Me skllevër nuk bëhet dot asnjë universitet

239

Akademik Artan Fuga

Studentët nuk janë skllevër, ata duhet të kenë të drejta!

( Përgjigje një grupi studentësh që kërkojnë të pajisen me dokumentin e diplomës!)

Përshëndetje profesor!
Uroj të jeni mirë dhe punët t’ju kenë shkuar mbarë!
Kërkoj ndjesë për shqetësimin, por dua të ndaj diçka me ju, në emër të një grupi studentësh.
Para disa ditësh postuam në portale një letër për rektorin e Universitetit të Tiranës, dhe gjithashtu ia nisëm edhe atij letrën. Disa portale nuk e pranuan, por gjithsesi arritëm ta postonim. Rektori na ktheu përgjigje “pozitive”, duke na thënë se do të mundohej sa më shpejt ta zgjidhte problemin, për të cilin nuk ishte në dijeni. Ajo çka na bëri përshtypje pas kësaj, ishte se, në facebook na erdhi një njoftim që dëshmonte se ky postim ishte i padëshiruar për disa njerëz dhe duhej të fshihej. Nuk e dimë kush mund ta ketë bërë, por fatmirësisht postimi vazhdon të jetë. Edhe diçka tjetër, vumë re se shumica e profesorëve tanë nuk reaguan. Me mosreagime të tilla jemi mësuar, por në këtë rast nuk e prisnim.
Kemi nevojë për mendimin tuaj.
Letrën po jua dërgojë poshtë.
Faleminderit! ( A. L.)

Studentët mbarojnë studimet në universitetin e Tiranës, por nuk pajisen me diplomë. Askush nga përgjegjësit nuk interesohet, madje, as sqarime nuk japin. Studentët kërkojnë të drejtën, por  gjejnë edhe disa dyer të mbyllura. Shqetësimin e tyre studentët e adresojnë tek profesori i tyre, Akademiku Artan Fuga, i cili menjëherë reagon, duke iu përgjigjur publikisht edhe studentes Anxhela: Studentët nuk janë skllevër, ata duhet të kenë të drejta në sistemin universitar publik dhe privat

Përshëndetje Anxhela,

E mora shënimin tënd që ma dërgoje bashkë me letrën tuaj, të një grupi studentësh, drejtuar rektorit të Universitetit të Tiranë, ku kërkonit që studenti, pas diplomimit, të merrte pa vonesë dokumentin e diplomës përkatëse. Ndonëse më drejtoheni në mesenxher, unë po përgjigjem publikisht, hapur, sepse kështu parapëlqej, por edhe sepse çështja që ngrini është me interes për të gjithë studentët, si edhe sepse ju letrën drejtuar rektorit të UT e keni bërë publike.

Për sa më keni shkruar po ju komunikoj këtë qëndrim personal:

  1. Kërkesa e studentëve për të marrë menjëherë dokumentin e diplomës pas përfundimit të studimeve përkatëse është plotësisht e drejtë. Për këtë nuk ka asnjë justifikim as ekonomik, as financiar, as burokratik, që të realizohet menjëherë në të gjitha universitetet shqiptare. Unë mendoj madje që duhet parashikuar edhe afati sa më i shpejtë brenda të cilit studenti pasi shlyen të gjitha detyrimet pajiset me këtë diplomë si edhe rregulla të tjera lidhur me këtë procedurë.
  2. Meqë ju kërkoni edhe mendimin tim për letrën tuaj drejtuar rektorit të UT, them se bëni shumë shumë mirë që paraqisni kërkesat tuaja. Poqese do të ma kishit kërkuar këtë mendim dhe ndihmesë më parë, pra paraprakisht, do të kishte qenë në kohën e duhur, sepse vërtet do të kisha dhënë edhe disa mendime se ku të drejtoheshit me efikasitet paraprakisht, si ta përcillnit letrën tuaj, si edhe si ta shkruanit atë me argumente më të forta dhe me një stil edhe më adekuat e pa shtesa ideologjike në të tilla raste. Por, pavarësisht këtyre, thelbi i letrës suaj është një kërkesë e drejtë. Është shumë mirë që zoti Rektor u ka dhënë angazhimin e tij për zgjidhjen e saj dhe besoj se kështu do të ndodhë.
  3. Ju u shprehët se disa portale nuk e publikuan letrën tuaj, madje edhe profesorë tuaj, vini në dukje, nuk kanë reaguar ndaj shqetësimit tuaj. Këtu nuk duhet të mërziteni dhe të bini në pesimizëm. Është e drejta e portaleve që të botojnë ose jo dokumente, kërkesa, letra etj. Por, mos mendoni që diçka që ka rëndësi për ju, ka rëndësi të njëjtë edhe për botuesit e portaleve. Kjo është “abc” – ja e komunikimit. Ndërkohë, me të drejtë kërkoni një ndjeshmëri më të madhe nga ne pedagogët. Drejt e keni! Por, në këtë rast, mos e merrni për indiferentizëm. Unë jam i bindur se të gjithë pedagogët e konsiderojnë shumë të drejtë kërkesën tuaj. Por, jo të gjithë kanë mundur të njihen me të. Unë vetë u njoha me të kur ma adresuat kërkesën tuaj në mesenxher. Aq më shumë që kjo është punë e administratave dhe kancelarëve dhe jo e pedagogëve.
  4. Unë problemin tuaj e mora vesh pasi ju më shkruat drejtpërdrejt. Prandaj, sapo u vura në dijeni, po reagoj menjëherë në të mirë të plotësimit të së drejtës që studenti të pajiset shpejt e pa vonesa me diplomën përkatëse. Ju jap fjalën që në mbledhjen më të parë të senatit akademik, nëse problemi nuk është zgjidhur deri atëherë, do ta ngre me peshën e vet këtë problem. Kam bindje gjithsesi se administrata do ta ketë zgjidhur problemin deri atë ditë.
  5. Përtej çështjes tuaj, shumë e rëndësishme, unë dua të tërheq vëmendjen tuaj si edhe të të gjithë studentëve të universiteteve të Shqipërisë, që të bëhen aktivë dhe të dalin nga gjendja e skllavërisë moderne, sepse të drejtat e tyre janë fare të zbehta në ligjin për arsimin e lartë.

Unë kam ngritur me forcë që edhe në projektin statutin e UT që po debatohet prej muajsh në senatin e UT, të drejtat e studentëve dhe ato të pedagogëve janë pothuajse inekzistuese.

Me këtë nuk pajtohem dhe as do të pajtohem kurrë!

Unë nuk do të pajtohem kurrë me këtë gjendje të turpshme. Ngaqë studentët nuk kanë të drejtat e duhura, vijnë edhe shqetësime si ky i juaji. Unë jam edukuar me frymën e revoltave studentore të vitit 1968 në Evropë ku veç të tjerave, ata kërkuan të drejta për rininë kundër abuzimeve nga ana e burokracive politike dhe administrative të çdo sfere dhe niveli. Në projekt-statutin e paraqitur nga ana e grupit të punës gati thuhet që studenti ka vetëm të drejtë të studiojë!!!

Kjo është detyrë edhe jo e drejtë!

Për këtë arsye kam qenë dhe jam kundër cungimeve dhe shtrembërimeve të tilla në atë projektstatut dhe për këtë kam përgatitur një dokument me rreth 20 të drejta themelore për studentët në Universitetin e Tiranës, që është padyshim lokomotiva e sistemit arsimor në Shqipëri pavarësisht të metave apo edhe dhe sulmeve të padrejta ndaj tij. Unë kërkoj ndihmesën tuaj që të drejtat e studentëve, jo talljet me to, të përfshihen në statutet e të gjitha universiteteve publike dhe private, në ligjin për arsimin e lartë që po tregohet si i pazbatueshëm, dhe ka krijuar amulli në sistemin arsimor. Ju me të drejtë kërkoni që pedagogët të mos u lënë vetëm. Unë ju bëj thirrje të mos na lini vetëm kur luftojmë për të drejtat tuaja që ato të formulohen në statutet universitare.

Dukuni! Lëvizni !

Jo vetëm kur preket interesi juaj i drejtpërdrejtë! Ju nuk jeni skllevër pa të drejta. Me skllevër nuk bëhet dot asnjë universitet! Studenti në qendër të mësimdhënies universitare!

Pres nga ju!

Me dashamirësi,