Marrëdhëniet e forta me SHBA janë shpëtimi i vetëm i shqiptarëve

787
Nga Dritan Mishto*

Është një kënaqësi e madhe që sot diskutojmë në “Vatër” rreth tezave politike e kombëtare që shtron publicisti i njohur Frank Shkreli, të pasqyruara profesionalisht në përmbledhjen publicistike “Demokracia nuk pret”. Diskutimi rreth këtij libri sot në Federatën “Vatra” zhvillohet në një kohë të rëndësishme për ecurinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të cilat në periudha të ndryshme historike kanë pasur luhatjet e veta. Me keqardhje duhet të pranojmë se ndërprerja apo dobësimi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane ka ardhur gjithmonë nga politika shqiptare. Marrja e pushtetit nga komunistët në vitin 1944 dhe vendosja e njërës prej diktaturave më të ashpra në botë u pasua menjëherë me dobësimin dhe ndërprerjen e marrëdhënieve me SHBA. Por, edhe më pas rivendosjes së tyre në vitin 1991, këto marrëdhënie janë prekur nga lojërat politike dhe interesat meskine te politikanëve shqiptarë, të cilët në disa raste kyçe nuk janë ngritur në lartësinë që kërkon mbajtja fort dhe të shenjta të marrëdhënieve mes dy kombeve tonë. Mbrojtësit e flaktë dhe të pa kompromis të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane janë diaspora jonë në SHBA me në krye Federatën Panshqiptare “VATRA” dhe mbarë kombi ynë. Ndaj edhe qeveritë shqiptare janë pro-amerikane, sepse përfaqësojnë një nga kombet me proamerikanë në botë. Siç e dini, “Vatra” nuk përfshihet në debate politike, por më duhet të ngre disa shqetësime të konstatuara gjatë viteve të fundit lidhur me cenimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA. 

E para, është çështja e shkatërrimit të armëve kimike siriane në vitin 2013. Siç dihet pati disa protesta në Shqipëri kundër përfshirjes së Shqipërisë në këtë proces, protesta, të cilat siç u pa qartë u nxitën indirekt nga qëndrimi i Kryeministrit Rama, duke mbajtur popullatën në një errësirë informative lidhur me të vërtetën e kësaj lëvizjeje diplomatike nga ana e SHBA. Është fatkeqësi shumë e madhe që për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona diplomatike u protestua përpara Ambasadës Amerikane në Tiranë, vetëm (e përsëris) për shkak se Kryeministri i Shqipërisë nuk i paraqiti qytetarëve të vendit të tij tërësinë e planit të shkatërrimit të armëve kimike (aq sa shqiptarët pandehën se armët do të shkarkoheshin në port dhe do përbënin rrezik direkt për popullatën). Pra, një sjellje kryeministrore pasqyrohet direkt në marrëdhëniet mes dy kombeve tona dhe ne nuk duhet të harrojmë diçka të rëndësishme se çdo cenim, çdo dobësim i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane sjell rritjen e drejtpërdrejtë të influencave ruse në rajon, ndaj ne nuk duhet të kemi as më të voglën luhatje, se i vetmi aleat dhe mik i fortë i Shqipërisë dhe shqiptarëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tendenca e shfaqur nga Kryeministri Rama, që Shqipëria e vogël të luajë rolin e një nukli politik me marrëdhënie të shumta me Perëndimin e Lindjen është e kotë. Shqipëria duhet të ketë si bosht kryesor të politikes së saj të jashtme fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA dhe ndjekjen e politikës amerikane. 

Rasti i dytë, sërish i përjetuar me trishtim nga mbarë kombi shqiptar, është votimi i Shqipërisë kundër vendimit të Presidentit Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Është rast i rrallë në historinë e qeverisjeve botërore që një qeveri të votojë kundër mikut dhe aleatit më të madh të saj (me një popullsi në shumicë dërrmuese proamerikane) siç ndodhi me votën e Kryeministrit Rama kundër SHBA. Ajo votë nuk mund të pranohet kurrsesi që është votë e shqiptarëve kundër Amerikës. Jo, ajo është vota e Edi Ramës kundër SHBA dhe politikës së saj zyrtare, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë qenë nismëtarja dhe mbrojtësja e shqiptarëve në Ballkan, me një rol parësor në pavarësinë dhe procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Arsyetimet dhe justifikimet e qeverisë shqiptare duke sjellë argumente të diplomacisë së periudhës hoxhiste për të justifikuar votën kundër janë qesharake. 

E treta, vendimi i fundit i Presidentit Trump për sulmin ndaj shkatërrimit të bazave kimike ne Siri. Nuk pati asnjë deklaratë përshëndetëse nga Kryeministri shqiptar. Pa asnjë shpjegim. Ndaj edhe Federata Panshqiptare “Vatra” ashtu si në të shkuarën do të jetë aty ku konstatohet një zbrazëtirë apo ku krijohet një e krisur sado e vogël në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke u bërë si gjithmonë gardiane e fortë dhe pa kompromis e paprekshmërisë së tyre. Në Kuvendin e fundit të Federatës Panshqiptare “Vatra” u miratua platforma fituese që parasheh se “Vatra” do të ndjekë dhe do mbështesë fuqimisht vendimet e Departamentit të Shtetit, Qeverisë Amerikane dhe Presidentit Trump lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse ne jemi të bindur tek dashamirësia e tyre ndaj nesh dhe se largpamësia e vendimmarrjes amerikane i tejkalon aftësitë e politikanëve shqiptare për t’i gjykuar këto vendime. “Vatra” do të bëjë gjithçka që forcimin e këtyre marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara ta kthejë, ashtu si deri tani, në forcimin e pozitës së shqiptarëve. Ndaj, edhe analizat e mikut tonë të nderuar Frank Shkreli marrin një rëndësi të veçantë, sepse i përgjigjen realitetit dhe japin rrugëzgjidhje për një të ardhme më të mirë. Vetëm marrëdhëniet e forta dhe të palëkundura me ShBA janë dhe do të jenë shpëtimi i shqiptarëve.

Ju faleminderit!
*Diskutimi i Kryetarit të Federatës Panshqiptare “VATRA”, z. Dritan Mishto në debatin e zhvilluar në “Vatër” rreth marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, me rastin e publikimit të librit “Demokracia nuk pret” të z. Frank Shkreli.


Sigal