Majlinda KETA/ “101 vjet e më pas”

574
Sigal

Si kontribuues të paqes për Ballkanin, bazuar në edukimin për zhvillimin e qëndrueshëm

*Pedagoge në UT

Një vit më parë, në nëntorin e 2012-ës, kur të gjithë shpreheshim, organizoheshim dhe prisnim këtë Ditë të Madhe në të 100-in mes viteve tona shtetformuese, gjykova të shkruaja një seri shkrimesh në të përditshmen shqiptare “Telegraf” ku mbizotëroi një mendim kritik mbi cilësinë e shtetit që kishim realizuar si proces dhe edukim. Kështu në shkrimin “Akademizmi i kapitulluar përpara politikës” pata pohuar se ne, akademikët dhe lektorët e auditoreve universitare nuk mundëm të “mposhtnim” etjen dhe ambiciet e politikës shqiptare 100 vjeçare për t’u deklaruar publikisht dhe për t’u imponuar si vulëdhënëse e të vërtetave historike. Shqipërisë dhe shtetformimit si edukim, e proces, në 100 vitet e tjera nuk i duhen as akademizmi i mposhtur nga politika dhe as drejtuesit jo profesionistë që nuk kuptojnë dëmin që sjell politizimi i historisë dhe dhunimi i së vërtetës historike për një shtet që i duhet të shkojë si IDENTITET dhe KONTRIBUTOR në familjen e madhe BE. (Gazeta “Telegraf, 19 nëntor 2012).

Sot në të 101-in përvjetor, referuar fokusit të kësaj Konference nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike në Maqedoni ne gjendemi si një komunitet i madh lektorësh e studiuesish që do të mundohemi të ideojmë “101 vjet shtet Shqiptar dhe më pas“. Në plotësi të frazës do të pohoja se sot si pjesë e këtij komuniteti të qëndrueshëm të lektimit dhe kërkimit shkencor në shqip dhe nga shqiptarë, përmes një ndërgjegje kritike, por dhe alternative mund të marrim përgjegjësinë e ideimit dhe veprimit të një 100 vjeçari të dytë shtetformues më të suksesshëm e më konkurrues në Ballkan dhe “aki komununiter”. Këtë 100 vjeçar të dytë shtetfuqizimi ynë vijon në përshtatje të përmbajtjes dhe dinamikës së plotësimit të parimeve dhe standardeve të Bashkimit Europian për shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Procesi i përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë procese integrues europian domosdoshmërish do ketë refleksionin e ndërgjegjes shtetformuese dhe shtetfuqizuese të vetë faktorit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi etj. Për herë të parë në historinë e Ballkanit shqiptarët kanë shansin të kontribuojnë realisht për një Ballkan në paqe, dhe në progres zhvillimi, bazuar në një filozofi integruese drejt Bashkimit Europian.

-Ballkani që parashkruhet dhe Ballkani që duhet të prodhohet nga edukimi

Duke ju referuar një interviste të publicistes dhe gazetares shqiptare nga Kosova, Jeta Xharra, më 24 gusht 2010, me Noel Malcolm (shkrimtar, historian, poliglot dhe gazetar, një nga analistët më të mirë britanikë në çështjet e Ballkanit) pas pyetjes se:

“Ballkani ka shumë mite dhe kjo ka bërë që disa të mendojnë se rajoni është veçanërisht i prirur për urrejtje etnike. Në disa vende të Ballkanit po rritet ksenofobia dhe disa qeveri vazhdojnë të ndërtojnë mite të reja. Çfarë mund të bëhet që këto mite mos mbajnë rajonin peng në të ardhmen?”

Gjejmë këtë përgjigje nga Malcolm: “Miti i urrejtjeve etnike të lashta u krijua pjesërisht nga të huaj injorantë, udhëtarë në fillim të shekullit 20-të e më tutje, të cilët menduan se ishte më e kollajtë dhe më eksituese për lexuesit e tyre nëse ata thonin se ky ishte një lloj tornadoje urrejtjes etnike të lashta e të pashpjegueshme. I jepte tingëllim ekzotik.

Në historinë më të vonët vjen si manipulim i qëllimshëm dhe konfuzion i opinionit perëndimor nga njerëz, të cilët donin që ata të mendonin se luftërat e shkaktuara drejtpërsëdrejti nga politikanë, esencialisht nga Miloshevici, nuk ishin shkaktuar nga politikanët e kohëve moderne.  Nga një anë ishte budallallëk e nga një anë manipulim i qëllimshëm. Në të vërtetë, këto urrejtje të lashta nuk janë më të lashta se mesi i shekullit të 19-të. Ata janë produkte normale  të procesit të shtet-formimit, të cilat zhvilluan nacionalizma të llojeve të ndryshme me mitet nacionaliste përkatëse dhe zhvilluan konflikte politike në terren sepse këto nacionalizma po konkurronin për territor.

Pyetja e gazetares: Si mund t’i ndalim apo t’i pakësojmë?

Përgjigje: Në kuptimin më të gjerë është çështje edukimi. Jo vetëm se çfarë futet në tekstet shkollore, por dhe çfarë njerëzit thonë publikisht, çfarë thonë politikanët dhe çfarë thuhet në media. Nuk po flas për tru-shpëlarje apo promovimin e ndonjë ideologjie të re, që Ballkani ka qenë përherë toka e lumtur e tolerancës. Jo, veç histori normale, kuptim normal”.

Në përvijim të Ballkanit të paqëm, këtë 101 vjetor e më pas të gjithëve na nevojitet një filozofi edukimi, një mendim e frymë veprimi nga shkolla tek publiku i gjerë, nga auditorët akademike e deri tek politikanët e media që të mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm për sot dhe gjeneratat që vijnë pas nesh. Na duhet një projektim afatgjatë i sigurisë së cilësisë së të menduarit human dhe institucioneve që prodhojnë shtetformimin dhe shtetfuqizimin. Jean Monett, një nga themeluesit e Bashkimit Europian, e ka shprehur procesin e integrimit europian përmes pohimit  “nothing is possible without men, and nothing is lasting without institutions” pra “asgjë nuk është e mundur pa njerëzit, dhe asgjë nuk është e qëndrueshme pa institucionet”. E nëse do të përdorja një shprehje greke do të thoja se, Këtë rrugë NE, të gjithë bashkë, nuk do ta bëjmë me sprint, por si një maratonë e gjatë.

Dokumenti strategjik i proceseve të zgjerimit të BE-së, “Europa 2020”, edhe një herë këmbëngul për Europën e mençur, të qëndrueshme dhe të gjelbër (smart, sustainable and green) gjë që e rithekson nevojën për këtë filozofi edukimi, e cila parashtron sfidën tjetër të “101 vjet e më pas”, atë të programeve qeverisëse të edukimit me bosht këtë filozofi edukimi që do të ishte realizimi konkret i detyrimeve që i kemi shtetformimit dhe shtetfuqizimit tonë përkundrejt vetvetes, qënies tonë dhe proceseve integruese europiane. Në rrotacionin politik të 23 qershorit 2013 në Shqipëri patëm mundësi të dëgjojmë të artikuluar “Zhvillimin e qëndrueshëm për gjeneratat e reja” por ende nuk kemi një programim të përgjegjësive të “edukimit për zhvillimin e qëndrueshëm” ndonëse shumë dokumente ndërkombëtare dhe europiane e sjellin si detyrim të Shqipërisë dhe edukimit në të. Përcaktimi i tij si një filozofi edukimi, qasur tendencave botërore e europiane,  do të mundësonte një standard zhvillimi që do të na largonte nga programet e edukimit pa konsensus politik por si prone e një parcele politike, duke sjellë në plan të parë edukimin për kombin, shtetin dhe që njëkohësisht do të edukonte dhe vetë politikën pro zhvillimit. Kjo filozofi edukimi do të jetë promotorja dhe kontributorja e Ballkanit të paqëm ku faktor ndikues janë shqiptarët e “101 vjet e më pas”. Kështu ne mundemi të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga pseudoreformat nën ngjyra politike me dëme të mëdha publike dhe implikime me fenomenin e humbjes së cilësisë në edukim tashmë  të pranuara publikisht por dhe  mjafton t’i referohemi konkluzionet nga PISSA, Raportet e Bankës Botërore, UNICEF ndërsa nuk mund të anashkalohet dëmi që vazhdon të sjellë korrupsioni në sistemin e edukimit. Koherenca në programime reformash për zhvillim si dhe matja e progresit  në edukim sigurohet nga vetë standardet që mbart ndërtimi i kësaj  filozofie edukimi.

-Universitetet shqipfolëse, arsimi në përgjithësi, si vatra të elitarizmit dhe shtetformimit edhe pas 101 vjetësh

Universitetet shqipfolëse, por dhe arsimi në hapësirat shqipfolëse, si vatra të elitarizmit akademik dhe kërkimit shkencor, duhet të jenë ideatorët, promotorët dhe moderatorët e këtij 100 vjeçari të dytë me kah drejt qytetarisë, shkencës e shtetfuqizimit. Ne qytetarët shqiptarë, shtetasit e “modeluar” prej kësaj filozofie edukimi, në “101 vite e më pas” na lipset të jemi të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm për ndikimin e zgjedhjeve përmes vendimmarrjeve tona për zhvillimin e qëndrueshëm në hapësirat shqiptare, ballkanike dhe europiane. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për përfitimet apo risqet prej zgjedhjeve që bëjmë sot dhe ndikimin e tyre në gjeneratat e reja shqipfolëse mes atyre ballkanike. Në vrazhdë të këtij procesi formimi ne duhet të jemi të aftë për të balancuar implikimet dhe përfitimet duke dalë nga vetja tek shteti, drejt cilësive të zhvillimit të tij në këtë 100 vjeçar të dytë, cilësive tona përse shtetfuqizimi edhe brenda shtetit maqedonas, malazez, e më gjerë se kaq, në dhjetëra ku ne kemi besuar jetët dhe prosperitetet tona këtë qindvjeçar të dytë. Vetëm në këtë mënyrë nga universitetet dhe sistemi i edukimit ne do të mundësojmë të ndikojmë e moderojmë procesin e integrimit europian të një rajoni bazuar tek paqja nga parametrat e zhvillimit të qëndrueshëm bazuar në edukimin për zhvillimin e qëndrueshëm. Hapësira shqipfolëse është një kontributore maxhoritare me ndikim të padiskutueshëm në këto cilësi të pritshme e në qëndrueshmëri. Vetëm përmes kurrikulave universitare, që pasqyrojnë këtë filozofi edukimi (EDS), ne do të mundësojmë njohuri dhe shprehi të sensit të përbashkët (për aki komuniter) dhe qartësisë së vendimmarrjeve tona për veten, shtetin, kombin, rajonin dhe BE-në. Vetëm në Universitete nën këtë filozofi edukimi ne do të instalojmë institucionalisht dialogun dhe analizat filozofike të çështjeve bashkëkohore që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm bazuar në nivel kombëtar, rajonal dhe europian. Nëse do t’i referohesha John Maxwell tek “Të mendojmë për ndryshimin”, gjykoj se dialogu apo analizat filozofike mbi “101 vjet dhe më pas” mbi bazën e të menduarit kritik duhet të përdoren për të drejtuar të menduarin dhe organizimin tonë në auditoret studentore apo mes kolegësh, por më shumë se kaq qëndron detyrimi ynë për të dalë tek “Auditori Publik”. Domosdoshmërish këto “Auditorë Publikë” duhet të ofrohen në vendin e kohën e caktuar pasi nuk kemi kohë për të humbur. E ardhmja jonë, dhe e pasardhësve tanë, nuk e pranon as vonesën e as sfazimin e këtyre 2 dimensioneve. Nuk kemi kohë për të humbur në rrugën e zgjedhur. Vetëm kjo mbetet rruga e të menduarit që do të ideojë e zotërojë sjelljen tonë në mbështetje të një Ballkani të qëndrueshëm në progres zhvillimi me kontributor shqiptarin dhe vizionet e tij për vete dhe vendin që i takon në Bashkimin Europian bazuar në vlera si edukimi – paqja – integrimi. -NE, të gjithë bashkë mundemi që ta realizojmë këtë së bashku.

Ne mundemi duke filluar nga Abetarja e përbashkët e deri tek krijimi i Auditorit Shqipfolës pa kufij mendorë e veprorë në emër të paqes dhe qëndrueshmërisë së zhvillimit të këtij kombi.