Marash HAJATI / Birra “Stela”, si një biznes, por edhe si një pasuri kombëtare

955

 Historia dhe vizioni i një prej “mikeshave” të përhershme të tavolinave tona

Në jetë dhe në veprimtarinë shoqërore ka njerëz që kënaqen me ato që dinë e me ato që kanë mësuar. Në të njëjtën kohë ata përpiqen e luftojnë për arritje të tjera. Por, mbështetur në karakterin e njerëzve, ka të tjerë që mësojnë, punojnë dhe krijojnë, por “hahen” nga inati për ato që kanë arritur, i quajnë pak dhe synojnë gjithnjë më shumë.

Historia e “Stefani&CO”

Kam përshtypjen se Stefan Pinguli, që drejton sot kompaninë e STEFANI&CO, një nga firmat gjigante ekonomike, bën pjesë në grupin e atyre njerëzve që shkojnë drejt së ardhmes, drejt së panjohurës. Nëse erdhëm në këtë përcaktim të botëkuptimit e të strategjisë për punën e Stefanit, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, atëherë e kemi më të lehtë të flasim dhe e të nxjerrim në pah vlerat dhe arritjet e kësaj shoqërie ekonomike. Stefani vjen nga një familje intelektuale qytetare. I ati, Dhimitër Pinguli, pati kryer studimet në Francë për farmaci. Në rrethin e njerëzve të shkolluar, jo vetëm të prindërve, vëllezërve dhe farefisit të gjerë, tradita e punës dhe e mësimit kanë qenë edukatë e përhershme. Në këtë vështrim të gjitha etapat e arsimit të tij ndoqën rrugë rritje dhe pjekurie. Në vitet 1968-1972 kreu shkollën e me mesme në gjimnazin e njohur “Sami Frashëri”. Me dëftesën e pjekurisë vazhdoi studimet në Universitetin e Tiranës e në vitin 1977 diplomohet në degën e Gjeodezisë në Fakultetin e Ndërtimit. I prirur për kërkime shkencore në Institutin e Pemëve Frutore, paralel me detyrat e përhershme të kohës, kryen studimet për hidrologji dhe studim tokash, ku dhe mbron doktoraturën për gradë shkencore në at degë. Në vitet e përmbysjeve të mëdha politike e shoqërore 1990 e në vazhdim, shumë fate njerëzish u përballën me të papritura të pashoqe. Në një situatë disi kaotike të veçantë e të panjohur, por me besim te liria e demokracia, që përshëndetej kudo, në sensin psikologjik, njerëzit nuk rendnin, por vraponin. Të gjithë në garë për shanset që do të sillte sistemi i ri kapitalist. Ata vunë në veprim inteligjencën, aftësitë e veprimtarinë  për të kapur bregun e shpresës. Kur bisedon sot në kërkim të kujtimeve të atyre kohëve,  Stefani veç kur improvizon ngjarjet e situatat befasuese që i dilnin përpara, thotë se nëse nuk iu hyje punëve pa u menduar gjatë, në çdo moment të iktë fati nga dora. Kur hedh sot sytë nga e ka nisur, edhe vetë ai çuditet me atë punë dhe kompani gjigande.

Libri “Histori dhe Vizion”

Në historinë e krijimit të firmave të para private në fillimet e viteve 90-të të shekullit që lamë pas,  “Stefani & CO” do të renditet ndër të parat, në mos e para që vlerësoi e hodhi dritë përmes një botimi në formë monografie mbi gjurmët,  mbi punën e rrugën e ekonomisë së saj të tregut, të pronës private, që po kthehej në Shqipëri mbas gjysmë shekulli. Libri që kemi sot në duar  bën fjalë për historinë e guximin e këtyre njerëzve, shokëve ortakë, që me fondet e grumbulluara të mos e ndalnin vrapin thjesht për t’i plotësuar, si i thonë fjalës, ato që kërkonte shtëpia, por mjeteve financiare, aq sa ishin u dhanë frymë  drejt investimeve. Nëse ortakët vendosën e guxuan, blenë edhe fabrikën e vogël të birrës që prodhonte 500-1000 litra birrë në ditë, ishin optimistë  për çfarë arritën. Një pjesë  e këtyre aksionarëve menduan se ishte mjaft ajo që kishin realizuar dhe u tërhoqën bashkë me kapitalet e me fitimet e tyre. Blenë shtëpi e rregulluan jetën e vogël sipas konceptit, s’na duhet më shumë. Në vend të atyre ideve të cunguara, Dr. Stefan Pinguli, Mihal Panteqi, Kujtim Këllezi, Roland Pinguli vendosën të kërkonin, të shihnin e të gjenin te sistemi i ekonomisë së tregut treguesit e rritjes së  veprimtarisë ekonomike private. Ky ishte vizion tjetër, veç jo thjesht si slogan, por si veprim hap pas hapi e pa u tërhequr. E gjithë kjo ekonomi moderne   prodhimi e shërbimi, e ngritur si punë, krijimtari, pasion e pasuri  e një firme kapitaliste në zë, nuk është thjesht e një grupi njerëzish. Ajo është dhe një pasuri kombëtare në zinxhirin e lidhjeve ekonomike e shoqërore.