MARRËDHËNIET E PRESIDENTIT TRUMP ME KONGRESIN PO KEQËSOHEN DITA-DITËS

578
Sigal

Nga Frank Shkreli*
Ky është vlerësimi i medies amerikane dhe i vet anëtarëve të Kongresit Amerikan, përfshirë disa prej emrave më të njohur të senatorëve amerikanë të Partisë Republikane. Disa prej tyre nuk kanë munguar të shfaqin publikisht frustrimet dhe shqetësimet e tyre për mënyrën e qeverisjes nga ana e Presidentit Trump, mungesën e disiplinës dhe stilin e tij prej udhëheqësi dhe me gjendjen që shpesh tashmë karakterizohet si kaotike në punët e përditshme brenda Shtëpisë së Bardhë. Kritikat ndaj Z. Trump nga Partia Demokrate dhe e përfaqësuesve të saj në Kongres kanë qenë gjithashtu të ashpra, por ato priten të jenë të tilla nga një parti që është në opozitë. Por ajo që duhet të shqetësoj Presidentin Trump si dhe këshilltarët dhe mbështetësit e tij, është fakti se vet republikanët, përfshirë përfaqësuesit më të lartë në Kongres dhe në Senatin Amerikan, kanë filluar të tregojnë shenja lodhjeje me mënyrën e qeverisjes së administratës Trump dhe posaçërisht me deklaratat publike të Presidentit Trump mbi çështje të ndryshme të politikës së brendshme dhe të jashtme. Ditët e fundit, Presidenti Trump është kritikuar ashpër se ishte i vonuar në dënimin e një grupi neo-nazistë që ishin mbledhur për një protestë në qytetin Çarletsvillë të shtetit Virxhinia 10-ditë më parë, protestë e cila përfundoi në vdekjen e një kundër-protestueseje dhe në plagosjen e duzina të tjerëve. Për këtë Z. Trump u ndesh me kritika të ashpra nga shumë qarqe në Washington dhe nga shoqëria amerikane në përgjithësi, përfshirë medien. Por ishin kritikat që erdhën menjëherë nga një numër senatorësh republikanë në Senatin Amerikan, për reagimin e ashpër të cilëve duhet të shqetësohet Z. Trump. Jo se kritikat e tjerëve nuk kanë rëndësi, por sepse janë pikërisht senatorët republikanë ata, për mbështetjen e të cilëve, ka nevojë Presidenti Trump. Sido që të konsiderohen këto kritika të senatorëve republikanëve në Kongres, ditët e fundit, nga vërejtës të spektrave të ndryshme politike, pro dhe kundër, një gjë është e qartë: mund të thuhet se ato janë të pa precedencë në fjalorin politik amerikan, e që nuk janë dëgjuar ndoshta mund të thuhet që prej skandalit “Uuotergejt” në fillim të 1970-ave, atëherë kur në të vërtetë ishin vetë republikanët në Kongres ata, të cilët hetuan skandalin që më në fund çoi në censurimin e ish-presidentit republikan, Riçard Nikson dhe në dorëheqjen e tij nga detyra e presidentit. Njëri prej zërave më kritikë javën që kaloi kundër Z. Trump ishte ai i Senatorit Bob Crocker nga shteti Tenesi, i cili njëherazi mban edhe detyrën me influencë në Kongres, si Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme. Senatori Crocker në një takim me gazetarët në qytetin Çatanuga në Tenesi – i pyetur për reagimet e tija mbi ngjarjet e fundit në Çarletsvillë të Virxhinias, u shpreh se, Presidenti Trump nuk i ka karakteristikat e nevojshme, duke thënë se ai, “Nuk ka mundur ende të demonstrojë stabilitetin dhe as disa prej aftësive të cilat ai duhet t’i ketë venë në dukje deri më tani, me qëllim që të dalë me sukses”, në realizimin e agjendës së tij si president. Ai bëri thirrje për për një fillim të ri, duke thënë se nevojiten “ndryshime radikale” në Shtëpinë e Bardhë dhe se mos bërja e ndryshimeve të tilla e lë vendin në “rrezik të madh”. Në të kaluarën, Senatori Crocker ka kritikuar ashpër por edhe e ka mbrojtur Presidentin Trump dhe administratën e tij, ndërsa ka thënë se pajtohet me disa politika kyçe të Shtëpisë së Bardhë. “Ne kemi nevojë që ai (Presidenti Trump) të dalë me sukses. Kombi ynë ka nevojë që ai të dalë me sukses”, u ka thënë gazetarëve Senatori Bob Crocker. Senatori Crocker i bëri komentet e tija kritike ndaj Presidentit Trump pasi një numër senatorësh të njohur republikanë, përfshirë Senatorët Xhon Mekejn, Mark Rubio dhe Xhef Flejk, Lindsi Gaham, e të tjerë, kritikuan gjithashtu përgjigjen e Presidentit Trump ndaj protestave dhe kundër protestave, në Çarlotsvillë, dhjetë ditë më parë. Presidenti Trump është “fërkuar” edhe me udhëheqësin e shumicës republikane në Senat, Z. Mitç Mëkanëll dhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane, Kongresistin Polë Rajen, i cili është shprehur ditët e fundit se, “Duhet të jemi tepër të qartë se urrejtja dhe fanaticizmi janë në kundërshtim të plotë me të gjitha qëndrimet parimore të moralshme të këtij vendi. Për këtë, nuk guxohet të ketë asnjë dyshim.” Ndërsa Senatori republikan nga shteti Arizona, Xhef Flejk ka botuar kohët e fundit një libër ku, sipas të dhënave në media, paralajmëron se “Konservatizmi po komprometohet nga forca të tjera të fuqishme si –nacionalizmi, populizmi dhe ksenofobia”, një referencë kjo ndaj ardhjes në fuqi të presidentit Trump. Ndërsa, Senatori Mëkejn, cili shpesh kritikon politikat e brendshme dhe të jashtme të Z. Trump, është shprehur në lidhje me zhvillimet në Çarletsvillë duke thënë se ”Nuk mund të ketë barazi morale midis racistëve dhe amerikanëve të cilët marrin një qëndrim parimor kundër urrejtjes dhe fanatizmit.” Ndërkohë që një zë tjetër me rëndësi dhe influencë në Kongres, sidomos në punët e jashtme, Senatori republikan Lindsi Graham i bëri thirrje Presidentit Trump duke iu drejtuar me fjalët: “Z. President. Ju inkurajoj që të përpiqeni të na bashkoni si komb, pas ngjarjeve të tmerrshme në Çarlotsvillë. Fjalët tuaja po i ndajnë amerikanët dhe nuk po i pajtojnë ata”, theksoi Senatori i Karolinës së Jugut. Të gjitha këto reagime erdhën si përfundim i deklaratës së parë të Presidentit Trump në lidhje me ngjarjet në Çarlotsvillë, ndërkohë që ishte shprehur se, “Dënoj urrejtjet, fanaticizmin dhe dhunën nga të gjitha palët.” Kjo deklaratë u kritikua ashpër dhe u konsideruar si e pa mjaftueshme – pasi u interpretua se Presidenti barazoi të dy palët, moralisht — gjë që çoi në një deklaratë të dytë të Presidentit Trump, në lidhje me ngjarjet në Virxhinia. Kësaj radhe ai bëri një deklaratë më të fortë kundër grupeve ekstremiste duke përmendur drejt për drejt me emër, organizatat ekstremiste dhe raciste KKK, neonazistët dhe të tjerë. “Racistët”, tha Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë, “si dhe ata që shkaktojnë dhunë në emër të tyre, janë kriminelë dhe vrasës, përfshirë KKK dhe neo-nazistët, e të tjera grupe urrejtëse, të cilat janë fyese ndaj të gjitha parimeve që ne amerikanët i duam dhe i ruajmë si të shenjta.” Herët ose vonë, besoj se zhurma rreth ngjarjeve në Çarletsvillë do të pushojë, ndonëse ndoshta nuk do të harrohet aq shpejt. Por, marrëdhëniet e Presidentit Trump me Kongresin amerikan, sidomos me republikanët që kanë shumicën, janë aty dhe të përditshme. Të dy palët kanë nevojë për njëra tjetrën në qoftë se duan të zbatojnë agjendën e tyre të politikës së jashtme dhe të brendshme për kombin e tyre, agjendë për të cilën janë zgjedhur nëntorin e kaluar dhe të cilën ua kanë premtuar votuesve amerikanë se do ta miratojnë, në drejtim të cilës deri tashti nuk është bërë asgjë. Janë pikërisht senatorët republikanë ata për të cilët ka më shumë nevojë Presidenti Trump, në qoftë se shpreson që Kongresi të miratojë agjendën e tij — ose pjesë të saj kryesore — për të cilën bëri fushatë në zgjedhjet presidenciale. Për më tepër dhe çka është më e rëndësishme, Z. Trump duhet ta mbajë mirë me udhëheqësit republikanë në Kongres, sepse është ai që do të ketë nevojën e senatorëve republikanë në qoftë se — për një arsye ose një tjetër — vjen puna tek censurimi i tij në Kongres, si përfundim i hetimeve që po zhvillon tani prokurori i posaçëm Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjet ose jo të Rusisë në fushatën elektorale për president të Amerikës, vitin që kaloi. Është në interesin e tij personal, por edhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Presidenti Trump t’u japë një drejtim tjetër – ndoshta një ndryshim radikal — marrëdhënieve të tij me Kongresin, në qoftë se dëshiron të mënjanojë një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me degën e fuqishme legjislative të vendit.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë