Mesazhe të fuqishme dashurie nga Nënë Tereza

3395
Nga Frank Shkreli*
Bota shqiptare në përgjithësi duket sikur jeton në një konflikt të përhershëm. Shoqëria shqiptare kudo në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dallohet për konflikte e mosmarrëveshje me njëri tjetrin, jo vetëm midis politikanëve dhe partive që ata përfaqësojnë — dhe jo vetëm në kohë zgjedhjesh. Po të ndjekësh media shqiptare, nuk shef tjetër veç grindje dhe akuza midis njëri tjetrit, përfshirë edhe gazetarët dhe analistët. Këtyre grindjeve dhe mosmarrëveshjeve nuk u mungojnë, fatkeqësisht, as mendjet më të ndritura të letrave, të gjuhës dhe të kulturës së kombit. Madje as figurat më të mëdha të historisë së kombit – si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe vet Nëna Tereze, nuk mund t’i ikin kësaj atmosfere të çoroditur, duke u bërë subjekt konfliktesh, grindjesh dhe mosmarrëveshjesh midis shqiptarëve. Shoqëria shqiptare duket si e paralizuar nga inatet politike, personale dhe profesionale. Ndihet një mungesë e madhe dashurie dhe respekti për njëri tjetrin, një boshllëk, për të mos thënë një gjendje e rëndë shpirtërore që ka kapluar jo vetëm shoqërinë shqiptare, por mbarë botën, në çerek shekullin e parë të shekullit 21. Dje në Prishtinë u shugurua katedralja me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të njëjtën ditë kur u mbushën 20 vjet që kur ajo ndërroi jetë dhe ekzaktësisht një vit pas shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Asnjëri prej nesh nuk jemi Nënë Tereza, por ka mundësi që sado pak të influencohemi nga jeta e saj dhe të frymëzohemi nga disa thënie të saj duke ndjekur sado pak edhe shembullin e saj në këtë jetë – ashtu që bota shqiptare të ketë më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin, si vëllezër dhe motra të një gjaku, me një histori dhe identitet të përbashkët — pa marrë parasysh dallimet dhe pikëpamjet politike, fetare ose krahinore. Kombi shqiptar është NJË dhe si i tillë meriton, pikësëpari, të bashkëjetojë në paqe e në dashuri me njëri tjetrin, por edhe me të tjerët për rreth. Javën që kaloi, njëra prej revistave më të lexuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Reader’s Digest, kishte botuar disa prej atyre që ajo cilësonte si ndër thëniet më të fuqishme të Nënë Terezes. Më poshtë po ju sjellë disa citime që unë përzgjodha nga burime të ndryshme e që i atribohen Nënë Terezës. Me rastin e shugurimit të katedrales kushtuar asaj në ceremoninë e 5 Shtatorit në Dardani, le të na shërbejnë fjalët e saja si frymëzim – nga misionarja dhe shenjtëresha shqiptare, Nënë Tereza e cila jetën e saj, respektin dhe dashurinë ua kushtoi më të varfërve të botës në të gjitha kontinentet dhe pa dallime fetare, politike ose ideologjike. Ndonëse, 20 vjet më parë ishte ndarë nga kjo jetë, Nëna jonë Terezë me trashëgiminë lënë pas, me veprën dhe me fjalët e saja, vazhdon të influencojë dhe të frymëzojë njerëzit vullnetmirë, anë e mbanë botës. Me rastin e shugurimit të Katedrales që mban emrin e saj në Prishtinë dhe me qëllim për të kujtuar dhe për të nderuar Nënë Terezën, bijën e kombit shqiptar dhe sipas shumë vërejtësve botërorë, humanisten më të madhe që ka njohur ndonjëherë bota, ja disa citime të cilat mund të na frymëzojnë që, sot dhe nesër, të bëhemi si njerëz dhe si shqiptarë, ndoshta pak më të mirë për veten tonë, pak më të dashur për familjet tona, për shoqërinë ku jetojmë dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi: 
“Në qoftë se nuk kemi paqe midis nesh, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”
“Në qoftë se gjykoni dhe paragjykoni të tjerët, atëherë nuk kini kohë për t’i dashur ata”
“Çdoherë që i buzëqesh dikujt, ky është një veprim dashurie, një dhuratë ndaj atij personi, një diçka shumë e bukur.” 
“Unë vetëm nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë për të krijuar shumë valëzime.”
“Fjalët e ëmbla dhe të njerëzishme mund të jenë të shkurtra dhe lehtë për tu shqiptuar, por jehona e tyre është me të vërtetë e pa mbarim.” 
“E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kështu që, ka mbetur vetëm e sotmja. Le të fillojmë” 
“Të jesh i kënaqur në momentin që jeton. Aq mjafton. Secili moment është aq sa kemi nevojë; nuk kemi nevojë për më shumë.”
“Del e shiko botën sot dhe duaj njerëzit që takon. Prania jote le të ndezë dritë të reja në zemrat e njerëzve.”
“Disa njerëz që takon gjatë jetës janë një bekim. Disa të tjerë janë një mësim.”
“Kurrë nuk je në humbje. Gjithmonë ke diçka për të mësuar nga çdo person që takon gjatë jetës tënde.”
“Një gjë që mund të marrë gjithë jetën për ta ndërtuar, dikush mund ta shkatërrojë brenda natës, por megjithëkëtë vazhdo të ndërtosh.
“Një të mirë që e bën sot, shpesh do të harrohet deri nesër. Por megjithëkëtë vazhdo të besh mirë”
“Në qoftë se je i ndershëm dhe i sinqertë, të tjerët do të përpiqen të të mashtrojnë, megjithëkëtë vazhdo të jesh i ndershëm.
“Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj.”
“Ndihmo një person njëherë e në një kohë dhe gjithmonë fillo me personin që është më afër teje.”
Këto janë vetëm disa nga qindra thënie të Nënë Terezës botuar në gjuhët më të mëdha të botës. Ato janë frymëzuese dhe nganjëherë provokuese, por që të bëjnë të mendojë njeriu se çka është e rëndësishme në këtë jetë. Ndonëse kurrë nuk lindi fizikisht fëmijë, Gonxhe Age Bojaxhiu, atë mbarë bota e njeh si Nëna Terezë. Këto thënie dhe shumë e shumë të tjera si këto janë për nga cilësia dhe nga përmbajtja sikur të dilnin nga goja e çdo nëne shqiptare. Këto dhe thënie të tjera të Nenë Terezës tregojnë dhe zbulojnë dashurinë e saj për të afërmit dhe për më të varfrit e kësaj bote, nënvizojnë mëshirën dhe dinjitetin e saj si grua dhe si nënë ndaj secilit person që ajo ka takuar gjatë jetës së saj në këtë tokë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave tepër modest në kujtim edhe të takimeve personale vite më parë, me të madhen e kombit shqiptar dhe të botës, Nënë Terezen.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal