Marko Bello: Nervozizmi Kryeministror dhe llogaridhënia për taksat

664
Sigal

Më bëri përshtypje një reagim nervoz i kreut të Qeverisë, teksa po dialogonte me ndjekësit e vet në rrjetet sociale. 

Vërejtjes së një qytetari, se përse mungon sistemi i ngrohjes në shkolla e çerdhe, i pari i ekzekutivit iu përgjigj me një kundër pyetje: Çfarë taksash paguan ti? Dhe vijmë kështu te një temë që politikanët tanë e kanë shumë për zemër, sa kohë janë në opozitë, por që i bën të kërcejnë pupthi, kur janë në pushtet. Është fjala për taksat dhe tatimet që shtetasit paguajnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, por që opozitës i duken shumë, ndërsa shumicës në pushtet pak. Në fakt, sikur vetëm të famshmes TVS, apo tatimit mbi vlerën e shtuar t’i referohemi dhe që është 20% për të gjitha produktet që tregtohen në Shqipëri, do të mjaftonte t’i kujtonim çdo pushtetari në nivel qendror apo lokal, se këto para vijnë nga xhepat e të gjithë qytetarëve. Por në vendin tonë ka edhe shumë taksa të tjera, sikurse ato që lidhen me karburantin, rrugët etj, që rëndojnë goxha në xhepat e taksapaguesve. Në Tiranë, edhe parkimi nëpër akset kryesore është 100 lekë/ora, njëlloj si në vendet perëndimore ku pagat janë disa herë më të larta. Shteti mbahet me taksa dhe pagimi i tyre është një detyrim ligjor për çdo individ, por fatkeqësisht, si në shumë raste, edhe në këtë fushë nuk respektohet thuajse fare fjala e urtë popullore : “Gjella me kripë, por kripa me karar”.