“Mbi legalizimin e drogave të lehta”...!

Evdal NURI 

Është problemi më i përfolur e më shqetësuesi. S’ka ditë të mos dëgjojmë, se u kapën aq apo kaq kg apo ton drogë! Ja këto ditë, u kapën 407 kg drogë në disa thasë me oriz me destinacion Holandën. Në Shkodër u arestuan 7 persona që posedonin 2 kg kokainë. Në Tiranë u arestuan 9 persona për kokainë e heroinë. U dënua grupi i Lazaratit me 52 vite burg për kultivimin e drogës. Habilajt kanë eksportuar drogë me vlerë 20 milionë euro në Itali. Shpesh dëgjojmë Narko-Shtetin e tjerë. PD e PS e kanë drejtuar këtë vend nga 13 vjet. Ku më shumë e ku më pak droga është mbjellë në kohen e PD, por dhe në kohen e PS. Kot thonë, mbolle ti e jo unë! Është mbjellë në Veri e Jug, Lindje e Perëndim. Më tepër në male se fusha. Në parcela, por dhe në rrëpira. Arsyet dihen. PD po e akuzon PS, por dhe kjo s’ka lënë kusur. Të rimë shtrembër, e të flasim drejtë! Në 8 vjet pushtet, PD bëri zhurmë në formë, por në përmbajtje droga lulëzoi. Fakt ishte “Republika e Lazaratit”. Në 2013 e kishte mbjellë PD-ja e korri PS –ja. Ajo u “ëmbëlsua” e vazhdon traditën e PD –së, ndofta më tepër! Nga një ” Lazarat” u krijua “Lazarati shqiptar”. Pyetja që bën secili: “Ku u mboll? Si iu shërbye, si u përpunua, magazinua, transportua, tregtua, fitua ...?! Fillimisht s’bëhej shumë zhurmë! S’binte shumë në sy, mbase dhe lufta ishte minimale. Njerëzit u pasuruan. Disa ia hodhën fukarallëkut, të tjerët u bënë bosa. Me këtë u lidh dhe politika, por prapa s’mbeti dhe krimi. Ca u kapën. Të tjerë u vranë e po vriten, për larje hesapesh e prishje pazaresh. Janë “rregulluar” shumë familje, por kjo ka sjellë mjaft viktima e hasmërira. Pavarësisht nga prapaganda të dy forcat politike e kanë luftuar me fjalë, por ajo ka lulëzuar me vepra! 

1-Si lindi ky fenomen? Ai lindi së bashku me demokracinë. Lindi dhe ngatërroi dynjanë! Flitet se vitin e kaluar janë shkulur mbi 2.8 milionë rrënjë. Janë zhvilluar mbi 6900 kontrolle. Atehere si shpjegohet që në 2017 janë kapur në Pulja të Italisë 37 ton drogë dhe në Greqi 9 ton, këto baras me 46.000 Kg. Por sa s’janë kapur...? Bëhet fjalë për shifra shqetësuese për një vend të vogël si ky i yni. Sivjet prapë po thonë “mori fund “ mbjellja e Marijuanës. Pra shumë zhurmë, po asgjë! Bindemi, se atë e mbron politika. 

2-Legalizim për qëllime farmaceutike. .Njerëzit i përdorin drogat për t’u çlodhur, për t’u argëtuar, për kureshtje ose për t’i shpëtuar dhimbjes fizike dhe psikologjike. Ky problem diskutohet në shkolla, shoqëri, familje e më gjerë. Në këtë legalizim futen të gjitha ato droga, që kanë një ndikim jo të madh në organizmin e njeriut si: Kanabis - Sativa (Hashashi). Por në drogë futen dhe qetësuesit e dhimbjeve klinike si dhe alkooli, nikotina, kafeina, e deri te drogat e rënda, heroina, kokaina, që kanë pasoja psikoaktive. 

Të mirat e legalizimit të drogave të lehta!
-Ul kriminalitetin. Sidomos krimin e organizuar që na ka sjellë kaq vrasje e fatkeqësi për “larje- hesapesh”, “prishje pazaresh” e tjerë. -Do të shkëputë lidhjet e tyre me politikën, mbasi këta njerëz zotërojnë të ardhura fantastike, që bëjnë për vete politikanë të niveleve më të larta duke i korruptuar ata. Pamundësia për të blerë drogë me çmime të larta i shtyn përdoruesit, në krime, vjedhje, tregti të paligjshme, prostitucion e tjerë. -Legalizimi i drogave të lehta, do t’i sillte shtetit të ardhura të konsiderueshme që do t’i përdorte për rritjen ekonomike, rehabilitimin e toksitomanëve, ndihmë shtresave në nevojë e tjerë. Nevojat për punësim i kanë bërë qytetarët shqiptarë që të merren me kultivimin e kanabisit në mënyrë klandestine, duke provuar herë pas here edhe ndëshkimet ligjore. -Ushtrimi i ligjshëm, por dhe kontolli nga shteti i këtij aktiviteti do sillte të mira materiale për një numër të madh të familjeve shqiptare, por edhe për shtetin shqiptar në formën e tatimeve dhe taksave. Ky legalizim do të kishte një ndikim pozitiv te individët që e përdorin atë. Ata do të jenë më të hapur me shoqërinë duke u çliruar nga streset që i shoqërojnë tani. Legalizimi mbështetet nga një pjesë e shoqërisë. 3- Shumë shtete kanë legalizuar drogat e lehta si: Hollanda, Portugalia, 7 shtete në SH. B. A. Në muajin korrik edhe Kanadaja etj. Pas legalizimit të kanabisit për përdorim mjekësor në Gjermani sapo ka nisur të hapet një treg i ri me potencial të madh. Kanabisi që importohet për arsye mjekësore ka cilësi jashtëzakonisht të lartë, dhe nuk mund të krahasohet me cilisinë e kanabisit që pihet në formë cigareje. Kanabisi përdoret si terapi në rastin e sëmundjes së multipël sklerozës, për kurimin e dhimbjeve kronike apo të simptomave që shoqërojnë disa sëmundjeve të tjera si kanceri apo SIDA.“Kur marr kanabis ndjej më pak dhimbje dhe kam më pak ngërçe” thotë një i sëmurë . 

Prej marsit të vitit 2017 canabisi lejohet që të tregtohet në farmacitë gjermane legalisht për t’u përdorur për arsye mjekësore. Mjekët mund t’u japin madje një recetë speciale pacientëve që të përdorin kanabis në rast se terapitë e tjera alternative nuk kanë efekt. Kostot në një rast të tillë i marrin përsipër shoqëritë e sigurimit, sepse pesë gram lule kanabisi kushtojnë në farmaci. 

4-Tri fakte bindëse, A-Shifrat globale tregojnë që në 10 vitet e fundit, përdorimi botëror i cannabis-it u rrit me 8.5%, i kokainës me 27%, dhe opiumit me 34.5%. B- Kompania “Philip Morris”, prodhuesja më e madhe në botë i cigareve njoftoi se do të prodhojë cigare marijuane, kjo falë edhe legalizimit të kësaj bime në disa shtete të Amerikës. E prodhuar nën markën “Marlboro M”, paketat do të jenë në dispozicion në pikat e licencuara për shitjen e marijuanës në shtetin e Kolorados dhe Uashington, të cilat e kanë legalizuar kultivimin dhe përdorimin e marijuanës për nevoja mjekësore dhe deri në një masë të caktuar. C- -Shteti i Kolorados ka fituar më shumë se 52 milionë dollarë nga taksat për shitjet e kanabisit vitin e shkuar, duke krijuar në këtë mënyrë që biznese tepër të vogla të bëhet fitimprurëse. Investitorë nga të gjitha anët e vendit, po dynden të marrin një copëz nga “torta e madhe” e industrisë së kanabisit në këtë vend. Konkluzioni : Ne jemi një vend prodhues masiv i drogave të lehta, sidomos i Marijuanës. Legalizimi i tyre i shkon për shtat vendeve si ky i yni, për t’i dalë nga varfëria ekstreme.