Me dëgjesa të pafund, politikanët tanë po lënë kokrrën e namit!

727
Ilirian Demiri
Ndërsa varfëria vazhdon të mbërthejë shumicën e shqiptarëve, politikanët tanë duket sikur kanë vetëm një hall: si të bëhen sa më të njohur në sytë e varfanjakëve që kanë mbushur Shqipërinë. Sepse kështu ua marrin më mirë votat sa herë ka zgjedhje.

Sapo i mbyllën një palë zgjedhje. Me një rezultat pak të çuditshëm, por të mirëpranuar bashkë me tregun e votës. Socialistët nuk e kishin pritur një fitore kaq të thellë, ndaj u gjetën në befasi. Çfarë të bënin nën saçin e të nxehtit saharian? Ata e dinin se në 4 vitet e kaluara kishin drejtuar duke ngritur një pushtet të çuditshëm familjar që i neveriti shumicën e shqiptarëve. Ishte kjo arsyeja që tashmë ka marrë dhenë fakti se, afro 60 për qind e shqiptarëve duan të ikin sa më larg këtij vendi që drejtohet nga lloj lloj mostrash të çuditshme familjare, që u ndryshon vetëm emri si socialistë, demokratë, lësëistë etj.

Për të mbuluar pisllëkun që vetë e ngritën në mandatin e parë të qeverisjes, socialistët nisën që nën zhegun saharian të organizonin dëgjesa me shqiptarët e stërlodhur nga varfëria.

Është vetë kryeministri socialist që po u jep këmbëve pa u lodhur nga veriu në jug. Dëgjon me vëmendje se çfarë u bën shqiptarëve të varfër kjo, me nder me thënë administratë shtetërore, e mbushur përplot me pjesëtarë të familjes në pushtet. Ankesat janë të panumërta. Të varfrit evidentojnë edhe problemet që kërkojnë zgjidhje të shpejta apo prioritetet e punës për këtë legjislaturë.

Ndërsa i artikulojnë në këto dëgjesa kërkesat e tyre shqiptarët edhe çuditen. Çuditen, pasi këta drejtuesit tanë deri tani a nuk i dinin problemet që i shqetësonin shqiptarët? Pastaj çfarë kanë bërë në 4 vite? Apo vetëm i kanë rënë çiftelisë ? Pastaj gjatë dy muajve të fushatës, të njëjtat kërkesa u janë paraqitur nga shqiptarët e lodhur.

Atëherë për çfarë duhen këto lloj dëgjesash ku shqiptarët e stërlodhur nga varfëria e tejskajshme rrinë e përsërisin të njëjtat kërkesa për përmirësimin sado pak të jetës së tyre të mbytur nga varfëria.

Në realitet ndodh kështu, sepse në këtë vend mungon për fare opozita. Ndaj ai që merr votën nuk di të qeverisë, por të sundojë. Kjo i bën shqiptarët të mbesin skllevër, pavarësisht se kush i merr votat për të sunduar. Është tamam kjo arsyeja që i ka detyruar shqiptarët t’ia mbathin vrapit për ku të munden. Vetëm të largohen nga ky vend me qeveritarë mostra të çuditshme e të papara kund tjetër në këtë tokë.

Me të tilla dëgjesa sundimtarët shqiptarë qofshin kushedi çfarë, (sepse ne shqiptarët në mënyrën më qesharake kemi plot 129 parti politike, ose rreth 21 mijë banorë për një parti), po lënë kokrrën e namit. Jo vetëm nëpër botë, por nëpër vatrat shqiptare, ku përsëriten prej kushedi sa herësh të njëjtat vërejtje e të njëjtat akuza për plaçkitësit hajdutë që kanë mbushur të gjitha zyrat e këtij lloj gjysmë shteti.

Aq sa këto dëgjesa tashmë u ngjajnë disa thënieve të popullit. Veçanërisht njërës prej tyre. Në një shtëpi që ka tre nuse, brija mbetet bosh pa ujë. Tamam kështu kemi mbetur edhe ne. Sepse lali Eri a e rriti çmimin e ujit, po nuk na tha një fjalë se kur do të na sjellë një pikë uji të pijshëm në banesat tona. Sepse deri tani ne ujin e pijshëm e blejmë me para në dorë. Po ashtu i japim edhe lali Erit para për ujin që na sjell në çezme e që na shërben vetëm për të larë halenë. Se uji që na sjell lali Eri vetëm për atë punë shërben. Dhe heshtën atë ditë kur ngritën dorën për të miratuar rritjen e çmimit të ujit të gjitha mostrat që ne i çuam ne karrigen e këshilltarit. Për turp të zotit, të tillë drejtues ne kemi vënë në çdo lloj zyre shtetërore.

Në situatën që ndodhet kjo Shqipëria jonë, për momentin është vështirë, bile e pamundur, të flasësh për ndonjë lloj performance të ndonjë institucioni shtetëror në shërbim të fakirfukarenjve që janë të shumtët në këtë vend me emrin, Shqipëri. Ndodh kështu, sepse të gjitha institucionet janë mbushur vetëm me nëpunës të familjes në pushtet, pra sikur është ngritur që nga themelet një shtet dhe një pushtet krejtësisht nepotiko – familjar. Në këto kushte, shqiptarëve as u shkon mendja se do të mund të gjejnë një zgjidhje për ndonjë problem të tyrin. Akoma më i errët është shërbimi civil ku mund të gjesh në një zyrë edhe pjesëtarë të një familjeje.

Deri tani grotesku dhe fenomeni i plaçkitjes janë mbisunduese në administratën tonë shtetërore. Nesër më të parë e me të bërë. Urojmë të mos ketë ndryshime edhe më tej negative. Pa sot, vështirë se gjen shqiptar të besojë në ndonjë ndryshim pozitiv që mund të ndodhë përmes këtyre dëgjesave që po kryhen nën trysninë e të nxehtit saharian.

Sepse edhe këto ditë ne po shohim se si në këtë vendin tonë pseudo shteti është i plotfuqishëm dhe mbisundues. Pavarësisht kujt ia kemi dhënë votën, ne çdo ditë shohim nëpër televizione si na dalin ca lloj ministrash teknikë që vetëm na broçkullisin fjalë të pakuptimta që asnjë shqiptar nuk i merr vesh. Ne kemi pseudo shtet, pa të tillë mostra ministrash livadhisin nëpër Shqipëri pa bërë asnjë lloj pune. Ndërsa justifikohen se duhet të bëjnë një farë raporti për zgjedhjet. Po bëjnë raport për zgjedhjet, apo po shkruajnë roman me shumë volume? Pasi tashmë ka kaluar më shumë se një muaj nga mbarimi i zgjedhjeve. Çfarë ka ndodhur në ato zgjedhje e dinë të gjithë shqiptarët. Bile edhe tregun e votës, ku këto lloj ministrash bënë një vërë në ujë. Asgjë tjetër. Ne shqiptarët themi: pse duhet t’i mbajmë edhe më me paga të majmë këto ministra që nuk i përfill askush ?

Të paktën të ndodhin ndryshime pozitive. Po të tilla ndryshime pozitive vështirë të kemi me këtë klasë politike që deri tani vetëm na ka përçudnuar. Të paktën t’u japim fund përçudnimeve me të cilat na ka mbuluar kjo klasë politike.
Sigal