Majlinda KETA / Partitë politike, si institucione shtetformimi dhe për 100 vite të tjera

520
Sigal

E shkelëm këtë muajprag të 100 -vjetorit të shtetformimit nën një trysni të pritjes se si 2 partitë e mëdha do sillen përkundrejt mesazheve që BE-ja dhe Sekretarja Klinton dhanë  për domosdoshmërinë e votimit të 3 ligjeve në Parlament nën një afat skadence të 20 nëntorit, pasi të voglat parti duket sikur janë të sfumuara dhe me një rol pa ndikim vendimmarrës.  Deri më sapo shkruaj këtë opinion institucioni Parti Politike, formëzuar në 20 vite pluralizëm të pas ’90-tës, mbetet në cilësi të mjerueshme të ushtrimit të rolit që i njeh demokracia  dhe ndikimi përmes modelit të funksionimit të tyre në cilësi shtetformuese, si edukim e proces.  Këto lloj cilësish janë realisht kërcënim për qenësinë tonë si shtet apo për kulturën shtetformuese. Ky institucion politik, Partia, duhet të ishte institucioni në avancë i shtetformimit si edukim dhe proces. Veç mos harrojmë një parim të madh, atë  që për të prodhuar shtetformimin së pari dhe detyrimisht i duhet të hartojë e të ketë Kodin Moral të tij në program, komunikim dhe cilësi individësh anëtarë. Cilësitë e ngjizura në institucionin Parti presupozohet se ngjizin apo paraprijnë cilësi thelbësore të shtetformimit për ne shqiptarët. Kështu, presupozohet se institucioni Parti është matësi i përfshirjes masive të shtetasve në demokraci se institucioni i votës i përdorur në atë institucion do të bashkëngjitej me votën e lirë, të fshehtë, publikisht të numërueshme dhe me destinacion atje ku e ka vendosur votuesi shtetas gjatë një procesi zgjedhor kushtetues; se  institucioni Parti bashkon ekspertizën në praktikat më të mira shtetformuese me idealin politik kontributor, i padiskutueshëm për cilësinë e shtetit të integruar në BE;  presupozohet që procedurat transparente vendimmarrëse politike do të fuqizonin  shtetin transparent bazuar në votën e lirë dhe të mbrojtur nga korruptimi i saj; presupozohet se institucioni Parti në bashkëpunim dhe me institucionin e shoqërisë civile, apo mekanizmat e veta parlamentare në komisione, grupe interesi apo presioni do të mund të sillte në avancë sigurinë për një proces politik të hapur dhe demokratik si një garanci kundër korrupsionit që varros cilësitë shtetformuese ; presupozohet që aksesi efektiv i grave në sferën politike, duke përfshirë edhe nivelet e larta drejtuese e vendimmarrëse në institucionin Parti do të sillte cilësinë shtetformuese në respektim të shanseve të barabarta dhe barazisë gjinore, sfidë kjo e Shqipërisë këtë 100- vjetor të shtetit të pavarur presupozohet se masat e veçanta të marra në këto programe partish do t’i japin shanse një edukimi dhe procesi shtetformues për përfshirjen e minoriteteve dhe grupeve të riskut në të bërit e demokracisë dhe përfitimit prej saj. Ku jemi me këto cilësi shtetformimi, si edukim dhe procesbërës, duke ju referuar 2 partive të mëdha kompromisi mes të cilave do të na jepte shans të kalonim në një fazë tjetër të shtetit shqiptar të konkurrueshëm me demokracitë e vjetra dhe të reja europiane? As më shumë e as më pak se ato cilësi të institucionit parti dhe roleve të tyre në shtetformim që përshkruajnë Gurakuqi, Noli…… Së pari dhe që mbetet një faktor vulëvënës në cilësinë e efiçencës së funksionimit të tyre dhe të “modelimit” të shtetformimit është fakti që  të gjitha partitë, mbi të gjitha 2 të mëdhatë PD dhe PS nuk mundën të ndërtojnë Kodin e tyre moral me qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve abuzivistë të Sigurimit të Shtetit dhe me të kaluarën e egër të luftës së klasave. Mos hapja e dosjeve ka qenë një proces që vazhdon të thajë efikasitetin e shtetit dhe cilësitë shtetformuese si edukim e proces. Strukturimi i bashkëpunëtorëve abuzivistë në përmbajtje të strukturave parti politike, pranimi i tyre ende në lidershipin politik dhe prej këtu drejt Parlamentit dhe Qeverisjes ka prekur dhe vazhdon të prekë rëndë moralin e shtetformimit në këto 20 vite të pretenduara në demokraci. Ky fakt mbetet një burim i keq i cilësive që prodhojnë institucionet parti politike për cilësitë shtetformuese pasi këto kontingjente janë robër të zotërve të dosjeve të tyre dhe jo robër të ligjit dhe shtetformimi. Për to dhe pushtetin që ato zotërojnë nga “kompromise amorale” të institucionit parti me shtetformimin si fuqi shteti nuk kanë rëndësi shtetasit shqiptarë që aspirojnë integrimin europian, as efikasiteti i institucioneve bazuar në standarde të BE, as votimi i ligjeve kyç se  për to ka rëndësi “loja politike” që zotëruesit e dosjeve urdhërojnë që ato të marrin rol në këmbim të destabilizimit të institucioneve dhe shtetit. Ato nuk e kanë problem të përdoren për “të frikësuar” në komisione të stisura partish brenda tyre apo deri në komisione parlamentare duke dubluar struktura dhe institucione bazale të demokracisë si vota, ligji dhe pavarësia e pushteteve. Pas 20 viteve ne duhet të kishim pastruar politikën dhe kjo të shtrihej në çdo pozicion publik të shtetit dhe akademizmit nga bashkëpunëtorët abuzivistë të Sigurimit të Shtetit apo agjenturave të huaja përmes tyre. Shtetformimi si edukim dhe proces mbetet peng dhe kërcënojnë realisht edhe 100 vitet e tjera të Pavarësisë së këtij shteti, cilësitë që  duhen atij si kontributor i mundshëm në familjen e madhe BE. Kështu futja në këtë vit elektoral që do jetë kryekëput produkt i cilësive shtetformuese që duhet të mbartin partitë kryesore në vend duhet të fillojë me një kërkesë imperative nga të gjitha palët, parti të vjetra a të reja në fushë të lojës politike, të kërkojnë dhe nënshkruajnë një Deklaratë ku të zotohen se do ta zbatojnë pa kompromis Ligjin për pastërtinë e figurës për  kandidatët e mundshëm për deputetë burimi nga ku institucioni politik Parti do të prodhojë pa kërcënuar moralisht 100 vitet e tjera të Pavarësisë së këtij shteti, shtetformimin si edukim dhe proces.