Mark Dudi, mirditori me kontribute të spikatura në zhvillimet social-shoqërore të krahinës emërmadhe

1077
Nga Gjon BRUÇI 
Me datën 19 Janar 2018, mirditorët, por dhe shokët, miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë nga të katër anët e vendit, i dhanë lamtumirën e fundit veteranit të nderuar të LANÇ, Mark Dudi, ish-drejtuesi politik i rrethit të Mirditës në periudhën e Socializmit, një figurë e shquar e me kontribute të spikatura në zhvillimet social-shoqërore të krahinës emërmadhe. Mark Dudi u nda prej nesh në mbyllje të gati një shekull jetë, gjatë së cilës përjetoi gëzime e hidhërime; ditë të bardha por edhe momente të vështira; hidhërime familjare e shoqërore, por edhe gëzimet e prindit e të gjyshit të lumtur; suksese në punë e në jetë, por edhe të papritura e vështirësi të kohëve që përjetoi. Por ai i përballoi të papriturat e vështirësitë e jetës me sukses, duke u ndarë prej saj me “Kësulën e bardhë si borë mbi vetull”!

Në parathënien e librit “Dritë mbi disa të vërteta” të Mark Dudit, redaktori i librit Dhimitër Shtëmbari, midis të tjerave, duke portretizuar autorin shkruan: “I heshtur prej natyre, por tepër korrekt; i qetë në mendime, por operativ në veprime; i matur në gjykime, por i saktë në vendime, Mark Dudi i kontribuoi aq shumë Mirditës në ato vite, kur mbarë një popull ishte lëshuar vrullshëm për të përmbysur shekujt e prapambetjes dhe të injorancës. Zjarri i madh që u ndez viteve të pasçlirimit, si kudo edhe në rrethin e Mirditës, lëshoi rreze drite deri mbi male, dogji zakone të egra, por njëherazi ngrohu edhe zemrat e tërë malësorëve fisnikë, sidomos të trimëreshave mirditore. Dhe ky zjarr u mbajt përherë ndezur, ndër të tjerë, edhe nga militanti i shquar Mark Dudi”!

Mark Dudi lindi në ato vite kur Shqipëria përballej me furtunat e fillim shekullit të njëzet dhe kur diskutoheshin fatet e kombit shqiptar. Lindi më 26 prill të vitit 1920 në një familje me emër e tradita të spikatura atdhetare, çka do të përbënte dhe bazën e edukimit fillestar të djaloshit nga Fangu i Mirditës. Në 97 vjet jetë, tetëdhjetë e tre vite i pati jetë aktive në shërbim të familjes, të popullit e të vendit. Në vitin 1932 – 1937 do të merrte dijet e para të arsimimit në Konviktin e Oroshit, për t’u vënë paskëtaj në krahun e vegjëlisë, duke u aktivizuar në lëvizjet për drejtësi shoqërore. Ashtu si gjithë pjesëtarët e familjes e të fisit të tij, në vitet e Epopesë së Lavdishme Çlirimtare do t’iu kushtohej idealeve të Lirisë. I aktivizuar herët në Lëvizjen Antifashiste dhe i ndikuar nga idealet komuniste, në prill të vitit 1944 do të bëhej veprimtar aktiv i Çetës Partizane Pukë-Mirditë. Shok idealesh dhe veprimesh i Heroit të Popullit Bardhok Biba, pas çlirimit, Mark Dudi do t’i përkushtohej tërësisht rindërtimit të vendit dhe emancipimit shpirtëror të shoqërisë. E nisi si drejtor i Kursit të Partisë në Shkodër, ku kontribuoi me vetëdije të lartë atdhetare për rreth pesë vjet. Në vitin 1949 mobilizohet në radhët e Ushtrisë Popullore, ku mori pjesë në luftimet kundër monarko fashistëve grekë në provokacionet e gushtit të atij viti. Për trimëri, guxim dhe kontribut në fushën e luftimit, mori titullin e Oficerit të Ushtrisë Popullore. Mark Dudi, ishte ndër të rrallët drejtues të kohës së Socializmit, ish-Sekretar i Parë i Mirditës dhe Anëtar i KQ të PPSH-së, që pas ndërrimit të sistemit, nuk e ndërroi teserën e kuqe të komunistit, por u rreshtua me shokët e Partisë Komuniste që ishte riorganizuar në shtator të vitit 1991. Me një kurajë të veçantë, me një përvojë të jashtëzakonshme, ai iu bë krah komunistëve të rinj në momentet më të vështira të kohës e të situatës, duke kontribuar me përkushtim në të gjithë veprimtarinë e tyre politike. Ishte kjo arsyeja që prej disa vitesh Partia Komuniste e kishte zgjedhur Mark Dudin Anëtar Nderi të Forumit më të lartë të saj, pozicion që ai e mbajti me nder e militantizëm të pashoq gjer në frymën e fundit të jetës. Mark Dudi, ashtu siç u tha dhe në fjalën e lamtumirës, mbajtur gjatë ceremonisë së varrimit, do të mbetet si njëri nga figurat më të spikatura të Mirditës, luftëtar i vijës së parë për lirinë, begatinë dhe zhvillimin e vendit, të cilit ai iu përkushtua me ndërgjegje të lartë atdhetare. Kujtimi i tij do të mbetet, jo vetëm në Historikun e Mirditës, por edhe në memorien e popullit, çka është dhe Historiku më i saktë e më i sigurt i një kombi.


Sigal