Mark Topollaj/ Reforma e Arsimit të Lartë dhe realiteti shqiptar

631
Shqiptari e kërkon me zemër dashurinë e mohuar, e cila bëhet e dhunshme, kur individit i mohohet liria e mendimit. Menjëherë i humbet çdo virtyt dhe vlerë morale. Këtë ligësi të shoqërisë sonë e ka përvetësuar politika, e cila dhunon etikën e garanton imoralitetin. Reforma në arsim do të thotë një dobi e menduar e kombit, por më parë duhet të përcaktojmë se tjetër është qeveria e tjetër Atdheu, thoshte Gjergj Fishta. Njerëzit e mençur duhet ta detyrojnë politikën me kuptu, se shkolla nuk është vegël e politikës, por vatër mësimi e përparimi. Kjo dukuri e domosdoshme që sjell mësimi e edukata quhet mentalitet i përbashkët ose qytetari. Reforma në shkollat e larta është një gjë pa kuptim, është ndrydhje e mendimit për arsimin, është dhunimi e poshtërimi për fëmijët e varfërisë dhe një tallje e pamenduar në përparimin e Atdheut. Mendimi politik për reforma është një mendësi komuniste dhe një kuptim i një qeverie që nuk krijon hapësira për punësim, por hedh në lojë zarin e reformave pa platformë kombëtare.
Dhuntia e shqiptarit
Dhuntia e shqiptarit është ruajtja e traditës e bazuar në një organizim të brendshme strukturor dhe ka një vetëmbrojtje që shprehet me këngët e dashurisë e të trimërisë. Kjo e vërtetë themelore gjendet tek emocionet e menjëhershme. Pra, arti të jep mundësi që të kombinosh dijet me urtësinë dhe krijon dhuntinë e komunikimit. Mjerisht politika jonë nuk di të gjejë kodin për të lexuar madhështinë e artit. Fuqia e artit në kohën e mjerimit lidh tokën me qiellin dhe i detyron bilbilat që të këndojnë njëherësh lavdinë e kombit. Ai i keni parë ndonjëherë sytë e fëmijëve, që nuk i kanë parë kurrë prindërit e tyre? Ata sy quhen drita e dëshpërimit dhe e dhimbjeve të mëdha shpirtërore. Banorët e bjeshkëve thonë se syri vdes me shiun dhe flokët e prindërve të tyre shkrihen me rënien e gjetheve të vjeshtës. Kurse kujtesa është e pavdekshme dhe me forcën e bardhësisë së jetës i bën ballë trishtimit. Po ata fëmijë, që presin krismat e hakmarrjes mbas koke a i keni parë apo dëgjuar zërin e tyre të mekur? U është vrarë shpresa. Kjo politikë e shëmtuar për çfarë reforma flet, ku filizat e kombit i ka harruar në mjerimin e vet. Kjo politikë shqiptare e krijuar nga injoranca e nepotizmi është e pajisur me një mentalitet bizantino-aziatiko-ballkanik. Domosdoshmëria e reformave arsimore mund të arrihet vetëm, kur fëmijët e mjerimit të ulen në bankën e dijes bashkë me moshatarët e tyre. Të nderuar politikan rrëmujaxhi, këtu tek ne, më parë duhet reforma e mendimit politik, që do të thotë zgjimi i edukimit të mendjes. Pastaj duhet bërë reforma kulturore, e cila duhet të fillojë nga gjuha, sepse gjuha është vetë kultura. Kjo vazhdimësi filozofike shqiptare do të krijojë mundësi që të largojë ata që nuk kuptojnë problemet e kulturës e të atdheut. Reforma duhet të jetë sintetike e analitikë dhe nuk mund ta bëni ju që sot kërkoni bashkëpunim kulturor e artistik me Serbin armikun tonë shekullor. Kjo quhet dhunim i identiteti kombëtar dhe një poshtërim i ndjenjave të gërvishtura të këtij populli. Thonë se kultura e një populli buron nga mentaliteti i përbashkët i krijuar në bazën e dijes. Pushtimet shekullore shqiptarët i ka pajisur me një mentalitet Bizantino-Aziatiko-Ballkanik. Kjo dhimbje e madhe ka krijuar një mentalitet konfuz dhe ka çorientuar bazën shkencore të mësimdhënies. Kjo do të thotë se kultura e karakteri burojnë prej moralit të politikës prej moralit të pushtuesit. Por e vërteta e këtyre thënieve sot ka një lakmi të pa ngopur, sepse mbështetet tek një politikë e mefshtë e mjaft e paditur. Për të kuptuar se kush janë shqiptarë, duhet të lexojmë e të përvetësojmë ligjin e maleve, i cili ka zbuluar strukturën e mefshtë të bashkimit edhe kur nuk ka pasur bukë në sofër. A. Giuseppe (Zef) Valentine një nga korifenjtë e kulturës sonë kombëtare përcakton:
“Shqiptarët janë një komb me fizionomi të veçantë, ku zbulon elementin origjinal brenda një strukture të fshehtë amtare.
Çelësi për të zbuluar hapësirat
Çelësin për të zbuluar hapësirat e fshehta të shpirtit ia dha ligji i pa shkruar i maleve, i cili është një mentalitet i veçantë etik i themeluar mbi ndjenjën e nderit, besnikërisë e lirisë”. Ky mendim i shprehur nga At. Zef Valentini, duhet të zërë vend në jetën e përditshme për të krijuar një mentalitet të përbashkët. Këto ligjërata mbresëlënëse që përcakton ligji i maleve nuk mund ta kuptojnë personazhet e emëruar nga nepotizmi. Këto qenie nuk kuptojnë, traditën, historinë, kuptimin e kulturës ose sensin e lirisë së individit dhe bashkësinë sociale. Shumë popuj të botës ndriçimin e gjuhës e humbën. Këtë deshën pushtuesit e kësaj toke. Kjo e keqe nuk u mundësua falë historianëve, gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve katolik të cilët na përtëritën gjuhën dhe na plotësuan boshllëkun e historisë nga shekulli i tretë para Krishtit e deri në ditët e sotme. Pra këta mendimtar të kombit megjithëse të vdekur sot hala të mohuar mbajnë ndezur temën kombëtare dhe interpretimin e varreve të humbura. vazhdimësia e mjegullës shqiptare në mes politikanëve mashtrues dhe dëshpërimit të popullit ka krijuar një trishtim të destinuar. Të mos na mohojnë virtytet e etërve aristokracia e krimit që drejtohet nga elita politike. Reforma arsimore duhet të ketë një platformë kombëtare dhe të ruhet barazia krahinore. Në vazhdimësinë e këtij mendimi duhet që të pamundurit të ulen në bankat e shkollave për të provuar aftësinë e mendjes në konkurrencë me padrejtësinë. Veriu i Shqipërisë është i përdhosur nga poshtërimi që i bëhet në vazhdimësi gjenive të kombit. Një plak i ulur në një gur murane tha?: 
Pa ju heq laku që i është hedh në fyt shqiptarëve dhe pa u zgjidh hekurat e komunizmit që mbajnë lidh skeletet e nëndheshme të klerit katolik, Shqipëria nuk mund të distancohet nga krimi. Si është e mundur që në tekstet shkollore nuk flitet hala për ata që na përtërinë gjuhën dhe krijuan në perfeksion kulmet e letërsisë e kulturës Shqiptare. Kjo është reforma arsimore e një shteti që di vetëm të flasë me gojën e të paaftëve, të cilët nuk janë pak? Z. Edi Rama nuk duhet që bijtë e kombit të rriten bashkë me paaftësinë e Shtetit e me edukatën e përvetësimit dhe vrasjeve pa precedencë. Këtu lëkundet ndërgjegjja e Atdheut. Hala nuk jemi shtet. Ashtë e qartë se një shtet që nuk respekton ligjet e veta,, tregon lodhje dhe pamundësi të eci me këmbët e veta. Asnjë lloj reforme nuk mund të bëhet pa sqaruar mendimin kombëtar dhe atë politik, pastaj të bëhet reforma gjuhësore. Sepse e shkruara është gur themeli i kulturës dhe rizgjon historinë. Kjo domethënie vendos dijet tona, përballë një reagimi agresiv shovinist të fqinjëve tanë, të cilët në vazhdimësi na shtrëngojnë në derën e dhimbjes. Shqiptarëve po u humbet memoria. Jetojmë në stuhinë e historisë me gjithë varfërinë tonë dhe me një dhuratë nervore të spostuar.
Sigal