Maksim RUSHI / Klasa politike pa asnjë vizion për personat e paaftë në zgjedhjet e 23 Qershorit

527
Sigal

Testimi/ Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë inkurajon klasën politike për reflektim

Tashmë që kanë mbetur vetëm pak ditë, nga verdikti i shqiptarëve për zgjedhjet e 23 qershorit, klasa politike ka rritur në një dozë të lartë adrenalinën e kësaj fushate, e cila ka shkuar në kah të kundërt për mjaft shtresa në nevojë. Në refrenet e përsëritura të përfaqësuesve të subjekteve politike, gjen gjithçka, përveç interesit për kategorinë e personave të paaftë. Por ky pluhur harrese, mund të kthehet në një pluhur pendese pas zgjedhjeve të 23 qershorit, sepse vetëm nga kjo kategori votuesish, së bashku me familjet e tyre, rezultojnë mbi 120 mijë vota në kutitë e  votimit. Shoqata Shqiptare që ka marrë në  mbrojtje personat e paaftë, një nga kategoritë më të përvuajtura në Shqipëri, të cilët nuk përfshihen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe trajtohen me më pak se 95 dollarë në muaj, gjatë gjithë kësaj kohe, ka konstatuar me keqardhje se sa indiferentë janë politikanët tanë ndaj  familjeve të personave të paaftë. Fushata zgjedhore nga mënyra se si po zhvillohet e ka bërë këtë shtresë individësh më të painteresuar për politikë. Kjo nuk duhet kuptuar si mosinteresim për politikë, por si ndërgjegjësim politik, sepse ajo që  kërkohet nuk është të kënaqen interesat e politikanëve demagogë, por të tregohen  ndjenjat humane të tyre ndaj kësaj shtrese në nevojë. Është fakt se indiferentizmi i  tyre shfaqet shpesh dhe turpshëm, duke mos përfillur kërkesat e përfaqësuesve më  të lartë të Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë. Në çjerrjet e tyre mikrofonike mund të dëgjohen lloj-lloj frazeologjish, të cilat në thelb përmbajnë të njëjtat premtime, të njëjtat akuza ndaj njëri-tjetrit, të njëjtat zgjidhje problemesh  dhe gjithçka është kthyer në një refren të shëmtuar e shoqëruar me melodinë e zhurmshme të trumbuesve shpëtimtarë. U tha gjithçka, por asgjë për personat e paaftë. U paraqit çdo plan, çdo strategji zhvillimi e integrimi, por harruan se një nga shtyllat kryesore të politikës Evropiane është strategjia e zhvillimit të kësaj shtrese të shoqërisë. Por si do të shkojmë ne drejt Evropës, kur ndjekim rrugë të ndryshme zhvillimi? Çfarë  mbetet për të bërë në 23 qershor nga personat e paaftë, kur politikanët shurdhë-memecë e shpërfillin këtë shtresë? Votimi, në rastin konkret, nuk ka asgjë nga shenjtëria e këtij akti qytetar , bazë e demokracisë zgjedhore. Prandaj mospjesëmarrja në zgjedhje gjykohet si alternativa më e mirë në kushtet në të cilat ndodhen sot individët e paaftë. Kjo mospjesëmarrje nuk duhet konsideruar  as si indiferentizëm, as paaftësi politike, por si një përgjigje ndaj  “alzheimerëve” të politikës shqiptare, që në 24 qershor, të kujtohen se disa gabime mund të kushtojnë  shtrenjtë. Personat e paaftë, e kanë zërin e tyre të ngritur fuqishëm, dhe “Shoqata  Shqiptare e Personave të Paaftë”, ku ata bëjnë pjesë, është ndërmjetësi ideal për të lidhur zërin e tyre qytetar me institucionet shtetërore që kanë kompetencë për të zgjidhur problemet  e tyre. Gjithsesi alternativa jonë ka qenë dhe mbetet e hapur deri në  23 qershor, për të testuar klasën politike se cila do të ishte më e interesuar në  zbatimin e kërkesave tona, të cilat janë sa praktike aq edhe imediate për t’u vënë  në jetë. Kërkesat tona janë në të mirë të shoqërisë në përgjithësi dhe personave të paaftë në veçanti. Por çfarë kërkojmë ne si shoqatë? Çdo vendim ligjor e në të  mirë të një shtrese të caktuar individësh, rrjedh nga statusi i tyre. Personat e paaftë, ende nuk e kanë një status të tillë, edhe pse kaq të shumtë e me një numër në rritje, nuk u është garantuar më parë një status ligjor.

Së pari, është në nderin e parlamentarëve të legjislaturës së ardhshme, që duke rënë në dakortësi e së bashku  me grupet e interesit, të hartohet statusi për këtë kategori personash të paaftë. Së dyti kërkohet të rritet paga e personave të paaftë nga 95  $ në  jo më pak se 133 $,  ose e thënë me fjalë të tjera një rritje prej 40 %  e pagës së tyre për 4 vjet. Së treti,  kërkojmë punësimin e anëtarëve të “Shoqatës shqiptare të personave të Paaftë” të  cilët janë me arsim të lartë e me Master, që nuk janë të paktë, por që jetojnë në të  gjitha qarqet e vendit. Së  katërti, do të ishte në  interes së shoqërisë në përgjithësi, dhe familjeve të shtresës së paaftë në veçanti, që të paktën 1 person i aftë nga familja e tyre të punësohet ose t’i jepen mundësi reale për punësim. Së pesti,  kërkojmë që nga buxheti i shtetit të planifikohet e të akordohet një fond prej jo më  pak se 100 mijë $ çdo vit, si për degët në rrethe ashtu edhe për qendrën. Ne nuk  duam që alternative më e mirë për 23 qershorin të mbetet bojkoti i zgjedhjeve nga  familjet e rreth 60 mijë personave të paaftë në të gjitha qarqet e vendit. Gjithashtu  ne e dimë se mjafton vetëm pak vullnet i mirë që të realizohen kërkesat tona, prandaj do të inkurajonim klasën politike që të reflektojë lidhur me kategorinë e personave të paaftë duke i përfshirë ata në vizionin e tyre për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Ajo që mbetet e pandryshueshme është se “Shoqata Shqiptare e personave të Paaftë” do të vazhdojë të jetë e drejtpërdrejtë, këmbëngulëse dhe largpamëse në  atë se çfarë mund të bëhet më mirë për këtë  shtresë të shoqërisë. Ne e dimë mirë postulatin që mbizotëron në ditët e sotme se: “Në vetmi, i vetmuari shqyen veten e vet, në shoqëri e shqyejnë të tjerët”. Por ne assesi, nuk jemi të vetmuar, por së bashku   mund të jemi një faktor deçiziv për fituesin e 23 qershorit.

MAKSIM RUSHI

President i “Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë “