Marash HAJATI/Dimensionet e kohës e dimensionet njerëzore

615
Sigal

 Në meditimet e reja për rrugëtim nga Moska në Leningrad, dua të ndaj me lexuesin konceptin e dimensionit të kohës. Kjo, sepse bëhet fjalë për kujtime të ndodhura mbi gjysmë shekulli më parë. Në atë këndvështrim, unë e shokët e mi mbartnim gjurmët e një brezi të një tradite shqiptare, që do të ballafaqohej me një jetë tjetër, me një botë tjetër. E ku kishte mjedis më komod për të thurur mendimet tona më mirë se sa në atë udhëtim me tren, që mbyllte edhe rrugëtimin tonë në mijëra kilometra. Kur përmenda botën tjetër, nuk ishte një fjalë goje, por ishte Rusia me gjerësi horizonti, vend në miliona kilometra, fuqi kryesore ndërkombëtare në përmasat e shtetit. Klasifikimi i tij superior në majat e arsimit, të shkencës, kulturës, letërsisë e artit. E ky shtet quhej (sot gati i harruar si emër), Bashkimi Sovjetik. Kaq herë e përkthenin emër për emër dhe do të thoshte (Bashkimi i Sovjetëve i Këshillave nga të gjithë territoret). Pra, një koncentrim diçka si Shtetet e Bashkuara. Për ne, që shkelëm për herë të parë një botë të këtyre përmasave, ishte edhe një trysni psikologjike për të matur forcat, për të ardhur në nivelin e shokëve rusë e të huaj, me të cilët do mësonim, punonim e krijonim. Ne taktikisht hynim në debat për gjërat e fenomenet që i dinim, ndaj dhe i komentonim. Kemi ditur të përfitojmë në dialog për gjërat më pak të njohura dhe kemi heshtur, që të mësonim për ato që nuk i dinim.

Nuk e bëra pa qëllim këtë hyrje disi shpjeguese të këtij kapitulli, sepse natën që u nisëm nga Moska për të qenë në mëngjes në Leningrad, e ndiem veten disi të çliruar jo vetëm nga makthi i atij udhëtimi të gjatë që nga Durrësi ynë i mbetur prapa si në mall, deri te 600 kilometrat e fundit për të arritur kryeqytetin e dikurshëm të Rusisë. Gjithçka na u duk si një çlodhje pas një shtegtimi të gjatë. Aty në vetvete, por dhe në biseda me miq e shokë, madje shumë prej tyre leningradas, morëm e dhamë sa dinin ne për atë qytet. Dikush me njohuritë shkëlqente në politikë (apo nuk kishte filluar në atë kohë në shkollat tona njohja me Historinë e Partisë Komuniste Bolshevike). Këto i dhanë zjarr bisedës, duke sjellë fakte historike që nga vitet e bujkrobërisë e deri te Revolucioni i Parë Rus, me grevat e demonstratat nga 1905 e deri 1907, ku morën pjesë qindra e mijëra revolucionarë, kryesisht nga klasa punëtore e Petërburgut. Pastaj vinte Revolucioni Demokratik-Borgjez i shkurtit 1917. Dhe së fundi Revolucioni, ku ne nuk i “përmbanim” dot njohuritë tona për Leninin e Stalinin e për ditët e para të Nëntorit 1917, që u quajt Revolucioni Socialist, festa e njohur e 7 Nëntorit.
Në temat e tjera shkëlqyem më shumë ne gazetarët e ardhshëm, sidomos kur u bë fjalë për letërsinë ruse e sovjetike. Emrat, që ia kalonim njeri-tjetrit duke dhënë mendime, ishin Pushkini, Tolstoi dhe natyrisht Gorki me romanin “Nëna”. Në atë dialog, edhe pse kishte ndenjur goxha duke dëgjuar, shpërtheu Dritëroi, por jo thjesht për letërsinë ruse, por u recitoi në shqip edhe Naimin e Migjenin. Të fituar me shumë pikë në ato kuvendime të gjalla në kabinat e trenit me fjetje, siç i thoshin, dolën më muzikën. Mund të them se ka qenë prezantimi i parë i shokut tonë Fadil Kokomani si këngëtar, pale kur i foli për muzikën italiane ( natyrisht aq sa dinte), rusët u entuziazmuan shumë.
Ai udhëtim i fundit me tren na u duk si prolog i rrugëve të gjata. Shpëtuam nga hallakatjet, nga bagazhet e shëmtuara, që na ndiqnin pas. Do të shpëtonim edhe nga grumbullimet të gjithë bashkë si shqiptarë, ku binim në sy, sepse kishim po të njëjtat kostume, po të njëjtat këpucë e sidomos palltot e njëllojta e të një ngjyre si të barit të thatë qepur në stilin e një pardesyje me rrip në mes. Pa dyshim, mendonim me vete, se kështu, të gjithë bashkë do të grumbulloheshim në të ardhmen vetëm në ndonjë mbledhje.