Majlinda KETA/ Reforma në arsim, udhëheqje me ide të ndotura

596
Sigal

Tashmë Reforma në Arsimin e Lartë është një frazë e artikuluar nga politika në shpeshtësi, ende pak e artikuluar nga ekspertiza dhe aspak nga publiku. Më absurd më duket afati që pretendon të na sjellë akreditimin e universiteteve shqiptare, në fillim të vitit tjetër akademik!! Jam totalisht skeptike për të. Duke vlerësuar shumë rëndësinë e trinomit “politikë: ekspertizë: publik” dhe moralitetin për udhëheqjen dhe grupin refomator, për suksesin e saj, më lind e drejta që përmes këtij shkrimi të ofroj publikisht disa ide standarde, të cilat për mua do i vlenin më shumë ndërgjegjësimit të publikut pasi nuk pretendoj të arrij të zgjoj “heshtjen vrastare 23 vjeçare” të ekspertizës intelektuale, aq më pak të pretendoj se do ndryshoj mendjen e ndritur të politikanëve rilindës. Po kërkoj të tërheq vëmendje për moralitetin e udhëheqësisë reformatore në arsimin e lartë në një tezë ku dua të anoj për duart e pastra të reformatorëve pasi besoj totalisht që në 8 vitet fundit, reforma e universiteteve me dyer të shqyera dhe politika e projekt akreditimit pa certifikuar cilësinë e institucionit të arsimit të lartë jopublik ka ardhur dhe vazhdon të endet në një ndotje ideore, programore dhe korrupsioniste. Përballë reformatorëve rilindës do të sillja në vëmendje që, reforma në arsim në tërësi, në arsimin e lartë në veçanti, është dhe do të jetë ndeshja e shtetit dhe ekspertizës heshtanake, por edhe jo rrallë korrupsioniste me modelin numër dy të firmave piramidale në Shqipëri dhe efektet e tij publike. E aplikuar kjo në arsimin e lartë shqiptar, si promotori i Shqipërisë së ideve dhe elitarizmit të kombit, për mua personalisht, mendoj se është dhe do të jetë me pasoja më katastrofike se piramidat e ‘97-s. Pse? Së pari, më ka trembur gjithmonë në këto 8 vite (e shprehur publikisht në media) shpejtësia marramendëse e licencimit për aktivitete të tilla nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ndonëse nuk kishte, dhe nuk ka ende, një raport analitik studimor që të na vinte përpara domosdoshmërisë së liberalizmit me dyer të shqyera të standardit të institucionit universitar. Çdo gjë e masivizuar nga anarkia ideore mbulon një aferë sociale dhe ekonomike të jashtëligjshme dhe pse jo dhe kriminale. A nuk ishin kështu edhe piramidat e pas ‘91-shit?

Së dyti, marrja e iniciativës sipërmarrëse në vitet e para të pas 2005-s nga profile të paqasura fare me karrierat në arsim e kërkim shkencor, dhe po pikërisht këto profile universitetesh jopublike u masivizuan po aq shumë sa prodhuan treguan informal të diplomës, edhe pa qenë fizikisht në institucion më ngjan me absurditetin dhe marrinë e shqiptarëve në emigracion për të depozituar paratë në firmat piramidale dhe që në një moment të vetëm shkuan në një asgjë duke hedhur në erë teoritë këshilluese të ekonomistëve mbi rrugën më të ndershme dhe fitimprurëse të investimit në Shqipëri. Shuma, në 8 vite që kanë qarkulluar kësisoj universitetesh, nga kursimet e shqiptarëve për fëmijët dhe veten e tyre për pseudoshkollime universitare do t’i afrohet besoj firmave piramidale që u rrëzuan në ‘97-n, por nuk janë rrëzuar ideisht në mendjet tona. Jo pak institucione të tilla jopublike të arsimit të lartë totalisht e kanë humbur dimensionin e tyre me standardin e moralitetit, besueshmërinë dhe integritetin profesional.

Së treti, më vret fakti që të dyja këto gjendje si formate “vjedhjesh  intelektuale” të shqiptarëve janë bërë me bekimin e “pastërtisë ideore dhe morale” të pushtetarëve dhe heshtjen vrastare të politikanëve të opozitës. Kjo lloj formule e politikës antipublik, jo rrallë e bekuar me vizita të huajsh edhe diplomatësh si dhe me mbështetje sponsorizuese për gjithfarë aktivitetesh shtetërore më çojnë të ripohoj që reforma është e korruptuar nga qëndrimi politik aktiv mbështetës i pozitës 2005-2013 dhe pasiviteti mbështetës i opozitës tash pozitë maxhoritare që pretendon të na bindë ne për moralitetin e saj reformator.

Së katërti, mungesa e transparencës publike për këtë pseudozhvillim universitar tashmë është fakt i pranuar nga të gjithë dhe i padokumentuar si inventar kombëtar askund. Edhe të një hapi që u mor për procesin e akreditimit të universiteteve shqiptare në bashkëpunim me një kompani gjermane të pretenduar prestigjioze në ekspertizë dhe hedhja në asgjë të punës së saj pas 23 qershorit politik më duket se i ngjan Deloittes së famshme të firmave piramidale të para ‘97-s që në shkatërrim të tyre dhe rrotacion politik sollën në pushtet këshilltarë të tyre dhe menaxherë në krye të qeverisjes që kurrë nuk bëri transparencë se ku shkuan paratë e shqiptarëve dhe ku në minorancë ju kthyen publikut që ende nuk ka riparuar pasojat vrastare të këtij modeli zhvillimi të vendit. Reformatorët rilindës janë në po këto parametra të përshkruar në mungesë transparence institucionale, dhe interpretimi publik mbi standardet e reformatorëve, që të na bindin si publik që vendimmarrja e tyre është më e drejta mungon ndonëse unë sot jam në një qëndrim të kundërt me pretendimet e tyre. Më tremb theksimi se thelbi i saj është reforma financiare, skemë e pretenduar edhe nga e djathta, që për fatin e keq ritheksohet nga rilindësit. Do ta besoja si pjesë e vënies në eficencë e financës publike kur të pohohej publikisht se në 8 vite universiteti publik u tentua të rrënohej duke i kufizuar vit pas vit mbështetjen financiare, duke mos lejuar përdorim për zhvillim për të ardhurat që mundësonte vetë për të mos ndalur që rrogat e pedagogëve kanë mbetur ato të kohës së Fatos Nanos.

Së gjashti, si në modelin e parë të firmave piramidale dhe në atë të dytë vërehet një armiqësi ndaj publikes dhe progresit të publikes, brenda një shteti që për aq popullatë dhe për aq sa ka trashëguar lipsej ta ruante dhe të mos luftonte për ta çuar në zero absolute. E tradhtuan në financë, infrastrukturë dhe mbi të gjitha për Kampusin Universitar. Matura shtetërore dhe lufta me universitetin e Tiranës, lulëzimi me parimin “Qark e universitet” për të mos thënë “qytet e fakultet” më ngjajnë katërçipërisht me filozofinë gjeografike dhe konceptuale të firmave piramidale të para ‘97-s.

Së shtati, nuk kam kuptuar pse këto soj politikanësh i tërheq modeli i dembel pasurimit të popullatës për “zhvillim” të pretenduar duke vdekur pothuajse fare moralitetin dhe rëndësinë e konkurrencës bazuar në vlera, publike dhe jopublike. Iniciativat serioze jopublike universitare (disa i vlerësoj për profilin e krijuar në vite) duhet të ndjehen keq me këtë ndotje të filozofëve që duhet të paraprijnë këtë sektor në një vend të vogël si ky i yni. Për sa më sipër, si fenomene dhe shumë të tjera, që do i zhvilloj në diskutimet e më pasme ju propozoj rilindësve reformatorë se, për duart e pastra që na nevojiten të gjithëve për reformën në arsim, arsimin e lartë në veçanti, në kushtet e kësaj ndotjeje ideore të skemave nr. 2 piramidale shqiptare, mundësoni një moral udhëheqësie që të shpreh një pikë takimi mes ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë së këtyre reformatorëve të tenderuar nga ju. Udhëheqësia e suksesshme fillon me vizionin (deri më tash ju mungon dhe nuk po na bind), vazhdon me pragmatizmin politik ku ju kërcënon bashkëjetesa politike juaja me modelin 1 dhe 2 të firmave piramidale dhe së treti deri më tash po ju mungojnë shprehitë e të komunikuarit në publik, me transparencë  dhe pse jo me pak karizëm e vërteta se deri KU ju jeni pleksur me heshtjen tuaj dhe mos bërjen opozitë 8 -vjeçare ndaj një fenomeni të tillë në Shqipërinë 2005-2013. Ne kemi nevojë që, në suksesin për reforma të kemi më tepër ndjekës të bindur në moralitetin e udhëheqësisë tuaj se rreshtim dhe shou mediatik të udhëheqësisë të ndotur në ide dhe që nuk do dhurojnë kurrë reformë me duar të pastra.

Të më falni për paragjykimin, por bollëku i informacionit profesional dhe qenia si zë kundër në 8 vite ma japin këtë të drejtë përpara heshtanakëve politikë dhe bashkëguzhinierëve pa ngjyrë politike, por piramidalë nga të dyja anët. A ka zgjidhje kjo situatë që pranoj?

Mjaftojnë dy veprime të para që të na bindni për moralitetin tuaj:

  1. 1.  Brenda 6 mujorit të parë tuajin qeverisës bëni transparent data base-in, inventarin e standardeve të licencimit (nominalisht), aktivitetin, planet e zhvillim- kërkimit, atë të zhvillimit institucional të mbi 45 universiteteve dhe shkollave të larta jopublike në Shqipërinë e 2005-2013. Aty deklaroni nominalisht çdo bashkëpunëtor dhe kontribuutor në programe, diploma false, financa, sponsorizime politiko- artistike, kërkimin shkencor të tyre në 8 vite.
  2. 2.  Hartoni urgjentisht dhe shpreheni mediatikisht Kodin Etik për grupin reformator tuajin dhe të udhëheqësisë tuaj politike mbi moralitetin që kërkon kjo reformë. Shprehni hapur respektimin e ligjit të konfliktit të interesit në anëtarësinë tuaj reformatore pasi kam frikë se janë bashkëguzhinierë.

Unë jam e bindur, për aq sa di dhe kam shprehur publikisht në 8 vite, që shkatërrimi nga ndotja në ide është dhe heshtja kur sheh degradimin janë bashkëkontribuese për modelin nr. 2 të firmave piramidale në Shqipëri. Uroj që rilindja ta konsiderojë këtë kërkesë timen. Nuk mund të vazhdojmë të pranojmë të quhemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës për katastrofën e radhës në arsim, e më gjerë se kaq. Aq më tepër kur kjo nuk i qaset fare filozofisë të së majtës. I frikem shumë një dite të shpejtë kur shqiptarët do kërkojnë të ushtrojnë të drejtën të kërkojnë paratë e tyre që i kanë humbur në këtë skemë “intelektuale” që ka vrarë elitarizmin dhe standardin e moralitetit që duhet të ketë udhëheqësia prej universiteteve për një komb në zhvillim të qëndrueshëm. E këto skema kapitulluese për më tepër nuk mund t’i faturohen edhe një herë të majtës dhe për më tepër të prekin ndotin e standardin ideor që kemi të gjithë për rilindësit e vërtetë nga historia dhe identitet ynë europian. Më mirë kërkojmë duart e pastra që të mundësojmë suksesin e reformave që janë të ndotura në ide nga pseudo të majtë dhe pseudo të djathtë që në fakt janë vetëm armiq të zhvillimit të qëndrueshëm të këtij kombi përmes amoralitetit si udhëheqësi dhe pasurimit personal. Të flasësh në momentin e duhur është detyrë e çdo intelektuali që do dhe kontribuon për këtë vend. Heshtja për një dramë të dytë kombëtare do na vrasë të gjithëve sërish.