Majlinda KETA/ Arsimi dhe efektet e rotacionit politik

49

Nesër nisin dhe marrin jetë stafet e edukimit në nivel Republike, mësuesit e parauniversitarit dhe pedagogët. Bashkë me to ka nisur edhe muaji i rrotacionit politik të pushteteve të pas 23 Qershorit. Si ndjehet masa e edukatorëve shqiptarë? Një qasje me rotacionin e 2005-s për arsimin.

Së pari, t’i urojmë këtyre stafeve një vit të frytshëm për arritjet në edukimin e shqiptarëve sikurse dhe rritjen e standardeve të performancës institucionale në arsim.

Nga ato që kam kontaktuar e komunikuar, ndjekur median e shkruar apo televizive, gjykoj se ngjarja e dytë në proces, rrotacioni politik i pushteteve, ka dhe do të ketë patjetër ndikimin në gatishmërinë dhe efektshmërinë e stafeve. Kam bindjen se parauniversitari është më i ekspozuar ndaj politikës dhe më larg është ajo nga sistemi universitar. Kanë qenë plot 8 vite të së djathtës që kanë rënduar mbi stafe dhe publik shërbim marrës përmes shkeljes së parimit kushtetues mbi respektimin e depolitizimit të sistemit arsimor. Elektoralet e 2005-s në Tiranë e patën të shenjtë respektimin e mospërdorimit të shkollave dhe oborreve të tyre për takime elektorale (për të majtë e të djathtë) ndërsa 2013-ta ishte një dhunim i organizuar i institucionit shkollor, nxënësve dhe mësuesve në takime elektorale, ku merrte pjesë dhe vetë Kryeministri!

Në këto 8 vite të fundit, në zgjedhjet e fundit më shumë, pamë drejtorë që listonin numrat e kartave të identitetit të stafeve të mësuesve dhe prej tyre drejt maturantëve që votonin për herë të parë.  Denoncimet e rasteve të tilla për kërkimin e kartave të identitetit apo biseda totalisht të hapura të drejtoreshave të Tiranës me maturantët në këmbim të favoreve në Maturën Shtetërore kanë qenë shkelje flagrante të Ligjit e Kushtetutës.

Po kështu, menjëherë pas rrotacionit të 200-s, u hoq dorë nga praktika e VKM-së së 2002-shit që Drejtoritë Arsimor Rajonale dhe Zyrat e Arsimit të rekrutonin stafe mbi baza konkursi si administrata publike sikurse edhe konkurset të ishin ato që vendosnin për punësimin e mësuesve në qarqe. Zyrat e partisë në pushtet, emra që i njeh mirë gojëdhëna urbane, prodhonin dhe kërkonin dokumentacion mbi orientimin politik të punëkërkuesit duke i përcjellë si ultimatume drejt drejtorëve rajonalë. Aq e rëndë u bë kjo situatë aq sa punësimi në arsim dhe postet në drejtim u konceptua dhe u nda, edhe me përqindje mes aleatëve dhe po kështu u trondit sistemi kur aleatët u prishën me njëri-tjetrin.

Ka 8 vite që asnjë drejtor DAR apo ZAR nuk ka paraqitur një platformë zhvillimi afatshkurtër apo afatmesëm të arsimit lokal. Nuk kemi dëgjuar asnjë llogaridhënie qoftë edhe për fushatë elektorale nga drejtorët politikë. Drejtuesit lokalë ishin figurat me pa zë publik për komunitetet duke i hequr arsimit thelbin e vet, të konceptuari si shërbim për komunitetet. Ato asnjëherë nuk guxonin të shpreheshin mbi anarkitë e shkaktuara në sistem nga pseudoreformat në përgjithësi për Altertekstin, Maturën, kategoritë dhe karrierën në kualifikim, emërimin e drejtuesve, korrupsionin, infrastrukturat shkollore, privatizimet nga pronat e arsimit dhe kalimi i tyre në favor të privatit etj..

Sistemi i 8 viteve nën pseudoreforma dhe autoritarizëm politik nuk u atakua asnjëherë të vetme cilësore nga opozita e 8 viteve të fundit e jo më të merreshin në mbrojtje viktimat e tyre apo të kërkohej riparimi i dëmeve publike të shkaktuara.

Organizatat rinore, qeveritë e nxënësve thuajse u asfiksuan nga autoritarizmi politik dhe loja politike. Nuk kemi patur asnjë revoltë a protestë edhe nga Sindikatat e Arsimit në 8 vite ndonëse p.sh pedagogët janë ende me pagat e arritura nga protestat e pedagogëve në kohë të Nanos. Në arsim “vdiq” lëvizja sindikaliste për 8 vite.

Media e profilizuar për arsimin ka shprehur vazhdimisht vështirësinë në sigurimin e lajmit dhe të informacionit duke ju referuar me nostalgji administratës së para 2005-s.

Po përmend pak nga këto shkelje kushtetuese apo detyrime që na ngarkojnë ligjet e shtetit për të dhënë idenë se rrotacioni do shoqërohet me penalitete të domosdoshme ndaj shkelësve të ligjit, por uroj që zëvendësimet të jenë me standardet në zbatim të ligjit kushtetues. Arsimi duhet të kthehet tek standardi përzgjedhës i administratës publike dhe që lehtësisht do ta çonte drejt miratimit të STATUSIT të MËSUESIT, element i domosdoshëm që do çlironte arsimin nga politika.

Jam totalisht e bindur se e Majta e 2013-s është shumë herë më institucionale se e Djathta shqiptare në rrotacionet politike. Uroj që referencat në standard të jenë larg 1997-s dhe 2005-s, ku gabimet kanë qenë fatale për sistemin, pasojat e të cilave i vuajmë edhe sot.

Në përfundim të përgjigjes po ju jap 2 raste të komunikimit ditën e djeshme me kolegët e mi të arsimit. I pari lidhet me komunikimin me një nga mësueset më të mira të gjimnazeve të Tiranës për gjuhët e huaja që ndërsa më ripërsëriste bëmat nga pseudoreformat, pseudokualifikimet e detyruara në agjenci private dhe rezultatet reale në korrigjim të Maturës Shtetërore e mbylli duke më thënë:

 “Uroj që nesër të kem besim se drejtorja a drejtori që do vijë tek ne të mos na përçajë stafin blu e mavi se pas kësaj përçarje vijnë të gjitha të këqijat në mbarëvajtjen e shkollës sonë me aq emër, por që kemi mbërritur, ku nuk mban më nga abuzivizmi me pushtetin qysh nga ato që bëjnë kurrikulat e deri tek inspektorët që vijnë të na kontrollojnë dhe janë vite të tëra pas progresit lëndor. Dua të hyj në shkollë duke qesh jo duke u neveritur nga shkalla e mungesës së qytetarësisë në komunikime me kolegë e eprorë”. Epo kjo zysh e nderuar, vajzë Tirane e dy prindërve të nderuar në arsimin në vite të kryeqytetit, pas 30 vjetësh punë, kërkon shumë pak, shumë pak në krahasim me detyrimin që kanë të gjithë ato nëpunës shteti për t’i SIGURUAR e MBROJTUR mësuesit nga politika dhe mediokriteti.

I dyti rast ishte kafe biseda me një pedagoge të nderuar mbi rastin e një komunikimi në rrjet social, ku pedagogët e publikut bënin reklamë për masterat e një universiteti jopublik, ku ato janë pedagogë të jashtëm ndërsa orientimin drejt kësaj preference jopublike e bënin duke i bindur komunikuesit se publiku i ka masterat jo cilësorë. Revolta e saj për këtë shkelje të rëndë të Etikës Profesionale Institucionale ishte po aq e ligjshme sa dhe ligjshmëria që na detyron ne pedagogëve të publikut  të kontribuojmë për kurrikula të reja të çdo niveli sikurse edhe statusi i lektorit në publik të detyron “të luftosh” edhe institucionalisht dhe mediatikisht me shefat mediokër që bllokojnë progresin institucional, dhunojnë ligjin mbi institucioni akademik po aq sa luan në favor korruptiv të vetvetes, por që dëm i bën edhe publikut dhe jopublikut. Pedagogia e nderuar më vizionojë se ky jopublik tani është i favorizuar nga pushteti i rishtarëve fitues dhe që do kthehet si ai simbiliku i kanakëve nga vota kundër e shqiptarëve që përpos varfërisë e papunësisë ndëshkuan edhe këtë lloj morali të “publikëve” anti- publikë dhe të mbështetjes për jo publikët “politikë” anti-publikë. I premtova mikes time se kjo temë nuk merr fund këtu, por besoj se do të fillojë të gjykohet institucionalisht sapo të fillojë viti, nesër pra.

Uroj që dita ime e parë në fakultet të fillojë me urimin që ne të dy filluam komunikimin tonë e në mes vëmendjeve të kërkuara të jetë edhe RIKUJTIMI I KODIT të ETIKËS ndaj institucionit universitar në shërbim të publikut si dhe shumë rubrika të tjera të moralit profesional e personal të lektorëve dhe drejtuesve në auditore.

Siç e shohim universitari është më i “lehtësuar” nga vlera e të qënit profesional dhe i lirë në intelektualizëm, por kjo nuk do të thotë se mes nesh nuk ka vemje dallkaukësh politikë jo për POLITIKËN si vlerë, por për antipubliken që mund të prodhojë një politikë mediokre dhe antimorale.

Sot le të urojmë pragnisjen e angazhimit për profesionistët, mbështetësit e mendimit dhe debatit të lirë dhe të moralshmit publikë që debutojnë në sistemin e edukimit shqiptar, publik dhe jopublik të tjerët? Le t’i përpijë edhe rrotacioni me penalitete të ekzekutuara pasi është shkelur Kushtetuta, Ligji apo Kodet Etike të institucionit.