Mehdi Pogaçi: “Fyerja që Saimir Tahiri u bëri kapterëve është një turp i madh edhe për familjen e tij!”

667
Sigal

Dje, duke ndjekur seancën e Parlamentit Shqiptar,  çuditërisht, dëgjova të dilte nga goja, them goja, shprehjen e zotit Tahiri për Presidentin e Republikës. U befasova, u shtanga, u indinjova dhe u ndjeva i fyer si qytetar, si votues, si intelektual dhe si ushtarak në rezervë. U shtanga si qytetar se nuk prisja që një deputet, i cili prezumohet se ka kulturë bashkëkohore perëndimore, të fliste me të tillë apelativë për Presidentin e Republikës, i cili është figura më e lartë e shtetit. U shtanga si votues, se si ka mundësi që një deputet i Parlamentit shqiptar lëshon shprehje përçmuese për Presidentin e Republikës, gjë e cila nuk mund të ndodhë në asnjë vend euroatlantik, përveçse në republikat e bananeve. U indinjova si intelektual se si ka mundësi që, për më tepër  nga foltorja e Parlamentit, një deputet, pjesë e pushtetit ligjvënës, të flasë kështu për Presidentin e Republikës. Ne një vend evropian do të kishte ndodhur një tërmet i vërtetë politik, juridik, social, pasi Presidenti, sipas Kushtetutës, është Kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, Presidenti është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, është, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. U ndjeva i fyer si ushtarak në rezervë, pasi çfarëdo grade në Forcat e Armatosura është gradë e nderuar dhe askush nuk ka të drejtë ta ofendojë. E përdorur si sprexhiativ për të gjithë ushtarakët shprehja bëhet edhe më e rëndë. Për më tepër, zoti Tahiri, me sa kam unë dijeni, rrjedh nga një familje ushtaraku dhe nuk mendoj se para ardhmit e tij, meqenëse nuk kanë qenë ”kapterë”, t’ia kenë shtirë në gjak përçmimin dhe ofezën për kolegët e vet të gradave minore. Për sa me sipër, më vjen keq dhe nuk mund ta imagjinoj se si flet më përpara goja se mendja e një deputeti, cila është e reja që brezi i politikaneve të rinj po i sjell Shqipërisë? Fatkeqësisht, në këto vite të demokracisë, ushtarakët kanë vuajtur më tepër, jo thjesht nga mungesa e kujdesit, por më tepër nga padrejtësitë që u kanë bërë fëmijët politikanë të ushtarakëve. Për sa më sipër, në emër të ushtarakëve, i apeloj zotit Tahiri t’u kërkojë falje publike ushtarakëve, sidomos ushtarakëve të nderuar dhe të palodhur të gradave të ulëta për ketë ofendim, ndërsa Presidenti i Republikës dhe stafi i tij, e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë. Grupi i ushtarakëve në Parlament, i të gjitha krahëve, duhet të protestojë për këtë gjest anti-ushtarak. Dhe kësaj here nuk dua t’i hyj në analizë shprehjes, pasi dihet që shprehja është pasqyrë e botëkuptimit dhe mendimit për këtë grupim të nderuar qytetarësh, për pasojë edhe e trajtimit të tij prej politikës. Le të shpresojmë se është hera e fundit që një deputet ofendon ushtarakët jo vetëm nga foltorja e Parlamentit, por edhe më gjerë, pasi do të përballet me tërë atë grupim ushtarakësh të nderuar, të cilët kanë vënë, venë dhe do të venë gjithmonë në plan të parë interesat e Atdheut dhe të popullit.

Kolonel në rezervë Mehdi Pogaçi, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë

_____________________________________________________________________________________

DEPUTETI I PS-SË, SAJMIR TAHIRI E CILËSON PRESIDENTIN SI “KAPTER”

Deputeti i PS, Sajmir Tahiri në debatin për simbolet dhe flamurin në seancën e djeshme plenare të Kuvendit, përdori një fjalor tepër banal, fyes krahasues për Presidentin e Shqipërisë, duke e krahasuar me “kapter”. Midis të tjerave, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri tha se zëdhënësja e PD,-së flet nga selia e kësaj partie duke mbajtur pas një shqiponjë që nuk merret vesh nëse është shqiponjë apo rosë. “Këtu kam edhe foton e kapterit në presidencë që pas krahëve ka flamurin e deformuar me gjysmë sqepi dhe gjuhë të gjatë”.