Më ndodhi me kryeministrin dy ditë pas 21 janarit 2017

793
Miltiadh M. MUÇI
Kishin kaluar dy ditë nga takimi i kryeministrit me familjarët e viktimave të 21 janarit, ditën e homazheve të kryera për të vrarët nga Garda e Republikës, në 2011- tën. Në mesditën e të hënës së 23 janarit, së bashku me dhjetëra qytetarë prisja në trotuar të dilte nga selia e PS-ës kryetari i saj dhe kryeministri ynë. Doja t’i jepja kopjen e një letre, që një muaj më parë ia kisha dërguar kryetarit të Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak Tepelenë, ku kërkoja dhe prisja përgjigje mbi arsyet e dështimit të konferencës shkencore, të “135-vjetorit të gazetës së parë edhe në shqip, Pellazgu”, dhe “185-vjetori i lindjes së botuesit të saj, Anastas Byku”, rilindësit të parë të qarkut të Gjirokastrës dhe rrethit të Tepelenës, njëkohësisht dhe i dhënies së emërit të tij bibliotekës së qytetit të Tepelenës. M’u desh të zgjedh këtë mënyrë, t’i tregoja kryeministrit se si dy drejtuesit kryesorë të bashkisë, të përzgjedhur nga rilindësit socialistë të shek. XXI, i respektojnë rilindësit kombëtarë të shek. XIX. Mendova, do ta kisha të lehtë si muaj më parë, kur i ofrova librin tim “Rrëfen kriminalisti”, me përmbledhje mbi shkeljet e të drejtave themelore të njeriut në tranzicionin shqiptar, ku vend të veçantë zenë kapitujt “Vrasjet e 21 janarit, krim shtetëror” dhe “Shkeljet e të drejtave të qytetarëve nga administrata shtetërore”, në këndvështrimin e një qytetari, të juristit, të ekspertit kriminalist e publicistit. Përmbajtja e çdo shkrimi është denoncim për shkeljet e nëpunësve të niveleve të ndryshëm, politikanëve e deputetëve, të cilët mbajnë përgjegjësi administrative dhe pse jo, penale. Zgjodha këtë rrugë, sepse sikurse ndaj qindra qytetarëve, nëpërmjet postimit përgjigjet mbeten të heshtura apo i adresohen një institucioni tjetër, i cili i përcjell tek një i tretë e me radhë, derisa bëhesh pesimist dhe tërhiqesh nga kërkesa apo ankesa, megjithse ke të drejtë, si një rrugë pa zgjidhje që funksionon njëlloj edhe me Avokatin e Popullit. Por, këtë radhë nuk e pata të lehtë, sepse kryeministri nuk donte ta pranonte. Gardistët m’u vërsulën, më duhej t’i kundërshtoja dhe kryeministri pranoi ta marrë, kur pa vendosmërinë time, i detyruar se mos të ndodhte diçka më keq midis meje e gardistit, një djalë 30 vjeçar afërsisht 1.90 m i lartë, pa qafë, që u dorëzua më në fund t’i hiqte duart nga rrobat ku m’i kishte mbërthyer. Çfarë hipokrizie, kur tre ditë më parë familjarëve të viktimave ai iu tha, se “…tashmë kati i parë i kryeministrisë është i qytetarëve”, ndërsa para syve të tij gardisti guxon të kapë prej “zhelesh” një 70 vjeçar, veprimtar për historinë e vendit të tij, të një vendbanimi të lashtë 2400 vjeçar, të paraardhësve luftëtarë dhe të ditur, për të cilët m’u deshën tetë vjet punë të botoja monografinë “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”, e vlerësuar në veçanti nga historianët dhe arkeologët me të cilët bashkëpunova, kopjen e të cilës ia dhurova të njihej me vlerat e vendbanimit, sidomos të trashëgimisë kulturore. Vetëm ta kuptojë, se “Kurbani” i tij, që merret me kundërshtarët politikë, kurrë nuk mund të ketë vlerën e një botimi historik, sikurse “Lekëljotët të lashtë sa Lekli” apo të denoncimit publik mbi shkeljet e të drejtave themelore të njeriut në tranzicionin shqiptar si “Rrëfen kriminalisti”. Fati e deshte, ditën e nesërme kryeministri pati takim pune me kryetarët e të gjithë bashkive. Kur e mësova nga medjat më kaloi në kujtesë gjithçka që kishte ndodhur një ditë më parë. Mendova se kësisoj do t’i kishte shkuar në mendje kryeministrit të Rilindjes socialiste, të çonte në vend dinjitetin e rilindësit kombëtar, Anastas Byku, i mbetur pa një simbolikë në vendin e oigjinës, Tepelenë, ku dështoi konferenca jubilare me përmasa kombëtare për ditëlindjen e tij, e të shtypit shqiptar, si dhe të gazetës së parë dhe në gjuhën shqipe, “Pellazgu”. Por jo vetëm, ai është autori i alfabetit të gjuhës shqipe, i dyti pas të Naum Veqilharxhit, i përshtatur veçanërisht për arvanitasit e Greqisë, që sikurse flisnin aq bukur të kishin mundësi të lexonin dhe shkruanin në gjuhën e tyre shqipe, administrator i shkollave të ngritura nga filantropi i Rrëzës Tepelenë laboviti Vangjel Zhapa, “Nderi i Kombit”, në fshatrat e Gjirokastrës, Sarandës dhe Bregut, që në vitin 1861 me abetaren “Gramë për shqiptarët” ngulmoi t’i kthente në vatra të gjuhës shqipe. 

Shpresoja shumë tek kryeministri ynë. Më kot edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, nuk kam marrë qoftë përgjigje negative nga rilindësit soicialistë të Bashkisë Tepelenës. Ndërsa Drejtori i Marrëdhënieve me Qytetarët në Kryeministri përgjigjet: “…Jeni të lutur të ndiqni korrespodencën e çështjes tuaj,.” Ja pra kush është “dëgjesa me qytetarin”. 
Sigal