Me një klasë politike krejtësisht të korruptuar nuk mund të bëjmë përpara

720
Ilirian Demiri
Ne shqiptarët tashmë e kemi të qartë se nuk do të mund të bëjmë asnjë prokopi, përderisa drejtohemi nga një klasë politike krejtësisht të korruptuar, mashtruese dhe të pabesë. Aq e pabesë sa as nuk do t’ia dijë se çfarë po ndodh për shumicën e stërvarfëruar, përderisa për vete vetëm pasurohet përmes plaçkitjes të të gjithë pasurisë kombëtare. Kjo është situata reale në këtë vend që ndodhet në breg të Adriatikut. Tashmë, shumica e popullsisë e këtij vendi po bën çmos të largohet duke shfrytëzuar mekanizmin e lëvizjes së lirë që e fituam vetëm pak vite më parë. Fluksi i madh i largimit ka trembur edhe Evropën. Sa shtete si Holanda kanë nisur të kërkojnë për shqiptarët rikthimin e vizave. “Na vjen keq, pasi me këto ritme, shumë shpejt vendi ynë mik, Shqipëria do të shpopullohet shumë shpejt. Rivendosja e vizave do të mund ta parandalojë shpopullimin e shpejtë të këtij vendi”, – thonë holandezët. Ndërsa, vetë shqiptarët dëgjojnë vetëm nga njëri vesh, ai që u mundëson largimin. Aq sa, nëse do t’u lejohej të largoheshin lehtësisht, nga Shqipëria nuk është çudi që të largohej edhe Skënderbeu që nga viti 1968 qëndron pa lëvizur mbi kalin e tij në qendër të Tiranës. Ai e di mirë, se, Skënderbeu që ndodhej nga viti 1939 në qendër të qytetit të Kukësit, prej 2 vjetësh është larguar, bile as nuk dihet se ku është fshehur. Të gjithë duan të largohen, sepse shqiptarët e dinë mirë, se ky vend ndodhet në duart e një mafieje që vështirë e ndesh kund tjetër. Një mafie që në qendër të saj ka një klasë politike që ka vënë nën hyqëm gjithçka të këtij vendi me pasuri përrallore, por paradoksalisht më i varfëri në kontinentin plak. Ndërsa vazhdon të drejtohet nga një klasë politike së cilës askush nuk i beson. As vetë shqiptarët, as miqtë e tyre. Ndërsa plaçkaxhinjtë e politikës nuk duan t’ia dinë se ç’ndodh rreth tyre vetëm vazhdojnë të pasurohen. Aq sa sot secili prej tyre, ashtu si mizat e kalit që lëvizin vazhdimisht nga b… e një kali te b… e kalit tjetër, ashtu lëvizin pa u ndalur sa nga njëra Parti te tjetra. Është turp për të gjithë shqiptarët që durojnë pa bërë zë të vazhdojnë edhe më tej të drejtohen nga mizat e kalit. Është turp për ne shqiptarët që sot në kohën e internetit të vazhdojmë edhe më tej të drejtohemi nga mizat e kalit. Sepse bash të tillë i kemi sot politikanët, të gjithë pa asnjë shenjë morali dhe pa asnjë lloj vlere. Aq sa as vetë nuk e dinë se çfarë janë, vetëm kënaqen kur një farë kryetari, i vendos në orët e mesnatës në lista. Siç ndodhi në këto zgjedhje me PD-në. Dhe gëzohen se do të vazhdojnë të jenë në parlament pa e hapur një herë gojën. Pa e ditur se edhe e ç’krahu është forca politike që e ka zgjedhur. Sot vështirë t’i dallosh nga programet se cila është e majtë, apo e djathtë mes PD-së dhe PS-së. Pretendon PS-ja se është e majtë, po me plot dëshirë ka rritur taksat dhe ka shtuar edhe taksa të reja, ndërsa pagat u kujtua t’i rriste vetëm në prag të zgjedhjeve. Lali Eri rrit çmimin e ujit, edhe pse konsumatorëve nuk u jep asnjë pikë uji të pijshëm. Hajde pastaj thuaji kësaj PS-je, e majtë! Përpjekja për t’i plaçkitur shqiptarët e ka qorollepsur gjithë teatrin e politikës shqiptare. Ndodh kështu, sepse secila për hesap të vet përpiqet të fitojë me të vetmin synim: të ulet në karrigen e pushtetit me familjen e vet me synimin e shtimit të pasurisë së vet. Tashmë shqiptarët e dinë se disa oligarkë dhe partiakë as nuk e dinë së në ç’nivel ka arritur pasuria e tyre. PD vendos në listat e saj kryetarët e partive politike. Mes tyre edhe Fatmir Mediun. Ndërsa për t’i poshtëruar shqiptarët e dërgon si kandidat në Gërdec. Në Gërdecin që ky ish-Ministër mbrojtjeje e ktheu në vend demontimi të predhave. Gjithë bota u ndje e çuditur se, si ka mundësi të kryhej demontim predhash në mes një qendre banimi. Të gjithë u shprehën: një veprim kriminal. Vetëm për klasën politike shqiptarë jeta vazhdoi në ritmet normale të saj, edhe pse u vranë 26 persona, mesë të cilëve edhe fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, mbi 300 të plagosur dhe miliona lekë dëme. Aq sa sot, shqiptarët nuk i besojnë asnjërës prej forcave politike. Nuk mund të ndodhë ndryshe, derisa shtresa e mesme thuajse është e bashkuar me shtresën e varfër. Ndërsa më vete ka mbetur vetëm grupi i oligarkëve dhe i familjes në pushtet. Dallimet mes këtyre dy shtresave janë shumë të largëta. Kjo ka bërë që në zgjedhjet e fundit të marrin pjesë vetëm afro 45 për qind e shqiptarëve. Në këto zgjedhje u duk qartë se shumica e ka braktisur këtë farë klase politike. Ndaj është e turpshme që ajo vazhdon të këmbëngulë në kërkim të vendeve në parlament. Bile duke këmbëngulur se vetëm ajo është forcë e parë. Secilës forcë politike i është mbushur mendja se kësisoj do të mund ta bindë shqiptarin t’I japë votën. Zaten plaçkaxhinjtë e politikës dihet se janë të paskrupullt. Tashmë të gjithë e pranojmë se kemi një klasë politike krejtësisht të korruptuar, kemi një sistem krejtësisht të dalë boje, por deri tani nuk kemi asnjë të dënuar për nivelin e lartë të korrupsionit. Bile as nuk pritet të kemi ndonjë të dënuar, përderisa vetë kryeprokurori tallet me gjithë shqiptarët duke kërkuar rritje page për klanin e prokurorëve se, kanë paga të ulëta, ndaj udhëtojnë me autobusët urbanë për në punë. Një tallje që mund ta artikulojë vetëm një mostër e tillë që na përsëriste çdo 3 muaj se, së shpejti do të shihni arrestimin e ministrave, ish-ministrave apo politikanëve të korruptuar. Po deri tani kryeprokurori nuk mundi të gjejë asnjë të tillë, kur gjithë shqiptarët i njohin mostrat e tilla me dhëmbë e dhëmballë. Është e çuditshme heshtja e vazhdueshme jo vetëm e organeve të drejtësisë, apo e palo politikanëve tanë që ashtu si gjithë populli mësoi se me ç’nivel neverie është gatuar mali i pasurisë së shumicës së gjyqtaro – prokurorëve të këtij vendi. Të gjithë të paktën kërkojnë fillimin e ndryshimit cilësor në të gjithë jetën tonë të vendit. Pasi nuk bëhet fjalë për milionat e eurove, por paturpësisht edhe për persona që kanë arritur pasuri të tillë marramendëse duke punuar njëherësh në 7 vende pune. Është e frikshme edhe ta mendosh një gjë të tillë, pale ta shprehësh atë. Problemi është se pse i gjithë populli bastardohet në këtë formë nga mostra që i janë larguar qenies njerëzore. Ka ardhur dita që disa të vërteta duhen artikuluar me forcë, pavarësisht ç’pasoja mund të sjellin për ndonjë mostër tashmë krejt të çuditshme dhe jashtë racës njerëzore. 
Sigal