Meri Lalaj: Në kampin e internimit në Tepelenë

379
Kur ishte i vogël, as trevjeçar, Agronin e hipën në karrocerinë e një kamioni bashkë me gjyshe Adilenë dhe gjyshin e i degdisën në kampin e të internuarve në Tepelenë. Aty ndodheshin edhe qindra e qindra të internuar të tjerë, të afërmit e të cilëve ndodheshin nëpër burgje të dënuar si armiq të pushtetit popullor. Një ditë prej ditësh, atje në Tepelenë, gjyshe Adileja e ngriti hopa në krahë nipin e vogël dhe ia mbështeti kokën pas gjinjve të vet të bollshëm. Flokët e tij thuajse në ngjyrën e qumështit u përhapën përmbi fustanin e saj sterrë të zi, teksa sytë e saj ishin ngulur e po vështronin qafën e tij të hollë ku rrihte një damar i kaltëremë. Adileja u drodh duke mërmëritur me vete: “Si zog i plagosur. Mjera, unë e mjera, për nipin tim të vetëm! Larg qofsh, moj vdekje e mallkuar!” E shtoi me zë: “M`u thaftë gjuha, çfarë them kështu!” Doemos gjyshe Adileja e kish shpirtin të trembur, sepse aty në kamp pat rënë një epidemi barku e patën vdekur tre a katër fëmijë po atë javë. Edhe vogëlushin e pat hequr barku e ishte fare i këputur që nga nata e kaluar. Adileja e shtrëngoi edhe njëherë të nipin në krahët e saj të fuqishëm duke menduar: “Nuk të le nëna ty të sëmurë se të kam shpirt e zemër!” U fut në barakë dhe e shtriu djalin mbi një batanije e la ashtu të përgjumur e të përhumbur. Doli jashtë rrëzë telave me gjemba të kampit mblodhi disa shkarpa e bluashka dhe ndezi zjarr, përmbi dy gurë vuri një tenxhere të vogël me ujë e pastaj eci rreth e rrotull kampit andej e këtej ku kishte parë gjethet dhe kallinjtë e dellit këputi disa syresh dhe i futi në enën që të zienin. Filloi që t’ia japë këtë çaj, si edhe ujin e zier me pak kripë e sheqer e pasdite vonë vogëlushi sikur u gjallërua e i hapi sytë. Me pak miell, që u pat mbetur e përzjeu me ujë dhe brumin e hollë me dy kokrra kripë e shtroi në tigan dhe bëri dy pite, me to e ushqeu nipin duke i futur copa të vogla herë pas here në gojë, duke e mëkuar porsi zog e duke i thënë më të ëmblat fjalë të gjuhës shqipe. Po atë natë ndërsa vogëlushi po flinte i qetë u dëgjuan krisma. Policët e kampit vranë dikë, që donte të arratisej. Agroni u lebetit dhe filloi që të trembej në gjumë. Dhe i ngeli kjo trembje, ky makth për tërë jetën.