Mehdi DEMA/Pas një izolimi

542
Sigal

Të qenurit për shumë vite nën sistemin diktatorial, që imponoi vullnetin e popullit, të bënte “amin” për çdo direktivë që vinte nga lart, ka lënë pasoja që ndoshta do t’i vuajmë edhe gjatë. Populli që voton, duhet edhe t’u kërkojë llogari të votuarve për votën që u ka dhënë. Në prag-zgjedhje, qoftë vendore apo qendrore, të mos mashtrohemi, si para dekadash, nga sloganet e bukura në dukje, por të shohim më thellë, në besueshmërinë dhe vërtetësinë e realizimit të premtimeve

   Një shprehje e urtë thotë: “Nga ai që nuk di, dhe kujton se di, largohu. Atë që di dhe e di që di, ndiqe”. Sado mendje i/e ndritur të jesh, po qe i mbyllur si në kafaz dhe pa informacion, do të mbetesh gjysmak. Historikisht, mendjet e ndritura shqiptare, janë zhvilluar dhe shpërthyer duke u përballur me eksperiencën e përparuar botërore. Edhe i dikurshmi, “kurbet i zi”, krahas shumë të këqijave që e pasonin,  kish dhe një të mire: ata që mundeshin të riktheheshin në atdhe, do të sillnin me vete, bashkë me stërmundimin, edhe përvojën e mirë të vendeve të tjera.

Jo pak mendje të ndritura shqiptare sollën në atdhe përvojën  botërore, por jo vetëm kaq; mbas kualifikimeve në vendet më të përparuara, edhe shkëlqyen duke lënë edhe atje mjaft vepra me vlera botërore. Si i madhi Aleksandër Moisiu, Sami  Frashëri, Arkitekt Sinani, Jan Kukuzeli, etj…

Për më se dyzet e pesë vite, rrethimi i madh me tela me gjemba, na izoloi nga përvoja e mirëfilltë, në komunikim direkt me të përparuarën botërore. Për dekada të tëra informimi mediatik me përvojën e përparuar botërore qe mollë e ndaluar. Komunikimi telefonik apo me letra qenë të censuruar. Nëse të shpëtonte qoftë edhe një fjalë e vetme “e pa menduar mirë”, mund të kishe pasoja të paparashikueshme.

Për të qenë sa më larg me botën e jashtëkufijve shtetërorë, të ndalohej edhe vajtja për vizitë në zonat buzëkufitare. Shumë familje u detyruan të largohen nga këto zona. Në se kishe punë apo do të duhej të shkoje te ndonjë mik, në zonë kufitare, ishe i detyruar të pajiseshe me leje të posaçme; në të kundërt, mund të akuzoheshe për tentativë arratisjeje. Shqipëria shtetërore ishte si një ishull, e kufizuar jo nga uji, por nga toka shqiptare. Shqiptarët ishin sa afër aq edhe shumë larg nga gjaku i tyre përtej kufijve shtetërorë; ndërsa distanca me  vendet e përparuara, të dukej vite dritë larg.

Liderët e sistemit më të egër diktatorial, për të siguruar pushtetin vetjak, eliminuan individët më të mirë të shkolluar në perëndim. Bashkë me ta u gropos edhe përvoja përparimtare që bartnin. Familjet apo të afërmit e tyre, nëse i shpëtonin eliminimit fizik, internoheshin dhe denigroheshin. U eliminua edhe përvoja më e mirë e trashëguar nga familjet e mëdha.

Në vazhdimësi, edhe shumë nga ish të besuarit e tyre, të cilët i shkolloi jashtë izolimit të madh, që rrezatonin sado pak zhvillim perëndimor, u eliminuan apo denigruan. U eliminua edhe edukata fetare. “Feja është opium për popullin”, qe motoja për shkatërrimin e institucioneve fetare; për denigrimin, deri në eliminim fizik të predikuesve për të gjitha fetë. Kishat, xhamitë, teqetë shiheshin jo me sy të mirë, sepse vetëm atje individi mund të ndihej i lirë dhe në harmoni, duke i u lutur Zotit për ditë më të mira. Kjo gjë s’i pëlqente partisë-shtet. Slogani: “Partia mbi të gjitha”, donte të thosh se dhe “Zot” ishte ajo vet.

Krahas këtij izolimi të madh, jo më pak i dëmshëm për zhvillimin e vendit ishte edhe ai, që unë do ta quaja “izolimi i vogël ”. Politika  “përçaj e sundo”, e partisë-shtet, shkatërroi marrëdhëniet e mira mes njerëzve. Ra mikpritja, u prish besa; vyrtyte këto dalluese për shqiptarët. Komshiu yt, në se do të kishte ndonjë cen (kupto shihej me sy jo të mirë nga partia –shtet), duhej të abandonohej nga të gjithë; në të kundërt do të konsideroheshe si përkrahës i të “keqit”. E njëjta gjë mund të ndodhte edhe me shokun, me kushëririn, me motrën a vëllanë. Kur flisje me dikë, të qe imponuar autocensura. U censurua edhe edukata brenda në familje. Jo rrallëherë, nga ish-sigurimi i shtetit, provokoheshin edhe fëmijët e vegjël, prandaj në bisedat në familje shmangeshin fëmijët. Fjala “më e mirë” dhe e “pa gabuar”, duhej të ish  ajo e “nënës parti”. Që në arsimin parashkollor, fëmija do të mësonte: “ Kam tri nëna, o fëmi, një në kopsht, një në shtëpi, një e kam këtu në gji; ajo është nëna parti”. Disharmonia mes individëve shihej si komponent me vlerë dhe i domosdoshëm në luftën për një pushtet të fortë. Shpesh kjo disharmoni imponohej nga levat e diktaturës, duke shpifur të paqena, atje ku shihej se kish harmoni. Edhe infrastruktura e dobët e favorizonte politikën “përçaj e sundo” të partisë-shtet. Mundësitë e komunikimit edhe brenda vendit ishin të disfavorshme. Në rrethe, për të shkuar tek një mik, apo për të kryer ndonjë hall, diku 20-30 km larg, duhej t’u besoje më mirë këmbëve, se automjete nuk kish. Të siguroje një taksi për nuse, duhej të interesoheshe muaj më parë. Po të kishe ndonjë hall, për të shkuar, për shembull nga Peshkopia në Tiranë ose anasjelltas, duhej të interesoheshe me ndonjë mik, ditë më parë, që të siguroje një biletë autobusi. Të mendoje për një turne nga lindja në perëndim, apo nga veriu në jug të Shqipërisë, ishte veçse një ëndërr e parealizueshme; lere pastaj, që do të futeshe në “rreth të kuq” nga sigurimi i shtetit, si person i dyshimtë dhe do të shoqëronte përndjekja. Prandaj, për të lëvizur nga një vend në tjetrin, duhej të mendoheshe mirë, për të përballuar vështirësitë dhe pasojat. Komunikimi me telefon vetëm në qytete apo qendra Urbane ishte i censuruar.

Shqipëria të dukej shumë më e madhe nga ç’është në të vërtetë.

Liderët e diktaturës deklaronin: “Shqipëria, një kopsht i lulëzuar në Ballkan”, etj. Sa kontradiktore këto deklarime me realitetin e shpirtrave të burgosur! E gjithë Shqipëria, ishte një burg i madh. Më saktë, një ferr si ai i Dantes.

Për t’u  shkëputur nga ky terr,  u deshën dekada. Fatkeqësisht ne qemë më të vonuarit në rajon, ndoshta si dëshmi e trysnisë së një diktature më të egër se në vendet e tjera.

Po pas diktatura? Mund të numërojmë plot mangësi, aq më tepër në këtë periudhë krizash botërore, por, në se do të doja të shprehesha me pak fjalë, do të thoja:

Tani Shqipëria të duket shumë më e vogël nga ç’na dukej vite më parë. Ndërsa distanca me vendet e përparuara, që dikur na dukej vite dritë larg, tani është bërë e barabartë me distancat brenda vendit.

Migrimi pa barrierat e dikurshme, ndonëse fillimisht pa kriter, bëri që gjithkush të gjejë vetveten. Komunikacioni mori zhvillim të paparë, falë dhe emigracionit të dhimbshëm. Zhvillim të paparë mori ndërtimtaria. Zhvillimi infrastrukturor shkurtoi distancat dhe kohën e harxhuar. Arteriet rrugore, urbane e interurbane, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, kanë përshpejtuar shkëmbimet ekonomiko-kulturore brenda dhe me jashtë vendit.

Por e paparashikueshmja, ndërtimi i “Rrugës së kombit” dhe liberalizimi i lëvizjes drejt vendeve fqinjë dhe në gjithë zonën Euro, qe një hop i madh drejt zhvillimit të vrullshëm ekonomik e kulturor. Tani pa problem mund të ngrihesh në mëngjes, të shkosh për një vizitë, apo për të ngrënë një drekë në secilin nga vendet fqinjë dhe në darkë të kthehesh në shtëpi. Nuk është për t’u çuditur se kështu mund të bësh me secilin vend europian. Natyrisht, pas gjithë këtyre viteve, duhej të kishim arritje shumë më të mëdha nga ç’kemi. Duhet të kishim akoma më shumë rrugë me standarde, akoma më shumë energji të rinovueshme, akoma më shumë lëndë energjetike, akoma më shumë prodhime bujqësore e blegtorale dhe më cilësore, mjedise të pastra, kulturë shërbimi, kulturë komunikimi e bashkëpunimi. Duhet një ndarje më reale pushtetesh dhe sistem drejtësie që të justifikojë emrin e bukur që ka. Mungesa e bashkëpunimit ndërpartiak, për problemet me rëndësi të veçantë kombëtare, rendja pa principe drejt pasurimit të shpejtë, me të gjitha mënyrat e format, duke kapërcyer të gjithë kufijtë moralë, kanë frenuar, shpesh dhe stopuar, zhvillimin ekonomik, moral e kulturor të vendit.  Alfa dhe omega e frenimit të reformave dhe zhvillimit në tërësi, është politika dhe politikanët, me egërsinë e trashëguar dhe luftën e ashpër për pushtet. Kundërshtarët politikë, çdo arritje në vend përpiqen t’ia faturojnë vetes dhe çdo mosarritje t’ia faturojnë kundërshtarit politik. Ndër shembujt më të këqij, do të përmendja: Shkatërrimet në vitin 1997 dhe bllokimin e “Statusit Kandidat për në Bashkimin Europian”, në vitin  2012. Për këtë frenim, nuk shfajësohet as dhe masa e gjerë e popullit, që rëndomë thuhet se “populli e meriton qeverisjen që ka”. Të qenurit për shumë vite nën sistemin diktatorial, që imponoi vullnetin e popullit, të bënte “amin” për çdo direktivë që vinte nga lart, ka lënë pasoja që ndoshta do t’i vuajmë edhe gjatë. Populli që voton, duhet edhe t’u kërkojë llogari të votuarve për votën që u ka dhënë. Në prag-zgjedhje, qoftë vendore apo qendrore, të mos mashtrohemi, si para dekadash, nga sloganet e bukura në dukje, por të shohim më thellë, në besueshmërinë dhe vërtetësinë e realizimit të premtimeve. Paraprijëse për këtë duhet të jenë shoqatat jo qeveritare, mjerisht edhe ato, jo në nivelin e duhur.

Dua ta mbyll këtë shkrim me dy shprehje të urta të mësuesit “Popull”: “ Mos i shih gunën, por shihi punën !” dhe “ Kujdes nga zengjini i ri ” !