Marko Dajti: Rikthehet “Qazim Mulleti” në Komunën Dajt

783
Sigal

*(Sekretari i Parë i PPR)

 Partia e Punës e Riorganizuar, pjesë e koalicionit të majtë bashkëqeverisës, shpreh mbështetjen e pakufizuar për Kryeministrin Rama në fushatën antikorrupsion që qeveria e re ka filluar pas ardhjes në pushtet. Por, ne konstatojmë me hidhërim se masat e deritanishme, që kanë dhënë efekt në disa sektorë si rendi dhe shëndetësia, nuk po shtrihen në shumë fusha të tjera. Në mënyrë të veçantë, qeverisja e re duhet t’i kushtojë një vëmendje të jashtëzakonshme segmenteve që qeverisen po nga Partia Socialiste në pushtetin vendor, për të evituar që qeveria “Rama” të shndërrohet në një kopje edhe më të shëmtuar të qeverisjes “Berisha”. Kjo pasi, disa pushtetarë socialistë në bazë i kanë shndërruar bashkitë apo komunat në çifligje personale dhe zyrat e shtetit po funksionojnë si hamame private. Këta pashallarë të rinj kanë kaluar çdo cak të normalitetit, duke rrezikuar seriozisht të shndërrojnë në farsa edhe iniciativat më serioze të qeverisë së Majtë. Nuk do të jetë i besueshëm një Kryeministër që kërkon ndëshkimin e shkelësve të ligjit, kur në këto njësi vendore, fare pranë kryeqytetit, ligj është vetëm fjala e çifligarëve socialistë. Shembull konkret është kryetari i komunës së Dajtit, Kujtim Qefalia, i mbiquajtur “Qazim Mulleti” nga banorët e zonës, i cili ka në pronësi qindra hektarë tokë të përvetësuara në mënyrë abuzive dhe që ka vënë të punojnë në tokat e tij gjithë punonjësit e komunës së Dajtit. Jo vetëm argatët që paguhen nga komuna, por edhe mjetet e punës që punojnë çdo ditë tokat e “Qazimit” janë pronë e komunës, pa llogaritur karburantin që çdo litër e harxhon vetëm familja e tij dhe askush tjetër. Ata punonjës që kanë në përdorim makina të komunës dhe që kryejnë punët e shtetit dhe jo të “Qazimit”, edhe naftën e paguajnë nga xhepi i tyre. Ky njeri që ka në pronësi qindra apartamente dhe disa hotele, të përvetësuara duke rrjepur ndërtuesit në Qesarakë, ka arritur deri atje sa të nxjerrë edhe familjet e varfra nga shtëpitë dhe tokat e tyre, duke i shndërruar në bujkrobër në pronat e veta. Kjo deklaratë duhet të shërbejë si nxitje për qeverinë socialiste për vetëpastrim në radhët e veta, një “katarsis” që nuk duhet të kursejë këta çifligarë që po i nxijnë faqen Partisë Socialiste dhe të majtës shqiptare. PPR do të jetë përherë e gatshme të kontribuojë në këtë proces historik, duke ofruar në të ardhmen të dhëna edhe më të detajuara për “bëmat” e “Qazim Beut”, por edhe të gjithë Qazimëve të tjerë në radhët e koalicionit të majtë.