Mehdi Pogaçi: Marrëveshja Gjunkshi-Çako, inskenim politik

187

Reagim/ President i ShKURSH reagon për marrëveshjen e bërë midis shefit të FA-së dhe AKUSH-it

 

Në datën 13 Qershor, në një nga ambientet e Shtëpisë së Ushtarakëve në Tirane është firmosur një marrëveshje midis Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, zotit Gjunkshi dhe të ashtuquajturës Aleancë Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, përfaqësuar nga Kujtim Çako. Kjo marrëveshje propagandohet si një bashkëpunim i shoqatave të ushtarakëve në çështjet që kanë të bëjnë me ushtarakët në rezervë dhe me veteranët.  Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (ShKURSh), e njohur nëpërmjet masmedias me këtë marrëveshje, e denoncon atë si një inskenim politik. Marrëveshja në fjalë nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje politike e bërë në prag zgjedhje nga segmente te pushtetit me një shoqatë, e cila, në të gjitha momentet e rëndësishme për ushtarakët, është  gjendur gjithmonë në krahun e Qeverisë. Për këtë, duam t’u kujtojmë edhe një herë ushtarakëve se:

· Në vitin 2007, drejtues aktualë të kësaj shoqate kundërshtuan dhe nuk lejuan realizimin e një marrëveshje për pensionet mbi bazën e gradave;

· Në vitin 2009, në kulmin e protestave të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, realizuan një çarje të Shoqatës për të ulur forcën goditëse të saj dhe për të dalë në krah të qeverisë, duke u bërë thirrje anëtarëve të të ashtuquajturës Aleancë Ushtarake për të mos marrë pjesë në protestat për mos lejimin e miratimit të Aktit Normativ famëkeq. Në një kohë që grupi parlamentar i PS, megjithëse e kishte bojkotuar Parlamentin,  për hatër të ushtarakëve, mori pjesë në të  dy seancat për të parandaluar miratimin e Aktit Normativ, Akt i cili u miratua për shkak të qëndrimit të disa partive të tjera, Aleanca Ushtarake e zotit Cako, jo  vetëm nuk denjoi të merrte pjesë në protesta, por mori në telefon çdo anëtar të saj, që ishte prezent në protestë, të largohej prej saj;

· Pas miratimit të Aktit Normativ dhe vendimit pozitiv nr. 33  të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të zgjedhur në organet drejtuese të kësaj  aleance, bën një akt formal, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për gjoja shfuqizimin e Aktit Normativ, duke e ditur shume mirë se kërkesa e tyre do të rrezohej. Dhe ashtu ndodhi, duke i dëmtuar ushtarakët aktivë dhe ata në pension të parakohshëm më shumë se çdo ligj i bërë deri tani nga qeveria Berisha.

· Pas vendimit Gjykatës Kushtetuese, nr. 2 të vitit 2013, shumica e ushtarakëve, punonjësve të policisë së shtetit, të shërbimit informativ, etj. thonë me bindje se përfaqësuesit e asaj shoqate çdo gjë e kanë bërë nën miratimin e organeve përkatëse dhe direkt të qeverisë aktuale.

· Së fundmi, me realizimin e kësaj marrëveshje, në prag zgjedhjesh, tregon qartë qëndrimet politike të kësaj shoqate.

Zotit Gjunkshi, me të marrë detyrën, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë i ka drejtuar një letër me vërejtje për të ashtuquajturin legjislacion të ri që duan të bëjnë, legjislacion i cili i shkel rëndë të drejtat e ushtarakëve të fituara me ligjet e deritanishme, sidomos të atyre që janë dhe do të jenë në pension të parakohshëm. Për këtë letër dhe të tjera, Gjunkshi nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare apo jo zyrtare. Ndërkohë, për shkak të vërejtjeve tona dhe frikës prej reagimit të ushtarakëve, e kanë shtyrë miratimin e tyre. Marrëveshja me të ashtuquajturën Aleancë Ushtarake nuk është gjë tjetër veçse nevoja për të pasur një miratim gjoja nga ‘’ushtarakët në rezervë e në pension’’. Ushtarakët e kanë të qartë se një fitore tjetër  4 vjeçare e kësaj maxhorance do të realizojë menjëherë legjislacionin e mbrapshtë të përgatitur dhe ushtarakët do të gjenden më keq nga sa janë, ligjërisht dhe financiarisht. Zoti Gjunkshi, nga momenti i marrjes së detyrës, si vegël e bindur e politikës, është përpjekur të përçajë ushtarakët, duke kërkuar të balancojë Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë me këtë të ashtuquajtur Aleancë Kombëtare Ushtarake, të përbëre me tepër me ish kuadro të kohës së monizmit dhe që janë mësuar t’i shërbejnë, pa skrupuj, çdo lloj pushteti. Kjo marrëveshje, e bërë në prag të zgjedhjeve politike, nëpërmjet manipulimit të shoqatave fantazmë, tregon për përzierjen e drejtë për drejtë në politikë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjë e cila i ndalohet me ligj. Gjithashtu, zoti Gjunkshi, nuk merr parasysh marrëveshjen tre paleshe të bashkëpunimit që Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, anëtare e Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezerve të NATO-s, ka me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, që nga viti 2004 dhe pikat e së cilës janë në fuqi dhe zbatohen nga palët sot e kësaj dite. Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, angazhohet se, pas 23 Qershorit, do të kërkojë largimin e tij nga detyra, si dhe do të bëjë kallëzim penal për zotin Gjunkshi, për çështjet që kanë të bëjnë me akuzat e ngritura nga Weekyleaks, për përdorimin e mjeteve dhe forcave ushtarake në fushatën elektorale dhe problemin e përçarjes së ushtarakëve.

Mehdi Pogaçi

President i ShKURSH