Metamorfozat e Lulezim Bashës

722
Nga Hyskë BORBOJKA
Në leksikun e gjuhës së bukur shqipe ka shumë aforizma apo shprehje, që përsëriten e thuhen edhe sot e kësaj dite.. Një prej tyre është:“Korçën kërkove,/ Korçën ta dhamë,/ Që ta dhjesish Korçën siç dhjeve Beratnë!” Kështu ndodh dhe në Partinë Demokratike me Lulëzim Bashën: “Partinë kërkove,/Partinë ta dhamë,?Që t’i shkulje rrënjët,/Ti nxjerrish tabanë!”.Dhe kishin të drejtë adhuruesit e tij. Lulëzim Basha nuk ishte lëng groshe as vidë makine, ai i vinte nga Evropa i arsimuar në universitete të dëgjuar, Thonë se bursën ia kishte dhuruar miliaderi Soros, (por unë s’e ve dorën në zjarr). Ai sillte me vete ide të reja bashkëkohore, që do ta çonte partinë, që ia dorëzoi, ai që kishte qenë kryetar që në themelimin e saj, 27 vjet më parë. Kryetari i ri, si mori në dorë timonin e drejtimit të saj, i hyri vetja në qejf. Pse mos kishte të drejtë të krenohej e mburrej. Ishte nga kuadrot e reja shpresëdhënëse që sa shkeli në tokën mëmë; po sillte “frymën e re” Çdo detyrë të rëndësishme që do t’i ngarkonin do t’i dilte për zot ballëhapur e me “suksese”. Kur i dhanë postin e Ministrit të Komunikacionit, ndërtoi “Rrugën e Kombit”. U fol e u krijua një mal me thënie për ndërtimin e saj, se u shpërdoruan e u përvetësuan fondet, por të gjitha këto mbetën, sipas tij dhe atyre që ia varën në qafë këtë këmborë, në pragun e legjendës e të thashethemeve të gojëve të “liga”.. Si ministër i jashtëm përsëri nuk shpëtoi pa u përgojuar për lëshime e trukime, por edhe këto mbetën “të shkuara, të harruara”. Ai ishte lulja e partisë, prandaj kishte të “drejtë” t’i ndërronte dikasteret. I dhanë të drejtonte me “sukses’ Ministrinë e Brendshme. Aty ndodhën disa ngjarje të shëmtuara në 21 janar, Katër protestues ndërruan jetë nga plumbat në mes të bulevardit.. E zgjodhën kryetar të Bashkisë të Tiranës, por u detyrua të mbante dy kunguj nën sqetull, Bashkinë dhe Partinë?!. Për këtë nuk ka faj, pasi duke qenë mjaft kohë jashtë vendit e kishte harruar shprehjen e vjetër: “Nuk mbahen dot dy kunguj nën sqetull, po mbajte njërin të bie tjetri” Por zoti Basha s’mbajti dot as njërin dhe i rrëzoi të dy. Thonë se me një të qorollisur nuk shitet kali. Kështu ndodhi edhe me Partinë Demokratike kur i dha pushtet të plotë zotit Basha, vetë të shkruante e vetë të vuloste, të hartonte lista e prapa liste pa pyetur, vetë Ali e vetë Kadi. U bë si Luigji i Katërmbëdhjetë në Francë, që thoshte: “Shteti jam unë” Ndërsa Basha përsëriste orë e çast kryetar jam unë, që vendos, shkruaj e vulos?! Mjerë ai që e kundërshtonte kryetarin se fshihej nga lista e regjistrohej prapa saj. Kryetari i plotfuqishëm kishte të drejtë të “pakundërshtueshme” kush duhet të ishte në listë për deputet a deputete e kush duhej fshirë. Ai dhe disa që e ndiqnin nga pas, vendosi të rrëzonte “Republikën e vjetër” apo si ishte quajtur “Rilindja e re” dhe do të krijonte “Republikën e re.”, jo në Tempullin e Ligjeve” por në “Çadrën e Lirisë” të ngritur në mes të Bulevardit, përballë Kryeministrisë. Aty shpalli programin e taktikën e “Republikës së Re” se do të zhdukte nga faqja e dheut kanabisin, që na nxiu faqen në botën e qytetëruar, do ulte taksat, do rriste rrogat e pensionet, do ta hidhte vështrimin, jo nga oligarkia, por nga ekonomia e vendit. Foli e foli sa u ngjir zëri. Numërimi i votave në zgjedhje elektorale të bëhet, jo me duart e numëruesve, por sistemin elektronik. Se me kryeministër Ramën nuk ka zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Prandaj, për t’i siguruar nga “kabashitja” (vidheshin), të krijohet një qeveri teknike. “Çandra e Lirisë” vazhdonte të qëndronte e patundur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë me zotime e fjalime të zjarrta. Por për çudi të çudirave, një natë të errët pa yj e hënë në qiell, më 18 prill të këtij viti, takohen si asnjëherë, dy kundërshtarët politikë (kundërshtarë, por vëllezër, siç thoshte Berisha) dhe nënshkruan një pakt të ri. Zotit Basha iu bë qejfi mal, kur kundërshtari i tij politik (nuk dihet se ç’metodë e myrafet përdori), i sugjeroi të zgjidhte kë të donte zëvendëskryeministër, por në krye të qeverisë do të ishte i patundur vetë Rama. “Dakord. Kishte thënë Basha, por veç tij unë dua dhe pesë ministra. “T’i marrësh, zgjidh kë të duash! – ishte dakord kryeministri.. Veç këtyre Basha kishte kërkuar edhe disa drejtorë Drejtorish e burgjesh! “Sa të dëshirosh! – s’ia kishte prishur qejfin Rama. Dhe kështu vazhdoi kjo marrëveshje e fshehtë në natën pa yj e hënë të 18 majit. Basha “ga” (kërko) dhe Rama “na” (mirato). Kur mbaroi nata e errët dhe agoi dita, Basha e kopsiti “Çadrën e Lirisë”. Mbyllja e saj, pas tre muaj protestash e fjalimesh të zjarrta, të kujton një shprehje tjetër të gjuhës shqipe. E bëri si ai që “mbajti 30 ditë ramazan dhe e çeli me të pëgërë”. Kurse Basha nuk mbajti 30 ditë “ramazan” (protesta) por plot 90 ditë dhe filloi takimet me zgjedhësit me ligjërata të zjarrta e me premtime të thekura, se më 25 qershor “Republika e Re” do ishte fitimtare e do ta përmbyste për jetë “Republikën e vjetër”. Por. oh, për atë ditë të keqe!? Kur u hapën kutitë e u numëruan votat, doli si rruar qethur, ashtu si s’kishte dalë kurrë me aq humbje partia, që drejtonte Kryetarit i vajti nofulla shtrembër dhe u vetë-ngri”. U vetë-ngri, por zyrën në selinë e partisë, sekretarinë, telefonin. makinën, zyrën e shtypit e gazetën e partisë, nuk i dorëzoi. Vapa e kësaj vere ka qenë shumë e nxehtë dhe s’e la kryetarin të vetë-ngrirë gjatë, por e shkriu shpejt. Një shprehje e vjetër thotë::“Kur të vinë mentë, s’t’i hanë as qentë!”. Si vetë u ngri e vetë u shkri, mori makinën dhe rojet besnike e po i bije Shqipërisë anë e mbanë, për t’u thënë se zgjedhjet nuk i humbi ai, por mashtrimi i kundërshtarit, grabitjet, korrupsioni, droga, ryshfeti, blerja e votave nga kundërshtarët politike. Ai, që vetë ngriu e vetë shkriu, kërkon nga partia e tij ta bëjnë edhe njëherë nuse (kryetar), pasi kishte fituar përvojë dhe dinte si të nusërojë (të fitonte). Pasi tani. që vetë-shkriu di si ta hedhë në kokë kurorën dhe vellon e nusërisë. (fitores në opozitë) Por harron se, përpara se të vendosë kurorën e “fitores” e të hedhë vellon në kokë, duhet të ngrejë brekët që i kanë rënë e ka mbetur gollomesh. 
Sigal