Mehdi POGAÇE / SHKURSH dhe rruga e saj në vigjilje të 100 -vjetorit të Ditës së Pavarësisë

61

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë – SHKURSH është themeluar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Faktit Tiranë më 8 Prill 1996. Qëllimi kryesor i Shoqatës, që në krijimin e saj, ka qenë lufta për të mbrojtur të drejtat social-ekonomike të ushtarakëve, të liruar mbas vitit 1992 për shkak të reformave të Forcave të Armatosura. Kjo luftë dhe këto përpjekje bënë të domosdoshme, sidomos mbas vitit 1996 kohë kur qeveria e djathtë, pasi i kishte flakur në rrugë, u hoqi ushtarakëve dhe atë pak asistencë që merrnin, krijimin e një organizimi në mbrojtje të të drejtave të mohuara. Kalimi i pushtetit nga e djathta në të majtë, në vitin 1997, nuk solli ende asgjë të re, përsa u përkiste pensioneve të ushtarakëve të liruar. Kjo bëri që lufta e Shoqatës për të drejtat e ushtarakëve të ashpërsohej, duke çuar në përpjekje për të protestuar. Tentativat për protesta u shuan menjëherë nga qeverisja e majtë dhe një pjesë e drejtuesve u ndaluan dhe u proceduan nga policia dhe u dënuan nga gjykatat me dënime me kusht. Sidoqoftë, viti 1999, solli fillimin e zbatimit të ligjeve për pensionet e ushtarakëve, duke marrë parasysh ligjin 8087 të vitit 1996, të ndryshuar në vitin 1999. Por edhe në atë kohë, edhe më vonë, ligji në fjalë nuk u zbatua ashtu siç shprehej në dispozitat ligjore të neneve përkatëse të tij. Ushtarakëve në pension iu akordua dhe filloi t’u jepej pension minimal, duke mos u njohur atyre as pagën, as gradën apo detyrën dhe as vjetërsinë në shërbim. Ky ishte një diskriminim i hapur i ushtarakëve të liruar dhe të dalë në pension të plotë pleqërie. Po ashtu, ushtarakëve në rezervë filloi t’u jepej një pension i barabartë me pensionin maksimal të asaj kohe. Asnjëri nga pensionet, as ai i pleqërisë dhe as ai i parakohshëm nuk përputheshin me masën që përcaktonte ligji dhe nuk plotësonin kërkesat e ushtarakëve në pension dhe në rezervë. Lufta dhe përpjekjet e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe nevoja për të garantuar votat e ushtarakëve çuan në hartimin dhe miratimin në fillim të vitit 2004 të ligjit bazë për detyrat dhe të drejtat e ushtarakëve, ligji nr. 9210 “Për statusin e ushtarakut të FA në Republikën e Shqipërisë”. Por ky ligj nuk e pa dritën e zbatimit të tij deri sot e kësaj ditë. Përkundrazi, gati mbas një viti, qeveria socialiste, hartoi dhe miratoi ligjin nr. 9418, i cili nuk i  përcaktonte më të drejtat e ushtarakëve në atë shkallë që përcaktonte statusi i ushtarakut, por i cenonte ato. Ligji u miratua gati me unanimitet, me përjashtim të dy-tre votave kundër të së majtës në pushtet, pasi Shoqata përdori lobingun edhe me të djathtën për miratimin e ligjit. Por megjithë votat e dhëna, e djathta, pas ardhjes në pushtet, një nga ligjet e para që shfuqizoi ishte pikërisht ligji i mësipërm, duke hartuar dhe miratuar  ligjin nr. 9481, ligj i cili përkeqësonte më tej të drejtat për pension të përfituara nga ligji i mëparshëm. Ky veprim bëri që Shoqata t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin e saj nr. 9 të shkurtit 2007, nuk lejonte ndarjen e ushtarakëve në dy kategori, ku njëra përfitonte të drejta me ligj, ndërsa tjetra jo. Qeveria e PD-së, jo vetëm që nuk e mori parasysh këtë vendim, hartoi dhe miratoi në qershor 2009, ligjin nr. 10142, i cili “gjoja” zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por, në fakt vijonte rrugën  e ndërmarrë nga qeveria e djathtë për përkeqësimin e të drejtave të ushtarakëve të fituara me ligjet e mëparshme. Qëndrimi i qeverisë së djathtë ishte tashmë i qartë kundër të drejtave të ushtarakëve. Shoqata, përsëri nuk u pajtua me gjendjen dhe iu drejtua për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve të tij. Përsëri, në qershor 2010, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vet nr. 33 bëri korrigjime esenciale të disa neneve të ligjit 10142. Por në një shtet ku nuk sundon ligji por “Maliqi” përsëri askush nuk pyeti për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me VKM nr. 793 dhe Aktin Normativ të dhjetorit 2010 iu dha goditja vendimtare të drejtës së pensioneve të ushtarakëve, duke i ulur pensionet e parakohshme në nivelin minimal dhe duke i shpallur ushtarakët në rezervë, në kundërshtim me vendimin nr.33 të Gjykatës Kushtetuese, edhe debitor nga data 1 korrik 2009.  Gjatë periudhës 2007 e deri në dhjetor 2010, kundër miratimit dhe kthimit në ligj të Aktit Normativ, Shoqata ka organizuar disa protesta. Fillimisht protestat ishin më të fuqishme, por u zbehen pak nga pak, pasi dikush mendonte se me një, dy apo tre protesta do të ndryshohej gjithçka; dikush tjetër kishte frikë për vete apo familjaret e tij që ishin në marrëdhënie pune dhe një pjesë tjetër e ushtarakëve ishte dhe është indiferente. Ndërkohe, një praktike e re, e papërdorur deri në vitin 2005-2006, filloi të vihej në zbatim, nëpërmjet zhvillimit të gjyqeve individuale. Fillimisht ushtarakët ishin skeptikë dhe një pjesë e mirë, fatkeqësisht, janë ende të tillë, por pak nga pak filluan të kuptojnë se ishte dhe është një nga rrugët më të sigurta, edhe pse e ngadaltë, për të fituar edhe individualisht të drejtat e përftuara me ligj. Kjo rrugë të jep të drejtën t’i drejtohesh, individualisht, edhe Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, SHKURSH ka pasur një ecje përpara. Në vitin 2002 ajo u pranua me statusin e vëzhguesit në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s (CIOR), në vitin 2005 përftoi statusin e anëtarit të asociuar dhe nga 4 Gushti 2009 u bë anëtare me të drejta të plota e këtij organizmi të NATO-s. Gjate kësaj periudhe, Shoqata ka pasur edhe mbështetjen morale dhe konsulencën e CIOR. Presidenti i Shoqatës është njëkohësisht dhe zv.president i CIOR dhe disa nga anëtaret e Bordit Ekzekutiv janë anëtare të Komisioneve të CIOR. Në këto vite, politika ka përdorur dhe ka fituar nga e drejta e votës së ushtarakëve, por asnjëherë nuk u ka dhënë atyre atë që meritojnë, pavarësisht se me ligj e gëzojnë. Njëra palë, e majta, ka bërë ligje të mira, por nuk i ka zbatuar ato, ndërsa pala tjetër, e djathta, më agresive ndaj tyre, i ka transformuar e përkeqësuar ligjet, duke i shkelur të drejtat ekonomiko-financiare të ushtarakëve. Sidoqoftë, Shoqata, edhe në të ardhmen, do të vazhdojë të luftojë, me të gjitha mjetet, rrugët dhe mënyrat demokratike që parashikon ligji për te drejtat e ushtarakëve. Ndërsa ushtarakët, së bashku me familjaret e tyre, për të cilët askush nuk pyet, së bashku me pjesët më të mira të politikës dhe të shoqërisë civile, mund dhe duhet të bëjnë më shumë edhe për demokracinë, shtetin ligjor, popullin dhe Atdheun e tyre.