Majlinda KETA* / Akademizmi i kapitulluar para politikës

146

Po mbërrijmë në 28-n dhe çdo ditë  e jona vazhdon të jetë e mbushur me një duzinë tezash prej pretendentësh për “kërkim shkencor” mbi të vërtetat  historike se, cili është qyteti ku u shpall Pavarësia dhe ku duhet të festohet zyrtarisht 100 -vjetori, se cili ishte flamuri që Ismail Qemali ngriti atë Ditë të Madhe, cila duhet të jetë gjuha zyrtare e shqiptarëve, ku është kufiri ynë detar me Greqinë, sasitë e naftës në det si pjesë e qëndrueshmërisë të së ardhmes tonë të përbashkët … nën sfond të tezave se, përtej letrës historia është edhe rrëfim dhe përmbi të gjitha në maxhorancë kërkimi udhëhiqet nga politika dhe politikanët, pasuar nga opinionistët e gjithëdijshëm të sfondeve blu e rozë të medias së “pavarur” dhe fare zbehtë nga institucionet akademike të mirëfillta. Përmbi të gjitha, kampet politike janë rreshtuar në frëngji lufte për data, ngjarje, figura historike e të gjitha këto të amplifikuara nga media “e pangjyruar”.  Ardhur deri tek zëri e figura do të ishte gjysma e të keqes, por kur kjo materializohet dhe kthehet në ushqim publik në libra e tekste shkollorë (edhe antikombëtarë në përmbajtje) kthehet në kërcënim të vërtetë edhe për 100 vitet e ardhshme tonat, por mbi të gjitha për shtetformimin për sot dhe nesër nga këto kategori nxënësish historie që notojnë në anarshizëm shkencor.  Pra, na duhet të pohojmë para fëmijëve tanë, kudo ndodhen shqiptarët nëpër botë, që edhe pas 100 vjetësh ne, prindërit e tyre, nuk kemi mundur të dakordësohemi për të vërtetën e historisë tonë 100 -vjeçare të shtetformimit. Politika dhe politizimi po venë vulën edhe mbi të vërtetat historike të shtetit dhe shtetformimit. Ky fenomen, edhe në këto 20 vite,  po ndodh pa shumë ndryshime nga ai i 45 viteve të socializmit, nën vulëvënien e politikës dhe të preferuarve të saj në jetën shkencore akademike, ndonëse në një zë jemi shprehur se kemi nisur edhe për shkencën dhe akademizmin rrugën për integrimin europian të vendit. Përtej këtij shqetësimi tashmë të tejkaluar në 2 në shkrimet e mija të mëparshme mbi kërcënimet që i vijnë shtetformimit nga politika më lind e drejta për të pyetur dhe dhënë mendim mbi “A e kemi institucionin akademik pas 100 viteve të shtetit? Sa kontributor është ai  në cilësitë e sotme për të paraprirë 100 vitet e tjera? A po i paraprijnë ato 100 viteve të tjera?”.

Në se do t’i referohem institucioneve akademike si institucione edukimi , kërkimi shkencor dhe vulëvënëse të gradave akademike do të na duhet t’i referohemi Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universiteteve dhe Instituteve të Kërkimit bazuar në fusha të ndryshme, duhet t’i referohemi komunitetit të madh historidhënës dhe historinxënës. Me plot të drejtë mund të themi që gjithë ky komunitet gjigand në cilësi të shprehura në grada shkencore që mbajmë, numër institucionesh ku kemi arritur me liberalizimin e arsimit të lartë, produkte intelektuale të pretenduara dhe mbi të cilat janë marrë grada e tituj nuk mundëm të “mposhtim” etjen dhe ambiciet e politikës shqiptare 100 -vjeçare për t’u deklaruar publikisht dhe për t’u imponuar si vulëdhënëse e të vërtetave historike. Pra akademizmi ende vazhdon të jetë i kapitulluar para politikës.

Ne, në komunitet, nuk kemi arritur të jetësojmë atë që Sami Frashëri tek “Shqipërija ç’ka qenë, çështë e ç’do të bëhet”  kur na njeh për mision të institucionit akademik “….për të shpënë përpara dhe shkronjënë, istorinë, dhe shkronjën (gjeologjinë),  metalet’ e tjera punëra të Shqipërisë…….”. Është një gjest për t’u vlerësuar kur akademikët dhe punonjës të institucioneve akademike mbështesin cilësi progresive të politikbërjes në momente kyçe të vendimmarrjes politike në vend, por është e pafalshme që institucioni, komuniteti akademik nuk ka as edhe një rast, ku të ketë dalë në unison, publikisht, me qëndrimin shkencor ndaj të vërtetave historike të domosdoshme për shqiptarët dhe shtetformimin edhe kur ky qëndrim nuk është si ajo e politikanëve qeverisës apo opozitarë. Historia e pas 100 viteve nuk mund të vazhdojë të vulëbëhet nga politika, e kujtdo krahu qoftë pasi shqiptarët drejt BE-së janë lodhur nga diskutimet shterpë apo imponimet e dhunshme të politikës mbi historinë shtetformuese mbi data, figura e ngjarje madhore si Pavarësia, Çlirimi nga nazifashistët apo gjuha e flamuri. Mosveprimi me moral profesionisti deri më tash nuk mund të tolerohet më tej në këtë prag 100 vitesh të tjera pasi është një kërcënim për shtetin dhe shtetformimin.

Unë i referohem këtu në këtë opinion për institucionin akademik brenda kufijve tanë zyrtarë të RSH-së, por nuk duhet të harrojmë se cilësia e institucioneve tona akademike kanë ndikimin dhe pritet të fuqizojnë misionin e tyre edhe për të vërtetat e shqiptarëve në Rajon. Çështja shqiptare ka ende shumë probleme për të zgjidhur dhe akademizmi përmes mbrojtjes së të vërtetave edhe në rrjete akademike ndërkombëtare duhet t’i paraprijë Diplomacisë Shqiptare me standardet europiane të së ligjshmes, tolerancës e bashkëpunimit për Rajonin e Paqëm me bazë faktorin shqiptar. Importimi i politikës së konfliktualitetit me bazë politikën shqiptare edhe në jetën e institucionit akademik është një kërcënim për cilësitë shtetformuese për 100 vitet e tjera të kësaj toke të të parëve. Diskursi publik mbi i politikës së konfliktualitetit nga dy partitë e mëdha duhet të ishte “shuar” nga akademizmi me qëllim që përçarja të mos reflektohet në popull duke sajuar “popull të majtë” dhe “popull të djathtë”. Absurde të tilla që shuhen e mundem vetëm nga pushteti që duhet të ketë akademizmi mbi ne do të qartësonte dhe tymnajën dhe amullinë e krijuar mes shqiptarëve përtej kufijve zyrtarë për festimin e Ditës së Madhe. Luigj Gurakuqi në 1-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë kur fliste për “Mvehtësinë e Shqipniës”  shprehet:

“T’a dijmë mirë se çartjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun menjëherë  mvehtësinë tonë: u shtojnë rreziqet vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë pop resin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; a ma tepër u thyejnë zemrën atyre fatzezëve,  që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipërisë së lirë.

Të betohemi pra dhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë; t’i bajmë therror smirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemrë…..”.

Akademizmi shqiptar duhet t’i paraprijë Zgjidhjeve të Mëdha të Çështjes Shqiptare, ai duhet të bëhet faktor  argumentues dhe ofrues rrugëzgjidhjesh për Kosovën, Çamërinë, faktorin shqiptar në Maqedoni e Mal të Zi dhe minimalja ishte që auditorët e Akademisë dhe Universiteteve të ishin gjithëpërfshirës për të gjithë sa më sipër në këtë 100- vjetor të shtetformimit të shqiptarëve të Shqipërisë. Por jo vetëm kaq pasi duhet të konsiderohet edhe ndikimi i cilësisë së tij në ATË të shqiptarëve dhe aftësive të tyre shtetformuese në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. E pra, unë ende flas me “duhet”, pra pohoj se po shkelim 100 vitet e tjera me një miopi akademike sa kohë në 40- vjetorin e Akademisë së Shkencave ne nuk arritëm të paqtonim për pjesëmarrje të ftuarit rajonalë dhe faktorin shqiptar përtej kufijve zyrtarë. Thua ne nuk donim se dhe mund të ngjiste apo nuk u dhamë peshën që meritonin gjithsecili!. Shqipërisë dhe shtetetformimit si edukim e proces në 100 vitet e tjera nuk i duhen as akademizmi i mposhtur nga politika dhe as drejtuesit jo profesionistë që nuk kuptojnë dëmin që bën politizimi i historisë dhe dhunimi i së vërtetës historike për një shtet që i duhet të shkojë si IDENTITET dhe KONTRIBUTOR në familjen e madhe BE. Ne duhet t’i themi STOP këtij fenomeni pasi është kërcënues real i cilësive të qëndrueshmërisë së shtetformimit me bazë akademizmin dhe institucionet akademike edhe për 100 vite të tjera.

*Lektore e Mendimit Politik Shqiptar të viteve 30-të, Universiteti i Tiranës.