Mësuesit e Përmetit tim, afër edhe larg…

259

Kristo MËRTIRI

-Përsiatje nga cikli “ Antiharresa”-

Në supet dhe krahët e vreshtave të Bolëngës pa “shami me mollë të ëmbla”, atje ku pikojnë lot njeriu e hardhie më tepër se kudo, varret që kanë më shumë lule të njoma e “trëndafila fletë-fletë” nga sokakët dhe ballkonet e Përmetit, janë ato të ish mësuesve. Atje, edhe Vjosa, drurët e zogjtë dinë të nderojnë njerëzit e Dritës së Diturisë, dritë që e mbajtën ndezur me dashuri nëpër dekada jete, pune, sakrificash e vetëmohimi atdhetar. Asnjëherë qaramanë, punëtorë të mëdhenj, seriozë, të heshtur e dinjitozë. Në këtë soj Tranzicioni rrumpallë e të përmbytur nga Polit(h)ika gërdallë, ata mbyllën sytë përgjithmonë, ikën në paqe me veten dhe të tjerët. Pa kërkuar asnjë favor e privilegj nga kjo botë e trazuar apo nga pushtetet që vijnë e shkojnë shaluar mbi kuajt e interesave të ethshme private e financiare. Shumicën e tyre unë i kam njohur nga afër vite më parë, në ato vise të bekuara ku nisa jetën e vërtetë familjare e profesionale si korrespondent i përhershëm i Jugut, me rezidencë në qytetin e trëndafilave. I doja, i dëgjoja dhe i respektoja shumë. Por sebep për këto shënime u bë një shkrim i mësuesit poet, Lumo Kolleshi, të cilin po e përcjell në media. Ishte lexuar e pëlqyer në një takim aspak të rëndomtë, në kujtim të Dashamir Zaçes që nuk iu nda asnjë ditë shkollës shqipe në vendlindje e gjer në Selanik si emigrant ekonomik. Intelektualë të tillë që digjen si qiriri çdo ditë për Gjuhën e Nënës, e sidomos larg mëmëdheut ku thatësira të rrethon dukshëm përmes vogëlushëve refugjatë, nuk mund të harrohen lehtë. Gjurmët e tyre të të atdhetarisë do të mbahen mend gjatë në memorien popullore e historike, sot dhe nesër. Jo rastësisht, në Përmet, vlerat e larta morale, qytetare e intelektuale vlerësohen shumë. Thesari kulturor i kësaj treve, historikisht ka pasuruar vetë kulturën tonë kombëtare. Dhe roli i mësuesve është i pazëvendësueshëm. Na ruaj, o Zot, nga njerëzit e paditur ! -U mblodhëm për Dashon e rrallë që na iku papritur dy vjet më parë, u mblodhëm plot emocione,-më thotë Muharremi, miku ynë që nuk harron të japë kronika me lajme të ditës në media.-Por para e pas veprimtarisë jo zyrtare, me njeri-tjetrin kujtuam edhe të nderuarit Qamil Xherahu, Mikail Kote, Lliko Nanon e Vasil Logon, Foti Ninin e Tomor Mullaraj, Nuli Papën e Ollga Shuranë, Trifon Zybën e Mihal Fociron, Kasjani Dukën e Ollga Poplin, Piro Priftin e Gëzim Jacen, Sofo Tolen e Niko Tyton, Fatos Hodon e Dhimitër Gjatën, Vasil Stefanin e Meleq Shehun, Niko Milon e Luan Shkurtën etj., dhe gjer te Mjaftoni Delilaj që u shua tani vonë. U ndritë shpirti atje ku prehen !… Ndërsa Muharremi i palodhur i përmend një për një si në apel të zakonshëm mësimor në shkolla, mua këtu në Tiranë më pushton kraharorin e hapur një dhimbje njerëzore therëse e meditim jo i rëndomtë.

Me disa prej tyre u miqësova herët. Kemi pirë kafe, raki e verë,, por edhe kemi kuvenduar gjatë për punët, hallet e gëzimet. Ia merrnim shtruar edhe këngës përmetare. Pa qibër e pa salltanete. Në festivalet e famshme folklorike, zbrisnin si përrenj të gëzuar nga Dëshnica, Malëshova, Cerja, Dangëllia, Rrëza e Shqeria. Nga një mal me halle, në një det me këngë ! Statistikat e kohës me pyetjet për vjedhje, vrasje, sherre, zjarre në pyje etj. shpesh niseshin bosh në kryeqytet. Traditë që ka në themel kulturë, qytetërim, urtësi e njerëzillëk të rrallë. Veç të tjerave, ka merita të pamohueshme edhe brezi i artë i mësuesve të paharruar. Të mos harrojmë. Mjaft prej tyre, bashkë me nxënësit në fshatra e qytete, dashurinë për Diturinë e mbollën edhe nën dritën e pishës, kandilit a llambës me vajguri, nëpër shi, breshër, ngrica e vapë. Disa përballuan me dinjitet edhe kohën kur njeriu rënkonte e psherëtinte me zemër : “Pranë sofrës i pangrënë/ Pranë dijes i panxënë !”. Historia mban shënim dhe mban fort në gjirin e saj ato sakrifica (sot nuk janë pak ata që qahen dhe e quajnë një lloj internimi a dënimi të padrejtë emërimin me punë në zona të thella rurale a në qytete të largëta dhe jo vetëm nga Arsimi (?). Veç paraja po e than e përthan idealizmin ?! Dhe pasojat plagëhapura të drithërojnë në Arsim, Shëndetësi, Kulturë, Bujqësi e Blegtori. Braktisja e madhe e fshatit është një rrokullimë-ulërimë, që kam bindjen se kombi do e paguajë shtrenjtë. Prandaj mjaft nga ata mësues ikën të dëshpëruar në atë botë. Sepse ata panë me sytë e tyre edhe zëvendësimin e parmendës, të draprit e të patkonjve të kalit, nga traktori e autokombajna. Por në Tranzicionin rrumpallë përjetuan të lebetitur edhe skena tepër trishtuese e revoltuese : Pazare të fëlliqura me Dëftesa “Pjekurie”, vërtetime e diploma kallpazane pa zile e cokale. Pazare që fyejnë rëndë çdo intelektual e mësues të vërtetë !… Fjala vjen, përmetari i pavdekshëm Nonda Bulka, që qante dhe qeshte si bilbili, jo më kot u falej shpesh dy bilbilave të mëdhenj kombëtarë nga Frashëri e Zagoria (Naimi e Çajupi). Ndoshta ai pedagog e penë satirike therëse, e njihte më mirë se kushdo dialogun e Nemërçkës me Vjosën, por edhe zërin e Lirisë e të Demokracisë, zërin e Dëshmorëve që i lindën nënat për një Botë të Re pa shtypës e shfrytëzues. Shkurt, pas atij dialogu me pyetje e përgjigje si aksioma të zjarrta, disa postulate nuk mbetën brenda Përmetit e Shqipërisë :

“-Kasollet digjen, por idealet kurrë !

-Njerëzit vriten e burgosen, por idealet kurrë !

-Dheu zhuritet, por bari mbin përsëri !…”.

Sot, mjaft nga miqtë e mi të shumtë përmetarë, janë thinjur e bërë si eshka e lisave të Hotovës(lisa që ruajnë ende të patharë edhe gjakun e dëshmorit Qako, që pas kësaj e gjithë jetën gjëma e mbuloi në të zeza bashkëshorten trime Tome Ballabani). Veç Vjosa, Dhëmbeli, Kabaja dhe këngët e famshme nuk thahen e as thinjen. Ndërsa në Fratar e Mërtinj, lisat e përzhitur nga vapa shkundin gjethet e vjeshtës, por pjergullat nuk i heqin nga trupi. Nëpër kroje e burime tani po piqet rakia. Me filxhan në dorë, ftojnë çdo udhëtar të njohur e të panjohur për ta provuar “ballë kazani” nga llullaja lehonë. Ndonjë mësuesi të vetmuar a jabanxhi i rezervohet pritje e veçantë. Se ndriçimi dhe pasurimi i mendjes, për përmetarët nuk paguhet as me flori ! Brez pas brezi kështu. Jo më kot profesori i pazëvendësueshëm i gërnetës e kabasë, Laver Bariu, e kish pagëzuar rakinë ndryshe nga të tjerët dhe e thërriste “ Nëne “. Nuk besoj të gjendet shembull i dytë në Ballkan, Evropë e më tej si ai talent i madh pa shumë klasë shkolle. Këngën e parë e ndoshta të fundit para se të mbyllte sytë e bukur, këngën “Moj kunadhja leshverdhë” e këndoi vetë para Monumentit të Partizanit (dhuratë e skulptorit të shquar përmetar, profesorit Odhise Paskali) në kërthizë të qytetit. Dhe e mbylli me dy vargje shtesë për Kanon e tij të zemrës, që iku më herët në Bolëngë. Nxori një shami nga xhepi i kostumit dhe fshiu lotët që i buruan befas e natyrshëm. Pas pak sekondave prekëse, boshllëkun pikëllimtar sikur e mbushën menjëherë gërnetat e ish-nxënësve të tij të dashur që erdhën me një frymë për të nderuar Ustanë. Nxënës që dikur i merrnin “leksionet” pa fletore, pa pentagrame. Asnjëherë nuk e mbaj mend të dehur. “-E dua një kupë të vogël me kafenë. Duhet njomur pak gurmazi im por edhe ai i gërnetës”. Para se të largoheshin pas kursit, nxënësit i hidheshin në qafë dhe e puthnin mësuesin usta të rreptë e të dhimbsur. “Nuk lihet vetëm puna e shtetit, o lako !”,-më thoshte gati çdo pasdite kur i afrohej orari për të shkuar në Shtëpinë e Pionierit. Vetëm kur vinte Kanua e tij buzëqeshur e me hapa të lehtë (zëvendësonte 2-3 orë Laverin, në kundërshtim me rregulloren e disiplinës në parkingun e ndërmarrjes tregtare), vetëm atëherë i shkrepnin sytë e qetësohej, merrte gërnetën e palosur në dorë a nën sqetull dhe nisej i krehur e i veshur si dhëndër… E ruaj ende një bllok shënimesh të 40 viteve më parë. Letrën e posaçme që i dërgoi “Komandant Enveri”, ai e mbajti në kornizë jo dosido, atje, në muret e kuzhinës. Gati 4 dekada ashtu, në monizëm e në pluralizëm. Mbaj mend kur u organizua ceremonia e dorëzimit të Letrës në Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”(shtëpi që në vitet e “shkërdhatokracisë” çuditërisht i vunë drynin paradoksal, rrëmbyen trastat me para të qelbura, shitën “ patriotizëm” kallp dhe gjoja i lanë duart e pista me ca shkresa gjykatash të ulëta e të larta…). U mbajtën fjalime me letër e pa letër. Në fund i erdhi radha Laverit. Për herë të parë në jetë po dilte në podium pa gërnetë. Salla plot e përplot heshti. Ustai po shikonte njerëzinë dhe nuk fliste. Iu bë komb në grykë. “ Rroftë e qoftë Komandanti ! Tani e ka fjalën gërneta !…”. Vetëm kaq mundi të thoshte dhe duartrokitjet masive vërshuan lumë… Në bllokun e shënimeve ruaj edhe ca episode perla të papublikuara, rrëfime të tij origjinale se si e mësoi aktorin e madh, Bujar Lako, të luante aq mjeshtërisht rolin e tij fin te “Gjeneral Gramafoni”. Por unë e di mirë e saktë se ku e ka folenë ajo kabaja mahnitëse e tepër rrëqethëse në film, tinguj që i flasin jetës për jetën dhe dy vëllezërve Dëshmorë të Lirisë… Ajka e kulturës dhe e qytetarisë janë mësuesit e Përmetit tim. Nga duart dhe mendja e tyre dolën në dritë talente të mirënjohura në Letërsi, Muzikë, Matematikë-Fizikë, Histori, Pedagogji, Biokimi, Ekonomi e Filozofi, Pikturë e Skulpturë etj. Ashtu zemërqëruar prehen në supet dhe krahët e vreshtave të Bolëngës. Me veriga rrushi lotëpikuar. Besnikë të përjetshëm të devizës naimiane: “Dhe Drit’ e Diturisë, përpara do na shpjerë, përpara drejt Lirisë !”. Por ata njerëz të mrekullueshëm meritonin e meritojnë akoma më shumë nderim nga të gjallët në pushtetet lokale e qendrore, pushtete që nuk rrinë dot në këmbë e të pastër pa themele të forta Diturie në fshatra e qytete. Mirëpo përballë kësaj kohe “bishtdhelpër”, pikëpyetjet e dilemat janë reale e aspak hipotetike. Për shembull, kur u transferova nga Përmeti im, rrethi kishte 8 shkolla të mesme e 36 shkolla tetëvjeçare; 112 kopshte; 58 muze e 2 shtëpi muze; 110 biblioteka; 14 shtëpi kulture e 54 vatra kulture; 2 kinema. Po sot?!… Ose në Shëndetësi e gjetkë. Po mbushen tri dekada dhe Polit(h)ika e gërrmërreve dhe e hajdutërisë “o Mete, për vete!”, vazhdon të shesë moral me okë nga vilat e automjetet luksoze, nga pallatet dhe shtëpitë e pushimit verore e dimërore në bregdet e metropol; nga llogaritë e majme bankare brenda e jashtë vendit etj. Vallë, të gjitha me “rrogat” e shtetit ligjor ?! Apo janë më të mençur se mësuesit dhe më kokëngjeshur përballë ekonomisë së tregut ?

“ Përditë shoh qartë e ma qartë/

dhe vuej thellë e ma thellë “.

Trishtimi rënkues e depërtues i kryemësuesit Migjen i ka shoqëruar në çdo hap mësuesit e Përmetit tim. Në vitet e ekonomisë së tregut, sikur e patën edhe më pranë poetin e mjerimit, por edhe “tollumbat e Lulit të vocërr”, vetë urinë e shekullit të ri. Shekull me shumë dëshpërime, hidhërim e zhgënjime të pamerituara. Shekull i thyer!…