Marko Dajti:Vrasja e Santosit, mesazh i qartë, qeveria të marrë masa sa nuk është vonë!

569
Sigal

Koment/Drejtuar Kryeministrit, ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë!

Vrasja e bankierit Artan Santo, drejtor ekzekutiv i të vetmes bankë shqiptare, tregon se sa i ekspozuar është ky sektor kaq delikat për ekonominë shqiptare. Edhe më shqetësuese është mënyra se si u krye ky ekzekutim makabër, në zonën më të sigurt të kryeqytetit.

Partia e Punës e Riorganizuar, ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve analiza të zgjeruara me ekspertë të vjetër të sigurisë kombëtare dhe ish-kuadro të kundërzbulimit shqiptar. Konkluzioni i këtyre analizave, është se atentati ndaj Santos nuk është thjesht një goditje ndaj një kryebankieri, por një goditje që synon pavarësinë e financave të shqiptarëve. Objektivi i zgjedhur ishte drejtuesi i një banke që, jo vetëm ishte e vetmja me kapital shqiptar, por edhe një ndër katër bankat më të suksesshme gjatë viteve të fundit. Ekspertët thanë, se gjatë analizës së informacioneve të mbledhura prej tyre gjatë ditëve të fundit, rezulton se dyshimet më të mëdha bien mbi shërbime të huaja, të lidhura ngushtë me filiale të bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri. Janë pikërisht këto banka të huaja që si mision parësor kanë mbledhjen e kursimeve të shqiptarëve dhe transferimin e tyre drejt bankave-mëmë në shtete të tjera, duke realizuar jo vetëm kontrollin mbi financat e shqiptarëve, por edhe të lenë të hapur mundësinë e bombës së fshehur në sistemin financiar, të ngjashme me atë që shpërtheu në vitet 1996-1997 me rënien e firmave piramidale. Këto banka-piramida, të licencuara nga qeveritë e kaluara, në këtë mënyrë realizojnë edhe misione ogurzeza në dëm të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. PPR shikon të arsyeshme t’ i bëjë edhe një herë thirrje qeverisë shqiptare, deputetëve dhe ministrave, të braktisin garën e servilizmit dhe dhuratave të shtrenjta ndaj Kryeministrit që dje mbushi 50 vjeç, por të mblidhen urgjentisht për të vendosur për krijimin e Bankës Shtetërore të Kursimeve, përpara se piramidat e reja t’ i vënë edhe një herë zjarrin Shqipërisë. Askush nuk do t’ ju përjashtojë nga përgjegjësia historike, në rast se me mosveprimet tuaja do të shkaktoni tragjedi të reja. Boll punuat vetëm për xhepat tuaja dhe për të huajt! Mendoni një herë edhe për shqiptarët!

Kryetari i PPR dhe kryetar i Frontit të Majtë