Marsejeza Topalli dhe përmbytja e Shkodrës

89

Është i treti vit rresht që Shkodra përmbytet dhe shtetarët, deputetët dhe përfaqësuesit lokalë të  këtij  qarku nuk bëjnë as më të voglin ndërhyrje për të parandaluar sado pak këtë katastrofë. Është e patolerueshme që një zonë e tërë të gllabërohet nga ujërat e lëshuara nga  liqenet e hidrocentraleve dhe drejtuesit e sistemit energjetik që fitojnë miliona euro në vit, afërsisht 500 milionë euro dhe nuk investojnë për mbrojtjen e pronës dhe pasurisë banorëve të zonës. Mjafton që një pjesë e vogël e asaj që grabitën apo u lejua të grabitej nga CEZ të investohej për mbrojtjen e qytetit dhe sot do kishim një tjetër situatë. Por hajdutët vodhën, shpërdoruan, grabitën dhe ikën në drejtim të paditur ndërkohë që, Shkodra dhe shkodranët vazhdojnë të jetojnë mes lagështirës dhe sëmundjeve. E të gjitha këtyre ndodhive u shtohet indiferenca dhe heshtja e pushtetarëve, deputetëve dhe Kryeparlamentares Topalli. Ndërkohë që, Shkodra filloi të ndiejë ethet e para nga lagështira e hidrocentraleve, zonja Topalli  fluturonte drejt Londrës. Ndoshta po të ishte kapur situata në kohë qoftë edhe këto 2 javët e fundit do kishim  një tjetër realitet në këtë qark. Ajo që sheh dhe dëgjon nga banorët e kësaj zone është shkatërrimi i të mbjellave, prodhimeve të serave, të aktivitetit industrial, shtëpive dhe vështirësitë e mbijetesës së njerëzve dhe vetë bagëtive dhe shpendëve. Dhe të mos harrojmë se shumica e këtyre banorëve, investimet apo edhe mbijetesën e tyre në pjesën dërrmuese e kanë realizuar nga kreditë bankare dhe borxhet, që një ditë duhet të kthehen tek këta të fundit. Po si mund t’i kthejnë këto të ardhura, kur prodhimet dhe gjithçka është shkatërruar? Dhe të mos harrojmë se nuk është një rast dhe vetëm një vit. Janë disa vite që po ndodh e njëjta situatë dhe prodhimtaria dhe pasuria është shkatërruar plotësisht. Por ditët e fundit hapja e tunelit të  shkarkimit të Fierzës ka bërë që, përmbytjet të shtohen me ritëm të shpejtë dhe se kjo situatë do të përkeqësohet edhe më tej, kur mendon se kushtet klimaterike i kemi kundër. Por edhe në këtë rast në vend që zonja  Topalli të shkonte në Shkodër  për të parë situatën, fluturon me avion drejt Marsejës në Francë. Madamme Topalli me siguri që, e ka parë nga sipër situatën në Shkodër  gjatë kohës që udhëtonte drejt Francës dhe me siguri ka menduar që më mirë të mos kisha shkuar dhe me lekët e biletave dhe të dietave të kishte ngritur një mburojë për ujërat që përmbytën qytetin. Para pak kohësh një funksionar i lartë gjerman anuloi vizitën në Tiranë për një fatkeqësi në familje. Mjafton  gjesti i funksionarit gjerman që Madamme Topalli të mos nisej në takimin e Francës, por të ishte sa më pranë atyre që pas dy javësh do shkojë t’ju kërkojë votën për të rinisur udhëtimet e tjera anekënd botës pavarësisht fatkeqësive të ish-bashkëqytetarëve të saj. Me pak fjalë kësaj i thonë: “Tokat e Shkodrës mbyten, Topalli gëzon në sallonet e ngrohta të Marsejës dhe Londrës”.