Mbështetje ekonomike – bazë për influenca politike

785
Sigal

Nikë Neçaj

Kush do të ndikojë mbi shqiptarët, evropianet, amerikanët, rusët apo turqit? Probleme interesash të hershme e të reja. Secili pretendon se ka një arsye që e bën legjitim interesimin për influenca. Ata kanë interesat e tyre. Historikisht, përjashtuar Gjergj Kastriotit, të gjithë prijësit shqiptarë nuk kanë ditur të përfitojmë nga ambicia e të interesuarve për ndikim politik mbi rajonin tonë. Jo të gjithë shqiptarët dhe politikanët e tyre e duan në mënyrë të barabartë Atdheun e vet, popullin e tyre. Ne jemi më pro amerikanët e pro evropianët në kontinentin tonë. Politikanët tonë nga anojnë? Nga SHBA e Evropa apo Turqia e Rusia? Sondazhi për ta mund të gabojë. Saktë do t’i përcaktonte  vetëm “makina e të vërtetës”. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik (Rusia është trashëgimtare e asaj Federate) e ndihmoi Shqipërinë për ndërtimin e vendit. Jo vetëm politika e asaj kohe por dhe qytetarët (në territorin e Shqipërisë ) u bënë prosovjetikë, pasi Bashkimin Sovjetik e shihnin si shpresë jo vetëm për mëkëmbjen e ekonomisë, por dhe për mbrojtjen e vendit. Për pjesët e tjera të territorit ku jetonin shqiptarët, kujdesi nga Tirana ishte vetëm propagandistik. Mundësitë ishin të kufizuara. Izolimi komunist për 45 vjet na largoi nga ndihma evropiane e amerikane, pastaj nga ajo sovjetike e kineze. Interesi i tyre vazhdon. Kjo më shumë për arsye gjeostrategjike. Në dy dekadat e fundit dhe Turqia paraqet interes për ndikim, bile agresiv. Nga ana ekonomike, territori ku jetojnë shqiptarët nuk është pa interes. Kemi vijën bregdetare më të bukur në Evropë. Rezervat e kromit na radhisin të katërtin në dy kontinente. Mineralet me ngjyrë paraqesin interes të veçantë. Rezervat e qymyrit janë sa për të përballuar nevojat e prodhimit të energjisë për më shumë se një shekull. Nafta e gazi përbëjnë një aset të madh ekonomik. Për ujin e ëmbël për banor, jemi të dytët në Evropë dhe me mundësi të mëdha për prodhimin e energjisë pa ndikim negativ në mjedis. Klima lejon kultivimin e kulturave bujqësore nga portokalli e mandarina deri tek gështenja e boronica e kultivuar. Kemi 286 ditë me diell. Stinët ndahen në mënyrë të qartë e butë brenda pak ditëve. Këto pasuri në vitet e tranzicionit janë shpërdoruar keqas nga qeveritë e papërgjegjshme. Fuqitë e interesuara për influencë e dinë mirë se edhe ekonomikisht nuk dalin të humbura. Përkundrazi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë iniciueset kryesore të reformave të qenësishme. Metodikisht, teknikisht e teorikisht, ndihma ka qenë e rëndësishme. Pritshmëria e shqiptarëve ka qenë e vazhdon të mbetet shumë më e lartë, në të gjitha aspektet. Biznesi amerikan është futur pak e më vonesë. Ndihmat e ShBA kryesisht kanë qenë në fushën e mbrojtjes dhe atë të logjistikës për Policinë e Shtetit. Bashkimi Evropian ka dhënë ndihma të konsiderueshme. Për përdorimin pa efektivitet të tyre në shumë raste përgjegjësia është, jo vetëm e qeverive shqiptare, por dhe e vetë atyre që kanë dhuruar, pasi nuk janë interesuar për fatin e tyre. Në vendet e BE-së sot punojnë mbi 680 mijë qytetarë shqiptarë. Remitancat, që në vite të veçanta kanë arritur deri në 1 miliard euro, i kanë dhënë jetë ekonomisë sonë. Ndihmat dhe investimet e këtyre vendeve janë mbi 2.9 miliardë euro. Investimet dhe kapitali rus është i pa përfillshëm në ekonominë shqiptare. Rusia, ky shtet i madh dhe i fuqishëm me resurse të mëdha ekonomike, mund të ndikojë lehtësisht mbi ekonominë tonë, në momentin kur atë e shohin të përshtatshëm për të rritur influencat politike. Ata për një periudhë të shkurtër kohe, përgatitjeve për kampionatin botëror të futbollit i kushtuan mbi 11 miliardë dollarë. Si taban për ndikimin politik të Rusisë mund të jenë disa politikanë totalitaristë e të korruptuar. Disi më ndryshe paraqitet përpjekja e Turqisë dhe aleanca e saj me Rusinë. Varfërinë, punësimin e ulët si dhe mos orientimin perëndimor të disa politikanëve po i shfrytëzon me kujdes shteti turk, i cili pretendon të shtrijë influencat politike në kufijtë e ish-Perandorisë Otomane. Aleat në këtë qëllim ka Rusinë. Arsyeja e kësaj përpjekje është largimi i rajonit nga Evropa e Amerika dhe përdorimi i tij për qëllimet e tyre. Pretendimi i Erdoganit arrin deri tek kërkesa për të bërë deformime thelbësore në historinë e shqiptarëve e deri ndërhyrje në punët e brendshme (rasti i udhëzimit të shërbimit sekret turk, shërbimit sekret e policisë së Kosovës, për arrestimin e disa pedagogeve turq me leje qëndrimi në Kosovë, kundërshtar politik të Erdoganit, duke anashkaluar Kryeministrin e Kosovës). Para ca kohësh tha: “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë”. Disa të shitur trumbetuan se ai po kosovarizon Turqinë, kur në të vërtetë ai po punon intensivisht ,për të turqizuar Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë. Kësaj ideje antikombëtare i shërbejnë disa pseudohistorianë, pseudopolitikanë e disa imamë shqipfolës. Veç propagandës për qëllimin e saj, Turqia ka injektuar rreth 2,6 miliardë euro në ekonomi, pa përfshirë qindra milionë në objektet e kultit. Në Shqipëri turqit kanë privatizuar Telekomin, kanë marrë me koncesion minierat e bakrit, disa fabrika, uzinën e shkrirjes së hekurit e çelikut, ndërtimin e disa hidrocentraleve, kanë ngritur disa klinika e spitale, kanë dorë në koncesionet e kromit etje. Po punohet për t’i dhënë aeroportin e Vlorës etj. Këto objekte nuk janë do si do, por me rëndësi strategjike për shtetin. Oligarkët shqiptarë që kanë qindra miliona mund të jenë nën ndikimin e atyre që i kanë blerë ose janë zënë pisk prej tyre. Duke qenë të tillë janë të lidhur me politikën, gjë kjo që mundëson më tej përpjekjet për ndikim. Në këto kushte duhet reagimi i faktorit të interesuar:

 Së pari, mbështetja ekonomike është bërë përcaktuese e orientimit të njerëzve. Ai që do të sigurojë influencat, duhet të ndikojë në zhvillimin ekonomik të shqiptarëve. Këtë praktikë ka ndjekur SHBA pas Luftës së Dytë Botërore me vendet e Evropës, e kanë ndjekur Amerika e Evropa me influencat në Turqi, Greqi e Izrael para disa dekadash, me disa vende të Evropës Qendrore e Lindore në vitet e fundit etje.

Së dyt, mundësinë më të mirë, rrugën më origjinale, alternativen më të dobishme shqiptarët e gjejnë tek dakortësimi me ata aleatë, të cilët më mirë, më drejtpërdrejtë, më shpejt e më fuqishëm, ndihmojnë për zhvillimin e përparimin ekonomik; që respektojnë e vlerësojnë identitetin tonë kombëtar, që na shohin të pandarë e të integruar me strukturat që garantojnë liritë e të drejtat njerëzore.

Së treti, liderët shqiptarë historikisht kanë pëlqyer autoritarizmin, të qëndruarit gjatë në pushtet, kanë punuar pak dhe kanë dhënë shembull të keq sa i takon thelbit e kuptimit të lirisë. Janë shquar për demagogji, për premtime të shumta e realizime të pakta, për abuzim me pushtetin dhe për mjaft vese të tjera. Ndaj qytetarët duhet të shkojnë pas ideve e shpresës për përparim dhe jo pas politikës që nuk ka ide e shpresë përparimi.

Së katërti, tragjikisht dy herë kemi shkuar drejt lindjes (një herë nga Perandoria otomane dhe një herë nga komunizmi sllav). Ndaj jemi më të varfrit e Evropës. Nëse shkojmë për herë të tretë, atëherë do të jetë fundi i kombit shqiptar e i shteteve shqiptare. Kjo nuk do të jetë në të mirë të Evropës dhe as të Amerikës.

Njerëzit janë lodhur tej mase. ShBA dhe Evropa duhet të jenë më konsistente. Heqja e të drejtës për të shkelur në Amerikë të disa prokurorëve (përfshi dhe ish K/prokurorin ) si dhe e ndonjë funksionari të mesëm nuk është e mjaftueshme për të mbajtur gjallë frymën perëndimore të njerëzve. Tom Doshit, bie fjala iu ndalua shkuarja në SHBA. Nuk futem në hollësitë e arsyeve, por njerëzit e këtij vendi e dinë se interesat e SHBA dhe të shqiptarëve i kanë dëmtuar disa dhjetëra herë më shumë ata që kanë qeverisur këtë popull për 26 vitet e pluralizmit. Janë ata që shkaktuan ngjarjet e 1997-s duke e kthyer vendin prapa për 15 vjet, ata shkaktuan trazirat e 1998-s, Gërdecin, ngjarjen e 21 Janarit, shpërdorimin e pasurive të këtij vendi, vjedhjen e pronave e të taksave, mbjelljen e hashashit etj., etj. E disa mendojnë se mund të amnistohen bëmat e tyre! Proamerikanizmi dhe proevropianizmi nuk mund të mbahet me dëshira, me prirje te natyrshme. Që ai të ekzistojë e të forcohet kërkon investime më shumë, kërkon ndëshkim të atyre që nuk e duan këtë prirje. SHBA dhe Evropa duhet te nxitojnë, për të plotësuar boshllëkun ekonomik e politik të krijuar, boshllëk, të cilin po e mbushin rusët, turqit e ndokush tjetër. “Buka të çon në derë të hasmit”, thotë populli ynë. Kur punësimi shteron e varfëria tek shumica predominon, njerëzit humbasin besimin edhe tek Zoti, pa le më tek njerëzit. Nëse zvarritja vijon, humbja nuk do jetë vetëm e shqiptarëve por edhe e aleatëve.