Maksim Tufa: Miliona lekë për shtabet elektorale të 18 qeshorit

537
Sigal

Drejtorët financuesit e drejtuesit e fushatës 18 qershorit; 15 milion lekë shtabeve elektorale, për blerjen e të lëkundurve

Miliona lekë nga arka e shtetit, drejt shtabeve elektorale

Prej 4 vitesh, avazi e vjetër i zhvatjes së parave të shtetit me marifete të ndryshme, vazhdon të jetë shkatërrimtar për shumë ndërmarrje nacionale me financime nga buxheti apo nga fondi investimeve

Selitë e Rilindjes në rrethe, kanë hartuar lista të gjata me emra drejtorësh, të cilët duhet të derdhin deri në datën 15 prill 2017, miliona lekë për të mbushur kasafortën, për të mundësuar financimin e fushatës elektorale të 18 qershorit 2017. Burime konfidenciale nga mjaft seli lokale e të Rilindjes në rrethe si në Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër e Sarandë, thonë se “çdo drejtor i emëruar nga kryesia ka detyrimin e padiskutueshëm të dorëzojë deri në datën 15 prill 2017 shumën prej 15 milion lekësh, e cila do të përdoret për sponsorizimin e fushatës dhe shtabeve elektorale, për blerjen e të lëkundurve etj. Në vlerat financiare të paracaktuara nuk përjashtohet asnjë prej drejtorëve, madje “gjoba” të tilla u janë vënë edhe disa doganierëve, agjencive turistike, bizneseve etj. Forma të tilla do të përdoren gjerësisht në fushatën zgjedhore të 18 qershorit 2017, ku mjaft prej ndërmarrjeve shtetërore do të mbajnë peshën kryesore të asaj fushate , duke përdorur paratë e shtetit”. Thirrja në raport e drejtorëve (të emëruar nga selia Rilindjes) është e përditshme, por afrimi i fushatës së zgjedhjeve parlamentare, duket se i ka vënë ata para detyrimeve të tjera, duke futur sërish dorën në arkën e shtetit apo edhe në xhepat e tyre, për të sponsorizuar fushatën e afërt zgjedhore. Prej 4 vitesh, avazi e vjetër i zhvatjes së parave të shtetit me marifete të ndryshme, vazhdon të jetë shkatërrimtar për shumë ndërmarrje nacionale me financime nga buxheti apo nga fondi investimeve. Ajo që po ndodh sivjet, ka ndodhur gati çdo vit, kur me para të shtetit, janë financuar udhëtime turistike jashtë shtetit të deputetëve, ministrave, zv/ministrave , familjarëve të tyre, politikanëve etj. Veç biznesmenëve, gjoba të tilla milionëshe po hanë këtë fillimviti edhe ndërmarrjet e shtetit, të cilat nuk dihet se si i justifikojnë dhe mbulojnë paratë e harxhuara jo vetëm për ceremoni festive, por edhe për fushatën e afërt parlamentare. E ndërsa në mbarë vendin ka mijëra hallexhinj që Krishtlindjet dhe Vitin e Ki i festuan me bukë thatë, miliona lekë janë marrë dhe merren në forma të paligjshme nga arka e shtetit, duke u justifikuar si “shpërblime”, për t’u dhënë si sponsorizime deputetëve, funksionarëve të lartë partiakë të Rilindjes, që nuk lënë fundjavë pa dalë jashtë shtetit për të shijuar lokalet luksoze. Zhvatja e parave të shtetit në 4 vitet e fundit, duhet të jetë objektivi kryesor i kontrolleve nga KLSH, si dhe i organeve të tjera kompetente, të cilat në gjithë këto vite kanë se ç’të zbulojnë dhe cilin të kryqëzojnë për shpërdorim detyre, dhe parave të dhëna si fonde investimesh, por që kanë përfunduar në xhepa dhe banka. Janë pikërisht drejtorët e emëruar nga Rilindja ata që me urdhra nga lart, dhe në emrin e saj po zhvatin paratë e shtetit për të kënaqur dëshirat e shefave të tyre, mobiluar apartamentet dhe vilat e tyre, sponsorizojnë udhëtimet e tyre të shumta jashtë shtetit edhe të familjarëve të tyre, duke thelluar çdo ditë vjedhjen dhe abuzimet. Ky kurs vrastar ndaj parave të shtetit, nuk ndalet ndaj duhet të denoncohet nga organet e kontrollit dhe hetimit , të cilat duket se e kanë humbur pavarësinë institucionale. Deri sot denoncimet e KLSH kanë qenë radikale dhe kanë pasur emra duke dalë në mbrojtje të ligjeve të shtetit, dhe jo drejtuesve që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve, për t’u pasuruar me shpejtësi marramendëse. Dhe janë pikërisht ata, drejtorët e Rilindjes , që Rama i ka caktuar jo vetëm ta financojnë, por edhe ta drejtojnë fushatën e 18 qershorit 2017, ndërkohë që nga rezultatet e saj varet edhe fati i tyre institucional dhe ligjor.