur për mësueset e shkarkuara. Jo më larg se në maj të këtij viti, si Marjola, nga shkolla profesionale, ku jepte mësim prej më shumë se 20 vjetësh, që ende nuk kanë arritur t’u hyjnë gjyqeve, vetëm sepse guxonin të shprehnin bindjet e tyre politike, ose ndonjëherë, edhe kur nuk guxonin, por thjesht damkoseshin si familje, me metoda që nuk mendonim se do t’i jetonim përsëri në këtë shekull. Media ka bërë detyrën e saj këto ditë, duke publikuar dokumenta emërimi/shkarkimi direkt nga zyrat e PD-së, gjatë viteve të saj të qeverisjes. Janë me dhjetëra e dhjetëra vendime të formës së prerë, për kthime në punë të pazbatuara. Mbi 130 milion dollarë dëm, i është shkaktuar shtetit. Gjithë përgjegjësit për moszbatimin e këtyre vendimeve do të mbajnë përgjegjësi. Ne nuk u votuam për t’i lënë gjërat ashtu siç ishin. Ne u votuam që gjithsecili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, në të gjitha shkallët e administratës. Përse e duam administratën profesionale? Për të çuar përpara punët e shtetit, por, njëkohësisht, edhe për t’i vënë fre dëshirave të pakontrolluara të politikës. Por, cilës administratë po bën sikur i del në mbrojtje opozita? Atyre nëpunësve të doganave, ku çdo ditë që kalon na sjell informacione të reja për abuzime? Asaj pjese të policisë, që për muaj e muaj ka soditur paligjshmërinë që instalohej në Agoranë e qyteteve tona në çdo fushë? Apo atyre inspektorëve ndërtimorë që sodisnin kërpudhat e kateve pa leje? Gjithkush, që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ose thjesht nuk ka vepruar duke mos bërë kështu detyrën e vet, duke mos bërë punën për të cilën ka qenë i paguar, do të mbajë përgjegjësi,dhe askush nuk do të preket nëse ka punuar në respekt të ligjit dhe ka përmbushur detyrat që ka marrë përsipër. Administrata publike nuk është një vend ku shkohet në mëngjes për të pirë kafe dhe për të marrë një rrogë dhe ku kalohet koha duke biseduar me kolegët, ose më keq, duke shpërfillur qytetarët, ose edhe më keq, duke menduar si të abuzohet me karrigen. Përfundimisht, duhet ta kthejmë këtë faqe të historisë tonë dhe sot e kemi mundësinë. E kemi mundësinë të sillemi ashtu si qindra mijëra shqiptarë sillen kudo ku janë nëpër botë, me përgjegjësi për veten e tyre, familjet e tyre dhe për punët që bëjnë. Nuk mund të ecim përpara, duke u punësuar vend e pa vend, me njohje, telefonata. Nuk ecën përpara vendi, por nuk ecën përpara as ai që punën e ka fituar, jo sepse e meriton, por sepse njeh «personin e duhur». Kemi plot njerëz të mirë-shkolluar, me eksperiencë, që dëshirojnë të punojnë dhe që e dinë se karriera profesionale ndërtohet hap pas hapi, me shumë punë dhe mund. Nuk ka asnjëherë rrugë të shkurtër për të ndërtuar një karrierë të suksesshme. Për çdo vend pune duhet, së pari, përpjekje dhe mund për ta fituar. Duhet ndonjëherë edhe pak fat, të jesh në vendin e duhur në momentin e duhur dhe kjo është e vërtetë kudo në botë. Por, ama, ka vetëm një mënyrë për ta mbajtur vendin e punës dhe për të përparuar në karrierë dhe këtë ne e dimë të gjithë, të gjithë ju që jeni këtu e dini. Shumë punë, shumë përkushtim dhe motivimi për të përballuar shumë lloje vështirësish.  Administrata e nesërme nuk do të jetë më asnjë vend i rehatshëm dhe nuk ka qenë, as nuk do të jetë një vend i paguar më mirë sesa privati, por është një vend ku mund të mësosh shumë dhe mund të japësh shumë. Kjo është fytyra e re që ne duam t’i japim administratës. Duke përforcuar mbrojtjen e saj, nëpërmjet ligjit 152/2013, por, njëkohësisht, dhe duke forcuar kërkesën ndaj atyre që marrin përsipër të punojnë në shërbim të shtetit. Të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të interesit publik. Ndaj, do të organizojmë konkurse të hapura, duke përdorur bazën e të dhënave online e cila është duke u kthyer në një bazë shtetërore me shërbimin kombëtar të punësimit. Baza shërben për të informuar për çdo pozicion të lirë pune personat e interesuar me kompetenca në atë fushë. Sapo e kemi përdorur për dy vende të lira pune në një nga agjencitë dhe brenda javës kemi patur rreth 50 kandidatura të cilat po trajtohen. Kjo është mënyra se si do të funksionojmë. Shteti duhet të mësojë nga privati mirëmenaxhimin e kompetencave dhe të jetë shembull edhe për sektorin privat për mirëtrajtimin, trajnimin, avancimin e punonjësve.