Majlinda Keta/ Universitetet publike përballë akreditimit

670
Sigal

Në akreditimin e pritshëm të universiteteve shqiptare, universitetet publike sfidën e kanë me vetëpërsosjen dhe standardet e konkurrencës për cilësinë më të mirë të mundshme që mund të ofrojmë për tregun e punës kombëtar dhe evropian, po aq sa edhe me elementë të suksesit të disa konkurrentëve dinjitozë jopublikë. Sigurisht, në këtë proces si universitete  publike na takon detyra e një rishikimi të eficencës dhe statuseve të brendshme, referuar suksesit dhe mossuksesit në raport me gjithë problemet e zhvillimit të vendit në këto vite dhe ato që nuk projektuam suksesshëm për këtë vend.

Universitetet, të vlerësuar nga unë si qendrat e mendimit dhe modelimeve të zhvillimit të Shqipërisë së paku të pas 10, 20 viteve, neve na lipset të rishikojnë se sa humbëm nga ky mision në këto 23 vite dhe sa duhet të rifitojmë në shpejtësi të mëdha të kohës për të hyrë në rolin e projektuesit, së paku të një 10-20 vjeçari më parë në secilën fushë të dijes universitare që kontribuojmë, në fushën e kërkim zhvillimit dhe inovacionit.

Projektimet e ndryshimit që kërkohen, duhen parë në vertikale dhe horizontale të strukturimeve  tona. Kështu, për Universitetin e Tiranës kjo kërkon një ridimensionim në gjithë fakultetet, po aq sa mes tyre apo të gjithave bashkë, duke konsideruar edhe konkurrentët  e spikatur në fusha dije apo elementë menaxhimi e kërkimi nga sektori jopublik. Pas kaq vitesh përvojë, pas përmbushjes së mbajtjes së ngarkesës së sistemit, kryesisht nga universitetet publike, në sfida jo të favorshme me politikat e MASH  ndaj universiteteve publike,  neve na  lipset të përcaktojnë prioritetet që do të duheshin të fuqizoheshim  apo përmirësoheshin në raport me standardet  e cilësisë edhe mes nesh dhe të gjithëve bashkë si UT e me pas me të tjerë publike dhe jopublikun dinjitoz e konkurrent. Nga shumë problematika, në raport me zhvillimet e pritshme në vend, rajon apo dhe zhvillimet e BE-së në një binom sa më të përshtatur universitet-mundësi punësimi – zhvillim shoqëror e social, do të veçoja 4 prioritete që mund të bëheshin fokus i një refleksioni institucional me bazë departamente e përtej tyre në nivel fakulteti apo universiteti.

Jam mbështetëse e filozofisë që ideimi i ndryshimit duhet të vijë nga poshtë-lart, sepse kështu eficenca e stafeve është më e madhe se sa nga lart-poshtë. Kam kaq vite që dëgjoj  prioritete të UT-së çdo fillim viti dhe po kaq vite ku çdo fillim viti nuk deklarohen prioritetet në dije – aftësim – kërkim shkencor nga departamenti. Asnjëri prej nesh nuk mund të jetojë e konkurrojë më me madhështinë e historisë mbi 60 vjeçare të UT-së për hapësirat shqipfolëse, ndërsa gjithkujt prej nesh që jemi punësuar në UT dhe universitete publike lipset të matemi në atë që kontribuojmë për cilësinë e dijes-aftësimit dhe kërkimit shkencor universitar. Secili prej nesh në departamente me cilësinë e portreteve institucionale kuotojmë pozitivisht apo negativisht institucionin universitar.

-Të parin prioritet për ndryshim do të vlerësoja reformimin  e sistemit kurrikular me bazë departamentin, me fokus fakultetin drejt një universiteti konkurrues në dije, aftësim e kërkim shkencor. Është cilësia e departamenteve ajo që prodhon cilësinë e auditoreve. Auditori  universitar  është mjedisi  ku takohet edukimi, kërkimi shkencor dhe inovacioni. Ai është vendi ku pedagogu dhe studentët sjellin e shkëmbejnë energji mendimi. Është mjedisi ku takohet mundësia, sfida dhe pengesat për fazat e mëtejshme të rritjes së individit në raport me veten dhe shoqërinë. Është mjedisi ku përsosja e dijes për aftësim progreson në raport me dëshirën për të mësuar gjithë jetën. Auditori universitar duhet parë si qeliza që prodhon Universitetet si “inxhinieri shoqërore”  për  zhvillimin dhe qeverisjen sot dhe në të ardhmen. Takimet departamentale janë instrumentet e ngjizjes dhe progresimit të kësaj inxhinierie shoqërore.

-Së dyti, do të synoja  fuqizimin e  sistemeve të menaxhimit të brendshëm, eficencën  reale të lirisë akademike po aq sa të votës për udhëheqësinë, sërish me bazë departamentin, në mirëkoordinim me çdo faktor e aktor në nivel fakulteti po aq sa edhe në reflektim në nivel universiteti.

-Së treti do të vlerësoja ideimin dhe fuqizimin e raportit  dije-aftësim – kërkim shkencor me fokus studentin.

-Së katërti do të përfundoja një filozofi të marrëdhënieve publike që do të  promovonin institucionin në cilësinë më të mirë të mundshme në raport se çfarë ofron për zhvillimet e pritshme në vend dhe mundësitë për punësim. Ndërtimi i zyrave të karrierës në çdo fakultet të UT-së është vetëm fillimi i një filozofie që lipset të fuqizohet për gjithçka që universitetet publike, Universiteti i Tiranës në veçanti ofron për hapësirën shqipfolëse, por dhe në kuadër të programeve europiane si Erasmus etj. Ne kontributorët e universiteteve publike duhet të krenohemi publikisht me cilësitë e studentëve tanë që konkurrojnë me “modelimet” intelektuale që ne u afrojmë në raport me bashkëmoshatarët në hapësirën shqipfolëse, rajonale, europiane e më gjerë.

Kështu, me këto ide dhe të tjera që do pasurohen në departamente nga kolegë,  do t’i jepja përgjigje edhe studentëve të mi për shqetësime të konfiduara në nivele të tilla  tronditëse për një misionar auditori universitar kur më shprehen: “… Nga kjo degë, me këto lloj pedagogësh ka gjasa të dalim, ose thjesht me një diplomë pa shpirt dhe pa dinjitet se nuk ndalëm dot të keqen që kemi para nesh ose me diplomë të një dinjiteti profesional dhe institucional që do na bëjë konkretë në tregun e punës. Bëni të pamundurën që të dalim me të dytën, se e para nuk do na çoj askund …”.

Po me të njëjtin detyrim përmes këtyre ideve do t’i përgjigjesha kolegut të Prishtinës që pasi njohu cilësitë e udhëheqësisë në fakultet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në punë e sipër i shkruan në një letër të hapur studentëve tanë të përbashkët, këtu në Tiranë: “…. U ktheva për Prishtinë duke mos besuar që mund të ndodhë kjo në shtetin amë të shqiponjave për  të cilin ne kosovarët jemi shumë shumë të ndjeshëm… dhe nuk i kthejmë dot shpinën, se i bie ti kthej shpinën nanës”.

Armatës së kontributorëve në universitetet publike i  ka ardhur rasti për të vazhduar misionin historik duke përmirësuar vetveten, duke parë së brendshmi fuqitë tona intelektuale dhe menaxheriale, të bashkëmbështetura dhe me hapësirën shqipfolëse,  po aq sa për të nxjerrë jashtë nesh bartësit e ideve dhe praktikave antiinstitucion universitar,  kundërshtarë të progresimit intelektual të kolegëve dhe varrmihës të misionit që duhet të kenë universitetet publike dhe jopublike si projektues të Shqipërisë nën zhvillim të qëndrueshëm.