Mark Topollaj: Drejtësia e mohuar dhe mendimi intelektual

552
Sigal

Ju njerëzit e politikës jeni fryrë nga madhështia e rreme
e pushtetit dhe e karriges së pamerituar

Drejtësia është e mohuar dhe mendimi intelektual është
thërrmuar

Kombi nuk mund të mbahet gjallë pa shkrimtarë dhe
artistë, këtë e ka dëshmuar historia

 

Mark Topollaj, kinoregjisor

 

E keqja na ka depërtuar thellë në zemër e shpirt. Jeta na
është mbuluar nga një perde e zezë. Aty ku nuk dënohet mashtrimi e krimi nuk ka
drejtësi, nuk ka sistem drejtësie
. Shqipëria nënë e rreckosur e burrave fisnik dhe e grave
që rrezatojnë bukurinë e shtojzovalleve thotë Bajroni, jetojnë në luginat e
Ilirisë. Ky vend është i rrethuar me male sublime dhe shtëpi karakteristike të
vendosura në grykën e maleve, të cilat si këto rrallë herë i shef syri në
rruzullin tokësor. Në veprën “Përrallat te hani buzë rrugës” të shkrimtarit
Longfollou na flet për heroin tonë Skënderbeun. Na kujton mallin e lavdisë së
shkuar. Nuk e di se si më lind pyetja: Pse shqiptarët historikisht të krishterë
do të konvertoheshin në myslimanë?! Ndoshta kjo ka ardhur si një kompleks
psikologjik i drejtuesve të pa aftë. Më mirë se kushdo kësaj pyetje mund t’i
përgjigjet Sali Berisha, si pinjoll e fundamentalizmit, si komunist i thekur
dhe agjent besnik i pansllavizmit ballkanik. Shqiptarët që banojnë në tokën e
tyre të shenjtë me tradita e zakone të rralla janë të destinuara të ndjekin
vuajtjet e të parëve të tyre.

Evropa, në gjurmimet historike shihet se në raste vendimtare,
popullit më të vogël të kontinentit i vuri grykën e pushkës dhe i mori tokat
padrejtësisht dhe ju dha këlyshëve të Rusisë. Kjo tokë është e jona e jo çiflig
i askujt ose mall tregu në duart e kopukëve të Ballkanit e të Europës. Na
ktheni tokat, na ktheni Çamërinë. Ky veprim do të shuaj kontradiktat ballkanike
dhe do të tregojë se jeni të gatshme të merrni përgjegjësitë e veprimi të
gabuar tragjik për Shqiptarët. Drejtësia e këtij vendi të trazuar kërkon me pa
vetëm thellësinë e errësirës. Nata vjen shpejt, kurse mëngjesi është i pa
arritshëm.

 

Drejtësia është e
mohuar dhe mendimi intelektual është thërrmuar.

Orientimi estetik shkrihet me fundamentalizmin dhe
prezantojnë aftësinë e shteti oligarkik. Intelektualët krijues dhe ata mbarë
kombëtar duhet të ngrihen në një përballje frontale kundra harrimit të qëllimit
e përçmimit për të krijuar përmendoren e mendimit kombëtar, si një veprim
sublime për madhështinë e kombit.

Ju njerëzit e fryrë të politikës nga madhështia e rreme e
pushtetit e quani veten njerëz të përvojës dhe mund të sfidoni vet vdekjen,
pavdekësinë e ndërgjegjen e kombit. Me shumë modesti po jua them se jeni më të
pa aftit e Shoqërisë Shqiptare. Kjo thënie është domethënie, sepse dhimbja
popullore vjen çdo ditë ma intensive, sidomos kur mendon jetën e humbur të
fëmijëve tanë. Në Shqipëri stinët e vitit janë të pa zakonta dhe të
trishtueshme. Në veprat e letërsisë shqipe shkrimtarët kanë nxjerrë në dukje
veprimin e kuptimit të historisë duke sjellë fenomenin e vetëmohimit. Lirika
elegjiake përcakton veprimin e flijimit personal që është fillimi dhe fundi i
tonit kryengritës përpara padrejtësisë.

 

Shpirti kryengritës
i At Gjergj Fishtës

Në këtë analizë të shkurtër u shtyra nga shpirti
kryengritës i At. Gjergj Fishtës –Homeri i ri i Shqiptarëve. Ky prift
françeskan, misterin e fateve të kombit e kërkon tek kulti i trimërisë që del
nga gryka e pushkës. Sot nuk është kohë për të folur për gjenialitetin e këtij
fenomeni por shqiptarët duhet ta dinë se nuk ka shkrimtar në botë dhe Europë që
është krahasuar me Homerin, me Dante Aligerin, me Gëten e Shilerin. Në këmbim
letrash midis Eqerem Çabejt me Lasgush Poradecin, ky i fundit i përgjigjet: “Fishta
edhe në fushën e satirës, vrapon krah për krah me Molierin”. Letërsia moderne shqiptare
lidhet me fenomenet e bashkëkombësve për të krijuar forma e ndjeshmëri të reja
të krahasueshme me letërsinë bashkëkohore europiane. Në vazhdimësinë e kësaj
rrjedhje u kultivuan karakteristikat individuale të cilët nxorën kupolën e
atdhetarizmit. Mendimi dhe guximi legjitim kundra padrejtësisë duhet të na nxisë
për t’iu drejtuar organeve juridike shqiptare dhe asaj evropiane për të na
kthyer ndërtesën e vjedhur të Kinostudios dhe të Lidhjes së Shkrimtareve.
Kineastët por edhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të vihen përballë trurit
të ndryshkur të politikës për t’iu kthyer Kino-studion kineastëve dhe popullit.
Kjo qendër ka rënë në dorën e të pamundurve, të cilët i bëjnë propagandë
mediokritetit politik. Shteti dhe politika kanë harruar, se kjo qendër mbrohet
nga UNESKO. Është e udhës dhe mund të kthehet shumë mirë në një qendër
kinematografike shqiptare-ballkanike. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se këta
kopukë të politikës dhe të shtetit, asnjëherë nuk kanë prodhuar progres, por
manifestojnë mjegull e shtrëngatë, manifestojnë një peizazh dantesk. Rruga
drejt të vërtetës është lufta ndaj së keqes e ligësisë të cilat ndërthuren në
mënyrë misterioze në perversitetin e qeverive. Kjo vjen, se ju përdorni frytin
e hamendësimit. Pra ju jeni krijues i humbjes së solidaritetit të Shoqërisë. Në
gjuhën gjermane “Planetet” quhen yje të gabuara, pasi nuk kanë në dukje një
lëvizje rrethore. Edhe ju qeveritarë në dukje, ju mungon lëvizja rrethore, ju
mungon orbita e drejtimit të Shtetit. Politikanët shqiptarë janë pjellë e
komunizmit që i kanë bërë shqiptarët që të lëvizin si peshqit në ujë të
turbullt pa drejtim. Kjo ideologji pansllave me eshtrat e të vdekurve ndërtoi
kurorën e lavdisë. Kurse ju na zverdhët shpresën, zverdhët yjet dhe hënën. I latë
shqiptarët të kacavirren në shkrepa e legjenda. Ne sot jemi në vazhdimësinë e
epokës moderne, e cila ka filluar me rilindjen. Jo me rilindjen që ke shpallur
ti, sepse kjo i përket mediokritetit politik, por me Rilindjen evropiane që
filloi me artistin e madh Donatello e Dante Aligerin dhe mbyllet me Shekspirin
e madh. Në harkun kohor prej 400 vjetëve lëvizin kolosët e botës, të cilët
pasuruan realitetin dhe depërtuan në çdo aspekt të jetës. Një proverb gjerman thotë: “Kush
shikon vërdallë nuk gjykon dot” Ky proverb hyn në lojën e vetëdijes qytetare të
mohuara nga perversiteti i qeverisë. Në fillim ti nuk e kuptove, se berishizmi
kishte kopjuar astronomët e vjetër të Greqisë. Ata në mes të fushës ose në majë
të maleve hapnin gropa dhe në fund të tyre zbrisnin vetë dhe vështronin kupën
qiellore. Pra, këto gropa ishin teleskopë artificialë që kontrollonin lëvizjet
e planetëve.

 

Një qeveri me
ministra që prezantohen si dele të pakrehura

  Zoti
Kryeministër, kjo kokëfortësi të ka detyruar të krijosh një qeveri me ministra
që prezantohen si dele të pakrehura. Institucionet kulturore nuk përfillin
mendimin kombëtar sepse drejtuesit nuk kanë konceptin e kundërvënies. Në QKK ke
sjell një njeri pa pyetur askënd. Ku e gjete këtë të drejtë që të përdhosësh
artin e kinematografisë dhe të fyesh kineastët në mënyrë demonstrative.
Pikërisht për këtë përbuzje jemi dëshmitar të gjithë. Zoti Kryeministër jeni në
valën e terrorit intelektual dhe mbarë popullor
. Ç’është
shpresa për shqiptarët nën drejtimin e një qeverie të dyzuar? Ajo është
shprehje e dhimbjes dhe eliminimi i ndërgjegjes. Kështu krijohet dyzimi i
personalitetit. Varfëria bëhet objekt e subjekt i vetvetes dhe përcillet me
krime në familje, në rrugë e kudo. Nuk ka dhimbje më të madhe se sa zhgënjimi
dhe përdhosja e idealit. Shqipërinë e ka mbuluar një mjegull e pluhurosur e një
dimri të zorshëm. Koha e falsitetit të demokracisë solli heshtjen në tubacionin
e erërave të veriut e të jugut dhe ngjyra kuqërreme e muzgut duket si një vel i
përgjakur. Duam drejtësi dhe koherencë. Koha e fjalëve boshe ka mbaruar.