Me kufij e pa kufij…

680
Sigal

Në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pushteti aktual i Tiranës po bëhet copa jo për të kremtuar me dinjitet këtë jubile, por për të “mahnitur” shqiptarët e botën me ca zbulime aq “shkencore” se ata që shpallën Mëvetësinë e Shqipërisë nuk paskan qenë atdhetarët e shquar që njeh Shqipëria dhe bota, po kanë qenë ca të tjerë, që nuk dihet pse kanë mbetur aq gjatë të fshehur nga turpi e të mbuluar me mosmirënjohje deri sot e këtë ditë…

Dhe, po ta linin vetëm me “zbulimin” e “baballarëve” të panjohur të kombit e të shtetit shqiptar, për “madhështinë” e të cilëve duan të na mbushin mendjen se e ka fajin historia e jo se ata vetë e kanë fshirë nga historia njëri-tjetrin, duke bërë garë me njëri-tjetrin në zullume kundër popullit të tyre, kundër përparimit e kundër lirisë së Atdheut, që nga Zogu e tek “Kokoshi” e tek këta trashëgimtarët sarahoshë të diktaturës, që “u vjen prapa historia” e shkruar prej tyre, mbase do të kishte qenë gjysma e të keqes.

Po të kënaqeshin me hobin e tyre për historinë, e të merreshin dhe vetë duke dhënë një dorë edhe në ndreqjen e gabimeve të historisë, pasi lodhen shumë me “udhëheqjen e ndritur të vendit të vetëm në botë që nuk pyet as nga kriza ekonomike”, prapë do të ishte gjysma e të keqes. Por pushtetarët tanë të sëmurë jo vetëm për pushtet, por edhe për mend të kokës, nuk dinë të ndalen !

Ec e ndali po deshe këtë skotë pushtetarësh, kur tremben se po u rrezikohet pushteti i tyre personal! Nuk kanë skrupuj as përpara shitjes së territorit kombëtar, vetëm për të marrë nga të huajt një fije garancie për të mbetur në pushtet e jo pako gjë, po sa të jenë gjallë!… Madje na e japin edhe publikisht lajmin e mirë se me të Gjithëfuqishmin qenkan marrë vesh, po seç kanë ca frikëra nga zullumet që kanë kryer vetë. Nga zullumet e rënda që kanë kryer kundër popullit të tyre, kundër vendit të tyre e kundër zhvillimit të natyrshëm të Shqipërisë sonë të përbashkët, që pushtetarët tanë e duan pronë private të lëshuar tok me tapinë, që u dha dje diktatura për pushtetin politik…

II.

Pushtetarët tanë aq të sëmurë sa mund t’i shpëtojë vetëm i Gjithëfuqishmi nga sëmundja e tyre e rëndë për pushtet, na dëshmojnë haptazi se Shqipëria jonë, kjo copë që ka mbetur brenda kufijve të 1913-s, në nëntor do të festojë 100 vjet si shtet i dështuar. Dhe kjo nuk është meritë e vogël e pushtetarëve tanë të këtij 100 vjetori. Se është pikërisht kjo skotë e verbër pushtetarësh, që ka bërë gjithë sa ka mundur të bëjë që Shqipëria të mbetet një shtet i dështuar për 100 vjet të gjatë.

Nëse dikur konferencat ndërkombëtare na caktuan kufijtë shtetërorë të  kësaj cope Shqipërie të lejuar të pavarur nga Shqipëria e natyrshme e copëtuar në pesë shtete, pushtetarët tanë të këtij palo tranzicioni kanë pafytyrësinë të na deklarojnë se dhe pas 100 vjetëve si shtet i pavarur, Shqipëria jonë nuk ka kufij! E jo vetëm që paska qenë kjo e shkretë Shqipëri 100 vjet pa kufij, por paska pritur me gëzim 100 vjet që të vinin në pushtet trashëgimtarët e llagëmeve të diktaturës për të na caktuar kufijtë! Dhe prandaj paskëshin të drejtë që në atë palo marrëveshjen e fshehtë mbi “caktimin e kufijve detarë” ( të caktuar ndërkombëtarisht qysh 100 vjet më parë) i dhanë një pjesë “të tepërt” të shelfit detar shqiptar fqinjit tonë mik e vëlla aq të përgjëruar për të mirën e Shqipërisë!… Do thoni ju që atë palo marrëveshje të fshehtë e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E pastaj? Kush e ka emëruar atë Gjykatë? Kush janë ata gjykatës që paskan gjetur dhe gabime të udhëheqësit tonë të pagabueshëm? Duan t’i marrin rrogat ata gjykatës, apo t’u lëshojmë prokurorin e ri, që pritet të na caktojë Presidenti i ri, i cili nuk ka nevojë fare as t’i lexojë vendimet që merr udhëheqësi. Se udhëheqësi e dërgoi në atë post për të marrë pensionin e Presidentit e jo për të bërë Presidentin e të gjithë shqiptarëve.

E morët vesh të dashur lexues, se pse paskemi 100 vjet me kufij e pa kufij? Mos do njeri t’ia mohojë dhe këtë meritë brigadierit të pushtetit aktual? A nuk kanë bërë të njëjtën gjë edhe paraardhësit e tij në fronin e sulltanatit të Lanës? Ç’rëndësi ka se si ka qenë ngjyra e flamurit që sulltanët tanë kanë ngritur buzë Lanës? Shqiptarët e duruar i kanë pasur gjithmonë me vete dhe gjithnjë janë përgjëruar e janë lutur  që i Gjithëfuqishmi t’u japë jetë të gjatë brigadierëve të pushtetit. Ç’u duhet Shqipëria e pavarur, e lirë dhe e begatë, kur (larg qoftë!) të mbetemi pa udhëheqës legjendar, që kur zemërohet shumë na vret me plumbat e Gardës, pastaj na thotë se nuk e di se kush urdhëroi ato vrasje, pastaj zemërohet prapë e na kërcënon se do japë urdhër për të na vrarë përsëri e, në fund, kthehet e na lë pa mend në kokë duke na thënë se do caktojë një prokuror fringo të ri që të gjejë vrasësit dhe urdhëruesit e atyre vrasjeve “se qytetarët e pafajshëm nuk prehen dot të qetë”(!)…

Kjo dëshmon se jemi jo vetëm me kufij e pa kufij, por jemi dhe me shtet e pa shtet. Pas dy përpjekjeve vërtet fisnike të bëra qysh 100 vjet më parë nga ai që hodhi themelet e pavarësisë së Shqipërisë, liberali i madh Ismail Qemal bej Vlora dhe pak më pas nga laurati i Harvardit, imzot Noli, përpjekje të varrosura nga ata që i ka trembur e i tremb përherë fuqizimi i faktorit shqiptar në përmasat e tij të natyrshme, në këtë truall të bekuar me 300 ditë diell, fatkeqësisht për popullin e fatmirësisht për pushtetarët, kanë sunduar mercenarët e të huajve armiqësorë me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Pas dështimit të atyre dy përpjekjeve vërtet fisnike, përpjekje të burrave të mëdhenj që e donin këtë vend e këtë popull, në Shqipëri kanë sunduar shërbëtorët shpinëthyer të të huajve, ca palo pushtetarë të sëmurë që nuk e kanë dashur as këtë vend e as këtë popull. Me këtë skotë pushtetarësh kemi pasur 100 vjet një shtet të dështuar e vetëm sa për emër. Një shtet gjysmak, emri i të cilit ka shërbyer e shërben dhe sot vetëm për të fshehur pushtetin e sëmurë të mercenarëve gjysmakë. Nuk është rastësi që vetëm në ato dy përpjekje vërtet fisnike për të ngritur dhe shqiptarët shtetin e tyre, shtetin europian të qytetarëve të lashtë europianë, nuk zunë dot vend synimet përçarëse të armiqve tradicionalë të faktorit shqiptar. Mbase nuk është thjesht një rastësi e lume që në të dyja ato përpjekje liberatori i madh Luigj Gurakuqi i Shkodrës së qytetërimit të lashtë ishte gjithnjë përkrah me Ismail Qemal Bej Vlorën dhe me imzot Nolin …

III.

Nuk është rastësi as që, sot në shekullin e XX!-të, po synon gjithnjë e më tepër të hedhë rrënjë përçarja mes shqiptarëve. Nuk është rastësi që dhe sot pas 100 vjetëve të një shteti të dështuar të dëgjojë njeriu thagma të llojit “50 vjet e mbajti jugu, tani e kemi radhën neve ta mbajmë 50 vjet!”…

Vetëm shqiptare nuk janë parulla të tilla monstruoze, që synojnë copëtimin e mëtejshëm edhe të kësaj cope Shqipërie që na kanë lënë brenda kufijve të 1913-s. Dhe të mendosh që parulla të tilla lëshohen nga njerëz të paditur e të gënjyer më një thes miell, ndërkohë që në ca qarqe, të mbajtura dhe për të shkolluara, zien një propagandë e zezë për “një komb kosovar të ndryshëm nga kombi shqiptar”, për “dy gjuhë të ndryshme” shqipe, e të tjera e të tjera…Synime antishqiptare, që pa u ndërgjegjësuar të gjithë shqiptarët, kudo që janë në trojet e veta të lashta e kudo që jetojnë nëpër botë, janë një popull e një komb, me një gjuhë të madhe  e me dy dialekte dhe me shumë nëndialekte që e bëjnë përherë e më të pasur e më të fuqishme gjuhën shqipe. Pa u ndërgjegjësuar të pranojmë haptazi se kemi 100 vjet që zvarritemi nga pushtetarët e sëmurë mercenarë të të huajve e se duhet ta lëmë prapa paaftësinë tonë për të ndërtuar një shtet normal të gjithë qytetarëve, kam frikë se do të mbetemi gjatë viktima të kufijve pa kufij, të shtetit pa shtet, të drejtësisë pa drejtësi sepse do të përdorim Kanunin mesjetar, të arsimit pa arsim sepse do të na mbeten analfabetë fëmijët tanë të ngujuar nga gjakmarrja primitive! Do të mbetemi viktima të ushtrisë pa ushtri, sepse do të mbetemi me një ministri të mbrojtjes që mbron trafiqet edhe nga kontrolli i deputetëve, të pronës pa pronë, sepse pronarët e ligjshëm do të mbeten gjatë të shpronësuar nga diktatura, po do të vijë dita të mbeten pa pronë dhe pronarët e rinj të bërë nga Partia. Sepse një ditë do të shpëtojnë dhe shqiptarët nga shteti i dështuar e nga ligji pa ligj. Sepse, duan apo nuk duan brigadierët e pushtetit, Shqipëria një ditë do të jetë pjesë e familjes së madhe europiane. Sepse do të vijë doemos një ditë, kur as ambasadorët e miqve tanë, të pasqyrojnë idealet e Amerikës e të Europës së lirive, të na trajtojnë si anëtarë të NATO-s e jo si në NATO e jashtë NATO-s. Të shërbejnë dhe ata si mbështetës të demokracisë e të lirisë që kanë në vendet e tyre dhe jo të shërbejnë si njëfarë ALUIZN-i  për legalizimin e pushteteve tona të paligjshme…