Mashtrimet e politikës dhe e vërteta

812
Bardhyl BERBERI 

Njerëzit me të drejtë dyshojnë se “e vërteta “ dhe “politika “ nuk mund të bashkëjetojnë, sepse janë dy koncepte në kundërshtim njëra me tjetrën. Mashtrimet rregullisht janë trajtuar si mjete të nevojshme dhe justifikuese, jo vetëm për zanatin e politikanit ose demagogut, por dhe të drejtuesve të shtetit. Kjo luftë mes politikës dhe së vërtetës na mundëson të kuptojmë rreth natyrës dhe dinjitetit të fushës politike, dhe gjendjen e së vërtetës në këtë botë mashtrimesh dhe intrigash. Natyrshëm lind pyetja, cila është dobia që në politikë e vërteta është impotente, ndërsa mashtrimi gjithmonë ka potencë. Është fatkeqësi kur në një shoqëri, njerëz jo të zakonshëm, që kanë vetëm një fasadë , jetojnë si shushunja me mosbesim dhe pasigurinë vetvete si pasojë e inferioritetit dhe e vlerës së ulët që kanë si kapacitete. Ata janë të vetëdijshëm se janë mediokër dhe dështakë falë kapacitetit të tyre real. Ata janë të manipulueshëm dhe janë servilë të shefave të tyre dhe janë gati në çdo moment të manipulojnë të vërtetën… Ata kanë ardhur në këto poste, jo në sajë të meritave që kanë, por si rezultat i një tesere partie që mbajnë në xhep dhe kjo vlen shumë më tepër se një titull akademiku. Është për të ardhur keq se ata i gjen në çdo strukturë të shoqërisë sonë, madje ka disa gjyqtarë që janë bërë me kurset 6 mujore të plepave në Durrës dhe kanë mbërritur deri në Gjykatën e Lartë! Ndodhemi para një krize që nuk po i gjendet fundi, për shkak të manipulimeve dhe fshehjes të së vërtetës … Tek ne e vërteta nuk është asgjë tjetër përpos një opinioni dhe kjo është arsyeja, pse opinionistët e kanë shumë të lehtë të dallojnë të vërtetën e masakruar nga mashtrimet e politikës. Sot politika, e vërteta faktike themelohet nëpërmjet gënjeshtrave, të dhënat, dokumentet dhe faktet historike, që të gjitha mund të ndryshohen në interes të palës që është në pushtet. Në rast të ndonjë mosmarrëveshje, zgjidhja arrihet në të njëjtën mënyrë si arrihet për ndonjë mosmarrëveshje rreth ndonjë opinioni, ku shumica bëhet dëshmitare për vërtetësinë apo pa vërtetësinë e së vërtetës faktike, që është tërësisht një procedurë e pamjaftueshme, sepse shumicën nuk ka kush e ndalon që të japë dëshmi false. Është pikërisht e kundërta, ndjenja se i përkasim shumicës mundet shumë lehtë të na inkurajojë në dëshmi të deformuara apo mashtrime. Përderisa e vërteta faktike ekspozohet ndaj armiqësisë së opinionistëve, atëherë kur ata i thonë faktet troç mbi abuzime me detyrën duke shfrytëzuar postin zyra, apo duke përdorur një nepotizëm ekstrem me pasoja të rënda. Pasoja e gjithë kësaj është se e vërteta në këto kushte nuk mund të mbijetojë. Tani duhet të kthejmë vëmendjen tonë në fenomenet e manipulimit masiv të fakteve dhe opinioneve. Mashtrimi tradicional politik ka shqetësuar opinionin sepse të vërtetat sekretet, asnjëherë nuk janë bërë publike ose qëllimet, që edhe ashtu nuk posedojnë shkallën e njëjtë të vërtetësisë si fakte të kryera. Qëllimet janë vetëm potenciale të mundshme apo mashtrime, por gjithmonë në fund mund dhe duhet të dalë e vërteta. Në krahasim me këtë, mashtrimet moderne politike në mënyrë efikase merren me çështje që nuk janë aspak sekrete, por që janë të njohura, praktikisht për secilin qytetar. Vendi ynë është i stërmbushur me shembuj të mashtrimeve masive qoftë të fenomeneve sekrete apo edhe atyre që janë të njohura për publikun. Sjelljet politike të shumë figurave publike dhe politike kanë dëmtuar aq shumë të vërtetën, saqë kanë sjellë shtetin buzë greminës, për shkak të pasivitetit dhe humbjes së besimit të qytetarëve që duhet të jenë një nga mbrojtësit më të denjë të së vërtetës. Si rezultat i gjithë kësaj, sot në skenën politike, por pse jo edhe publike, një sërë figurash politike dhe publike që karrierën e tyre e kanë ndërtuar në kurriz të së vërtetës duke punuar natë e ditë që e vërteta kurrë mos të del në sipërfaqe. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se në Shqipërinë e pas pas diktaturës e kanë karakterizuar shumë fenomene të fshehta dhe publike që sot e kësaj dite nuk është thënë e vërteta. Kush e vrau Artan Santon, kush fshihet pas tij pse nuk zbardhet e vërteta? Shqipëria në vitin 1997 u shkatërrua e tëra u hapën depot e armëve dhe vendi u mbush me kufoma të pafajshmish si rezultat i një politike dilentanteske. Ngjarja e Gërdecit , aferat e armëve nuk janë zbardhur deri në fund apo misteret e vrasjes “aksidentale” e Trebickës në gjueti, vrasjet katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar sot e kësaj dite nuk dihet e vërteta e gjithë këtyre fenomeneve ato nuk janë zbardhur deri në fund ka plot mistere pasi e vërteta është e manipuluar duke i shërbyer një takëmi politikanësh që i kanë bërë duart pis me korrupsion. Deri më tani, për të gjithë këto fenomene është bërë politikë, por kurrë nuk është thënë fjala e fundit deri më sot nga drejtësia. Nuk ka dilemë për asnjë që një nga arsyet kryesore pse vendi ndodhet në këtë gjendje, kaos total, është fshehja e së vërtetës për të gjithë këto fenomene që e kanë karakterizuar vendin në këto 26 vite të fundit pas shembjes së diktaturës. Nuk ka dyshim se gjeneratorët e këtij imazhi turpërues e dinë shumë mirë, se ata duan të mashtrojnë popullin tonë në tërësi, por rezultati i këtij mashtrimi do të varet kryesisht nga ajo, se cilët dëshiron lideri t’i mashtrojë. Populli ka një thënie të mençur: “Do që të bësh kundërshtarë, mjafton që të thuash të vërtetën.” Dhe të thuash të vërtetën ka një kosto jo të vogël për deri sa ekziston një ushtri mashtruesish që e bën të bardhën të zezë. E vërteta, edhe pse e pafuqishme dhe gjithmonë e rrëzuar në dyluftime me të plotfuqishmit, posedon një fuqi potenciale brenda vetes, që në momentin kur do të del në sipërfaqe, ajo shemb të gjitha kullat prej rëre të ndërtuara nga figurat publike të këtij vendi. Pavarësisht tentimeve të këtyre figurave me fuqi false se çka mund të shkaktojnë kur fshehin të vërtetën, ata janë të pafuqishëm të zbulojnë ose të shpikin një zëvendësim të shëndetshëm për të. Bindja dhe dhuna mund të shkatërrojnë të vërtetën, por nuk mund ta zëvendësojnë me diçka tjetër, pavarësisht a bëhet fjalë për të vërtetën racionale. Tani janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme që e vërteta për të gjitha ngjarjet duhet që të zbardhi skuta e errësirës dhe pisllëqet e politikanëve .
Sigal