Majlinda KETA/ Vizioni për Shqipërinë e gjeneratave të ardhshme ka nevojë, së pari, për Filozofi të Zhvillimit të Qëndrueshëm

781
Sigal

*Lektore në Universitetin e Tiranës

Rastësi, por e domosdoshme…

Disa ditë më parë, në një Konferencë Shkencore Ndërkombëtare të Universitetit të Tiranës, departamentit të sociologjisë, kisha referuar “Qyteti i Tiranës, “Konsensusi Europian mbi Zhvillimin” dhe edukimi për zhvillimin e qëndrueshëm. Qasje dhe tendencë”. Të them të drejtën, e bëra pasi më duhet burokratikisht për plotësimin e “standardeve të aftësisë” (në letra se nuk ka rëndësi cilësia e punës dhe modelit të gjallë), për tezën e doktoratës që po punoj dhe ku kam zgjedhur në fokus konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm. Neveria që ndjej, në raste të tilla, kur kujtoj kontrastin e thellë, mes përpjekjeve të jashtëzakonshme të organizatorëve (Dr. Vasilika Shtepani), ne pjesëmarrësve nga gjithë universitetet e vendit, mua pjesëmarrëses dhe mospjesëmarrjes së asnjë titullari lokal, apo nihilizmi, pas suksesit të saj nga eprorët me titull në Fakultet, më trondit dhe tulat dëshirën se për këtë vend duhet kontribuar. Fakulteti nuk i botoi kurrë ato! Po aq sa këshillat a sugjerimet i mori lumi! Si edhe në rastin e një trajtese mbi rëndësinë e bioetikës, si pjesë e kurrikulës universitare dhe asgjësë, që ndodh pas Konferencave, të duhet që në këtë vend të lutesh “në të ardhtë gjë në dorë ty, vetë bëje…”, ndërsa bota ka vite që i ka ndërtuar këto praktika të domosdoshmërisë, që kanë për sigurinë e brezave trajtesa dhe modele të tilla qeverisëse. Kjo është Shqipëria, as më shumë e as më pak këtë kemi prodhuar të gjithë bashkë me veprimin apo heshtjen tonë.

Kërkoj dhe e gjej një zgjidhje, edhe në këtë shtet, ku idetë hidhen në kosh…

Falë gazetës “Telegraf” kam botuar një sërë artikujsh që kam qasur analizën dhe opinionin që kam mbi raportet njerëzore që kemi tash 23 vjet me këtë qëllim  të madh  të botës qysh prej viteve 90-të. Po, ja që u desh Konferenca, nga pragqeverisja e re “Shqipëria e gjeneratës tjetër” dhe ego-t e saj politiko mediatike, që të më kthente përsëri vëmendjen tek ambicia e punës time në auditor, shtyp, media prej 3 vjetësh mbi atë që mendoj se doktorata do t’i shërbejë këtij vendi, gjeneratave të ardhshme. Skeptike më shumë se besuese për atë që është prodhuar në vite  nga mentarë dhe thithet nga qeveritarë në këtë vend. Edhe rasti më erdhi po këtu.

E shkruar pas lajmit, por shkruar që të gjenerojë lajme më pas…

 Më mjaftoi leximi i këtij lajmi…dhe më ndryshoi drejt pozitives, për ta ndjekur. “Jemi këtu me një grup të gjerë protagonistësh të zhvillimit në botën e sotme, planifikues urbanë, arkitektë e artistë të ardhur nga gjithë bota për të asistuar në përpjekjen e madhe të transformimit të një modeli të zhvillimit të vendit, që sot ka nevojë urgjente për të adresuar problemet e veta me një qasje të re”.

Ku janë ftesat për filozofët apo sociologët urbanë, qofshin këto edhe nga jashtë vendit z. Rama?

Ju drejtohem ju për adresim përgjegjësie të votës,  por e di shumë mirë se është përgjegjësi e stafeve të ekspertëve pranë jush.( Në se i keni patur edhe këto dhe lajmi nuk ma tha ju kërkoj ndjesë ) Pse? Sot, më shumë se lufta për konceptime hapësirash për ndërtim, shifra ekonomike investimesh, sigurime burimesh jetike, është lufta e botës së zhvilluar, qytetëruar pas reflektimit, mbi atë çka bëmë keq në këto shekuj dhe realiteteve të pritshme për gjeneratat e tjera, është lufta për krijimin e komuniteteve të qëndrueshme që prodhojnë zhvillimin e qëndrueshëm, për sot dhe gjeneratat e tjera. Këto komunitete, në nivel vendi, apo qendrash të mëdha urbane ( edhe cilësia e të ftuarve në këtë Konferencë) janë prodhuesit e cilësisë së jetës në këtë Shqipëri për sot nga veprimi apo heshtja jonë për të djeshmen, por, mbi të gjitha, për gjeneratat e tjera dhe sigurinë e tyre. Zhvillimi i Qëndrueshëm( term shumë pak i  përdorur nga politika e mbi të gjitha i  hedhur në erë nga modeli në këto 23 vite “zhvillim”) dhe komunitetet e qëndrueshme, duhet të fokusohen së bashku në KRITIKËN dhe AUTOKRITIKËN ndaj cilësisë së Mjedisit të Qëndrueshëm (kombëtar e lokal) që prodhuam në 23 vite. Shqipëria në bregdet e mal, fushë e miniera ka nevojë për këtë Ndërgjegje KRITIKE dhe Alternative të komuniteteve të qëndrueshme, me pikënisje nga refleksione filozofiko- sociologjike. Shqipërisë i nevojitet krijimi i një MJEDISI Qeverisës dhe Qytetar të lidhur me komunitetet e qëndrueshme që duhet të kenë kurajon të ndërmarrin përgjegjësitë për KORIGJIM në nivel vendi duke ndikuar e kontribuar edhe për ato në Rajon apo hapësira shqipfolëse. Nuk di në se Konferenca kish ftuar punonjës shkencorë dhe lektorë të Universitetit të Tiranës, që kanë kontribuar për BIOETIKËN në vend e Rajon me studimet e tyre……ndonëse politika nuk i ka lexuar e jo më t’i ketë praktikuar në modele sugjerimet e tyre që do të shërbenin plotësisht për sigurinë e gjeneratave të tjera në këtë vend të begatë natyralist të varfër në mbështetje idesh për zhvillim.  Ka nga 1980-ta që bota e ideve flet e modelon zhvillimin e qëndrueshëm dhe komunitetet e qëndrueshme dhe vizionarëve të pragqeverisjes nuk duhet t’i kishin shpëtuar as filozofët, as sociologët, as psikologët e punonjësit social pasi DUHET ta dinë minimum se sot dhe termi kërkon revolucionarizimin e ideve për zhvillimin e korrigjim që qaset mirë në togfjalëshin e ndarë “sustainable develop- ment”, ku revolucioni mendor, mendësitë filozofike,  paraprijnë ato në fushën e arkitekturës, ekonomisë..

Lajmi vazhdoi të ndikojë tek unë

“ …..Me kohë kemi konstatuar se modeli i këtyre viteve ka shteruar duke hapur plagë të mëdha në jetën sociale dhe ekonominë e vendit. Zhvillimet në qytete u bënë kuturu, ndaj ndryshimi është po aq me rëndësi si në 92′.  ……..”Ne nuk mund të rrimë e të presim që potencialet e mëdha të këtij vendi të zhbëhen para syve tanë. Ne po ashtu kemi sfidën e transformimit te territorit së bashku me transformimin e jetës sociale të dhjetëra mijërave shqiptarëve që janë afruar pranë qyteteve”. Le ta pranoj si një VETËREFLEKSION të pragqeverisjes (dhe më vjen mirë pasi ndjehem me mbështetës të ideve të mija) por është shumë pak në raport me përgjegjësitë që duhet të marrë nga ky moment. Sot flitet edhe për filozofi të së drejtës urbane dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, sot flitet edhe për filozofi edukimi të zhvillimit të qëndrueshëm.  Nëse nuk i pashë në Programin e PS-së për arsimin doja t’i shihja në Programin e Qeverisë që ka filluar të mendojë edhe për gjeneratat e tjera.  Konferenca shkeli pragun me konceptim “të cungët” duke harruar pas derës potenciale njerëzore vendase për cilësinë e humanes që na duhet në dhjetëvjeçarët në vijim.  Do kishte qenë mirë ky alternim, mbase u besua më shumë se ç’duhet vetëm tek rrethi i ngushtë politik, por askush nuk mund të thotë se Kryeministri i pragqeverisjes, nuk e shkeli pragun si deri më tash. Kryeministri artist tentoi të thotë se duhet të fokusohemi tek cilësia e  dimensionit të sociales….. dhe artistët. Po jam dakord me ju. Sapo dolën edhe këshillat shumë të thjeshtëzuara të të ftuarve, praktikë që duhet përpunuar për t’u kthyer në përmbajtje por unë sërish tentoj të them VIZIONI për Shqipërinë e gjeneratave të ardhshme ka nevojë së pari për Filozofi (filozofë)të Zhvillimit të Qëndrueshëm po aq sa për sociologë, psikologë, punonjës socialë e artistë. Pragqeverisja deri në votim dhe ligjërim të saj kushtetues vazhdon mbase të na dëgjojë ende  ne votuesve deri në miratim të Programit 4- vjeçar të Qeverisë së Re për një filozofi kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm me shumë anekse se ajo për edukimin, për zhvillim urban, bregdetar, mjedisor po aq sa për drejtësinë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm.