Meta: Konflikti politik dhe vënia e interesave partiake mbi ato kombëtare penguan marrjen e statusit kandidat

524
Sigal

LSI takim në qytetin e Shkodrës, 300 anëtarësime të reja

 LSI-ja zhvilloi dje një takim entuziast më qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Shkodrës.  Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama dhe anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Nora Malaj.  Në këtë aktivitet janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 300 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se dita e sotme duhet të ishte ditë festë për të gjithë shqiptarët për marrjen e statusit. Sipas tij një gjë të tillë e pengoi konflikti politik dhe vënia e interesave partiake mbi ato kombëtare.  “Të dashur motra dhe vëllezër. Është kënaqësi që ritakohemi këtu ku për herë të fundit u takuam përpara zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe ku dihet se LSI arriti në ato zgjedhje, në të gjithë vendin, një sukses kuptimplotë por arriti njëkohësisht edhe në Shkodër një sukses tepër pozitiv duke marrë në të gjithë qarkun mbi 9 mijë vota. Ndaj edhe duke i shprehur një falënderim të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë, themeluesve, por edhe të gjithë atyre që në vazhdimësi janë integruar në Lëvizjen Socialiste për Integrim, unë do të doja të shprehja besimin tim se 300 anëtaret dhe anëtarët e rinj që bashkohen këtu në Shkodër me ne na japin forcë dhe besim për të arritur një rezultat shumë më të mirë në zgjedhjet e 23 qershorit.  Sot duhet të ishte një ditë më e mirë për të gjithë shqiptarët, duhet të ishte një ditë ku të gjithë në vijmë të festave të festonin edhe miratimin e statusit kandidat për në BE  për vendin tonë. Por është për të ardhur keq që ne përsëri do të na duhet kohë për ta marrë këtë status, jo sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishin të gatshëm për  ta merituar por sepse konflikti politik që ende gjallon, i cili vendos interesat afatshkurtra mbi ato afatgjata, interesat parciale dhe partiake mbi ato kombëtare, e pengoi Shqipërinë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Megjithatë Shqipëria ka vetëm një destinacion që është pikërisht procesi i pandalshëm i saj, pavarësisht nga vonesat, pavarësisht nga pengesat, pavarësisht nga ngërçet që krijon politika e konfliktit herë pas herë, dhe ky destinacion është anëtarësimi i pashmangshëm në Bashkimin Europian”, -tha z. Meta. Lideri i LSI-së u shpreh se mesazhi më i mirë që duhet të jepet nga Shkodra është mesazhi i Ramush Haradinajt, i cili pas fitores së tij të dytë ndaj akuzave që i kishte bërë Serbia në Tribunalin e Hagës u shpreh se: “Ne do të marrim përgjegjësi dhe ne duhet të vazhdojmë dialogun me Serbinë në emër të së ardhmes së gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të një të ardhme evropiane të të gjithë rajonit”.  “Në të kaluarën duke bërë apel për domosdoshmërinë e bashkëpunimit midis forcave kryesore politike në vend dhe drejtuesve kryesorë politik në emër të një të ardhme të përbashkët dhe në interes të të gjithëve kam qenë i detyruar të marr shembull nga Zimbabve. Sot do të marr një shembull tjetër më të freskët, më aktual që ka të bëjë pikërisht me mesazhet që dha një politikan shumë i njohur i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, pas fitores së tij të dytë ndaj akuzave që i kishte bërë Serbia në Tribunalin e Hagës. Ramush Haradinaj është një nga heronjtë që çliruan Kosovën, është një njeri që mund të kishte humbur dhe jetën në luftë me okupatorin Serb, është një njeri i cili humbi në këtë luftë dy vëllezër të tij, humbi shumë kushërinj, shumë bashkëluftëtarë, është një njeri i cili u përballua dy herë në Hagë me akuzat e fabrikuara të Serbisë. Megjithatë kur ai triumfoi edhe së fundmi në gjykatën e Hagës mesazhi i tij kryesor, ndërkohë që jo pak të tjerë në Kosovë e akuzonin si tradhtar Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, pse po dialogonte me Kryeministrin e Serbisë, ishte: “Ne do të marrim përgjegjësi dhe ne duhet të vazhdojmë dialogun me Serbinë në emër të së ardhmes së gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të një të ardhme evropiane të të gjithë rajonit”. Ndaj edhe unë shpresoj që të gjithë ata që e kanë pritur sot dhe do ta presin edhe nesër z. Haradinaj të mësojnë nga ky mesazh sepse konfliktet e vogla apo qofshin këto edhe të rëndësishme të së kaluarës nuk mundet të na vonojnë në prekjen e një realiteti më evropian për Shkodrën dhe për të gjithë shqiptarët. Unë besoj se ky mesazhi i duhur që ne japim sot edhe nga Shkodra”, vijoi fjalën e tij nga Shkodra z. Meta. Sipas kryetarit të LSI-së Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, nuk kanë nevojë as për retori konfliktuale, as për bllokime artificiale dhe për akuza reciproke pa limit. “Sepse shqiptarët duan zgjidhje, sepse shqiptarët kërkojnë në radhë të parë punësim, kërkojnë mundësi më të mira për veten e tyre dhe në veçanti për fëmijët e tyre. Politika e konfliktit veçse i merr energjitë dhe kohën e duhur politikës dhe të gjithë shqiptarëve për të ecur më shpejt në rrugën e zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale. Ndaj LSI si një forcë e interesuar në radhë të parë për integrimin europian të vendit, sepse përmes këtij procesi shikon realizimin e aspiratave të çdo familjeje shkodrane dhe shqiptare, të çdo pensionisti e veterani, të çdo fëmije, do të punojë pikërisht për të dhënë këto mesazhe bashkëpunuese dhe për të vënë theksin tek problemet dhe rëndësia e zgjidhjes së tyre dhe jo tek shtimi i problemeve të panevojshme. Unë jam i bindur se kjo politikë konstruktive që LSI ka demonstruar dhe që do të vijojë, do të vlerësohet edhe më tej nga qytetarët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, sepse u bënë 22 vite eksperiencë me zgjedhjet, eksperiencë me partitë, eksperiencë me premtimet. Dhe ndonjëherë kur ndiqni debate në Parlament, ju duket sikur jemi akoma në vitin ‘91. Debate që nuk kanë lidhje fare me problemet që diskutohen në çdo familje shkodrane dhe shqiptare, në çdo bisedë midis qytetarëve të thjeshtë, të cilët janë dhe duhet të jenë prioriteti dhe vëmendja kryesore e të gjitha partive dhe e të gjithë politikanëve. Unë besoj se këto anëtarësime të reja, të cilat do të vijojnë edhe në komunat të tjera të Rrethit të Shkodrës, edhe në të gjithë këtë qark, do të na ndihmojnë jo vetëm për të pasur anëtarë më aktivë, por edhe për të sjellë mendime të reja, sepse në fund të fundit të gjithë këto janë shoqe, shokë, zonja, zonjusha, zotërinj, të cilët e kanë parë deri më tani LSI-në nga jashtë dhe duke u anëtarësuar, duke u integruar mes nesh do të na sjellin dhe këndvështrimet e tyre të pangarkuara dhe plot freski për të ardhmen sesi ne ta përmirësojmë më shumë dhe më mirë punën tonë”, tha i. Duke përfunduar z. Meta i uroi mbarësi të gjithë anëtarëve të rinj që u afruan me LSI-në.  “Ndaj unë nuk do të zgjatesha më shumë sepse besoj se shumë mesazhe u dhanë edhe nga parafolësit e nderuar. Do doja të ftoja disa prej tyre dhe t’u uroja mbarësi në këtë ditë të parë të anëtarësimit në LSI dhe t’ju uroja të gjithë LSI-së së qytetit të Shkodrës, të Rrethit të Shkodrës, të Qarkut të Shkodrës suksese në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013. Duke falënderuar të gjithë anëtarët dhe anëtaret e rinj, dua t’iu falënderoj të gjithëve për këtë mbështetje që na keni dhënë dhe që na jepni dhe të jeni të sigurt që kjo do të jetë një kontribut për një përfaqësim shumë më të mirë dhe shumë më të drejtë të interesave tuaja dhe të gjithë komunitetit shkodran pas 23 qershorit. Rroftë populli i Shkodrës! Rroftë Shqipëria europiane!”, përfundoi fjalën e tij nga Shkodra Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.  Në takimin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës përshëndetën me fjalën e tyre Sekretari Politik i LSI-së në Qarkun e Shkodrës, Gëzim Podgorica, Kryetari i LSI-së në Shkodër, Edip Shiroka si dhe kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Shkodër, Rozafa Zmijani.

Ilir Meta priti Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti dje në selinë e LSI-së, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Meta, pasi e uroi Haradinaj për një rikthim dinjitoz dhe të shumëpritur nga të gjithë shqiptarët, theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar përgjegjshmërinë e lartë të treguar nga Haradinaj dhe AAK në shërbim të mbarëvajtjes së bisedimeve, si një kontribut të çmuar në interes të konstruktivitetit dhe paqes në rajon. “Me këtë rast unë dua ta uroj për këtë rikthim tepër dinjitoz në politikën aktive dhe njëkohësisht dua ta përgëzoj në mënyrë të veçantë për reagimin tepër të përgjegjshëm në këtë rifillim të aktivitetit politik duke treguar një ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të marrë përgjegjësi në emër të një të ardhme më të mirë për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin. Fakti që z. Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbështesin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe fakti që një prej drejtuesve kryesorë të AAK-së është tashmë dhe koordinator në këto bisedime tregon se Ramush Haradinaj ashtu sikurse kontribuoi me sakrificat e tij, me gjakun e vëllezërve dhe shokëve të tij, për çlirimin e Kosovës është sot më i vendosur se kurrë që të kontribuojë për të fituar paqen, jo vetëm në të gjithë Kosovën por edhe në rajonin tonë”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp Meta. Haradinaj, vlerësoi rolin e Meta dhe të LSI-së si pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri për një politikë të jashtme dhe rajonale tepër aktive në shërbim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, Haradinaj shprehu angazhimin e plotë të AAK në interes të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të garantimit të të drejtave të të gjithë pakicave, siç është sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. “Është nder për mua të jem prapë me mikun tim, me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. z. Ilir Meta, në selinë e partisë LSI. Ne kemi një traditë të njohjes dhe komunikimit në përgjegjësi të ndryshme, qoftë që i ka ushtruar z. Ilir apo qoftë unë, por kurdoherë ajo që na ka lidhur është dëshira e madhe për të ndihmuar shqiptarët kudo që janë, për të arritur suksese në synimet që i kemi. Edhe sot e konfirmoj një gatishmëri timen për të vazhduar një bashkëpunim të tillë që të ndihmojmë vetveten, rrugën tonë ashtu sikurse edhe e tha edhe kryetari drejt integrimeve, drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe drejt avancimit të çështjes shqiptare në Ballkan. Po ashtu unë sot meqë mendoj se shteti i ri i Kosovës është kontribut ose avancim i çështjes shqiptare kam sjellë, edhe për simbolikën e vet, hartën e Kosovës të cilën e kam nderin për ta dhuruar në shenjë të 100-vjetorit”, theksoi Haradinaj. Meta dhe Haradinaj ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes LSI dhe AAK dhe shprehën bindjen se mbarë hapësira shqiptare në rajon sot, është më e çliruar dhe më e fortë se kurrë.