Edhe për 2-3 vitet e ardhshme do të jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë

 Jakup B. GJOÇA

Sokol Hazizaj, konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh opinionin se projektligji për Gjyqtarët dhe Prokurorët mund të ketë qëllime politike, motive që hyjnë në veprime spekulative, kur organet e qeverisjes së drejtësisë funksionojnë me ligje të shfuqizuara. Ndërsa për KPK-në, zoti Hazizaj, shprehet, se deri tani ajo është më shumë një drejtësi popullore, sesa drejtësi ligjore dhe “Standardi vlerësues mbi gjyqtarët dhe prokurorët, që vjen si pasojë e metodave të papërcaktuara qartë ka sjell anomali dhe arbitraritet në veprimtarinë e gjykatave dhe organet e hetimit”. Zoti Hazizaj jep alarmin se Shqipëria mund të mbetet edhe 2-3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, për shkak të ecurisë shumë të ngadaltë të Vetingut. Zoti Hazizaj, duke iu referuar ligjit për Teatrin Kombëtar, shprehet se legjislacioni ynë nuk parashikon përgjegjësi individuale të ministrit, në ato raste kur projektligji miratohet nga Parlamenti, edhe pse është në kundërshtim me Kushtetutën, me interesat kombëtare, me ligje të tjera.

 01 Institucionet e Drejtësisë veprojnë me ligje të shfuqizuara

 -Zoti Hazizaj ju si e vlerësoni p/ligjin E ri të qeverisë “Për gjyqtarët dhe Prokurorët” ku i jepet kompetencë ligjore kryeprokurores dhe KLD të bëjnë akoma emërime?

– Është e vërtet që procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra efektet e ligjit 84/2016 po jep efektet e tij në mënyrë të ngadaltë, ndryshe nga mënyra dhe shpejtësia që u miratuan ato në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithsesi dhe pavarësisht nga procesi i filluar tashmë, nga organet e qeverisjes së deritanishme të drejtësisë nuk mundet të ushtrohen detyrime vijuese, si në rastin e emërimit të magjistratëve të rinj, të cilët duhen konsideruar të pafajshëm nga pamundësia e zbatimit të akteve të reja të reformës në drejtësi. Pra, në këtë kuptim, ligjbërësi ka ndërmarrë një nismë, e cila duhet trajtuar në dy dimensione, ku njëra arsye të lë të kuptosh që prej ligjbërësit është konstatuar se aktet e tij janë të nxituara dhe pa strukturuara drejtë në kohën që i kaloi, ndërsa nga ana tjetër përpiqet të rregullojë qoftë në mënyrë të sforcuar vakumet e krijuara prej ligjit. Kjo përpjekje është pozitive në opinionin tim, ndonëse vijnë në kundërshtim flagrant me aktet ligjore tashmë të hyra në fuqi të organeve të drejtësisë. Nuk mund të lë pa thënë se pas kësaj lëvizje mund dhe qëndrojnë dhe qëllime politike, motive, të cilat hyjmë në veprime spekulative, ku organet e qeverisjes së drejtësisë funksionojnë sipas ligjeve të shfuqizuara, ndërsa procesi seleksionimit vijon sipas akteve të reja. Kjo është e tmerrshme, ndonëse qytetarët presin ta ndiejnë zjarrin e padrejtësisë, kur të shohin tymin brenda pantallonave.

– Mund të jetë justifikueshëm arsyetimi i maxhorancës se kjo është mundësi për të dalë nga kaosi i kolapsit ku u katandis Gjyqësori?

– Po e kanë cituar në këtë mënyrë, fakt të cilin nuk e kam dëgjuar, tregon që çka deklarova më sipër, pra zjarri ka filluar të djegë dhe qillotat e udhëheqësve të mazhorancës. Kolapsi i konstatuar tashmë, ndonëse i vonuar, nuk është kosto e mazhorancave politike, sepse ato e kanë realizuar qëllimin e tyre elektoral me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2008. Me pak fjalë, sot për politikat elektorale nuk ka më rëndësi numri i qytetarëve, sepse mjafton që tre shtetas shqiptarë të shkojnë në votim rezultati është i pranueshëm për qeverisje. Këtu në vendin tonë rezultati elektoral është më i thjeshtë nga rezultati i një bilete sportive, sepse ka vetëm njësh ose dysh, nuk njihet x, dmth barazimi. Situata sa qesharake dhe e rëndomtë.

– A duhet të votohen nga parlamenti marrëveshje të atilla që kanë rëndësi kombëtare siç është ajo me Greqinë, sa kohë Gjykata Kushtetuese është e pezulluar?

– Neni 131 i Kushtetutës pranon se “Gjykata Kushtetuese vendos për:

a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122;

b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre”. Nisur sa më sipër të lë të kuptosh se cili di që vjen për shkak të mungesës së një prej organeve më të rëndësishme të rrjedhura nga Kushtetuta. Ndaj theksoj se ndodhemi në një situatë jo vetëm kaosi ligjor dhe zbatues gjithashtu, por se tepërmi spekulativ, rezultati i së cilës është i paparashikuar.

02  Komisioni i Vetingut i ngjan drejtësisë popullore, sesa drejtësisë ligjore

– A është selektiv dhe me 2 standarde vlerësimet e deritanishme nga Komisioni i Vetingut?

– Sa i përket Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sqaroj se, duke qenë një organ i ri, duhet vlerësuar në dy vështrime. Së pari, duke qenë një organ pa eksperiencë procedurale, konstatoj se për këtë shkak vlerësimet dhe metodat e përdorura në analizën e tyre më tepër i ngjajnë një drejtësie popullore, se sa drejtësisë ligjore. Së dyti, standardi vlerësues mbi gjyqtarët dhe prokurorët, që vjen si pasojë e metodave të papërcaktuara qartë ka sjell anomali dhe arbitraritet në veprimtarinë e gjykatave dhe organet e hetimit. Nuk mendoj se ka dy standarde në vlerësimin e tyre, por më duket se sillet në të njëjtën mënyrë abuzive, siç dhe gjykatat dhe hetimi i deritanishëm, sa ndonjëherë më duket si rudiment i një drejtësie të lodhur, që nuk ka për

mision të drejtën dhe përmirësimin e drejtësisë në vend.

– Pavarësisht se u sanksionua me ndryshimet Kushtetuese, a mundet që një trupë e Komisionit të vetingut të përherë nga anëtarë pa integritet Professional të vlerësojë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të cilët i ka votuar Parlamenti me shumicë të cilësuar?

– Nuk është hera e parë, që ndryshimet politike sjellin risi të reja. Në këtë kuptim, mendoj se mënyra së si mazhoranca e sotme e përcolli shqetësimin pranë institucioneve ndërkombëtare mbi drejtësinë, pruri për pasojë këtë format vlerësimi, si dhe për pasojë çdo metodë e importuar quhet e drejtë. Nuk duhen harruar që Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka mbështetur këtë proces. Duke pranuar standardin, nuk më ngelet tjetër gjë, veçse të mbështes vendimet e saj me karakter kushtetues.

– Ju si konstitucionalist si gjykoni: Ngërçi dhe kolapsi në Gjyqësor mosngritja e institucioneve të reja në Drejtësi, vazhdimi në detyrë e kryeprokurores së Përkohshme është pasojë teknike e problematikës së zbatimit të Reformës në drejtësi apo qëllimi i atyre që janë në ditë vendimmarrjen politike?

– Drejtësia nuk është një fushë, ku të korrat, apo dëmet vijnë në një vit, ndaj impenjimi përhershëm ka qenë përafrimi ligjor i brendshëm me atë evropian. Ndonëse kemi ecur me hapa të shpejtë, ligjzbatimi ka qenë dhe është problem shumë i vështirë. Parë në këtë konteks, operacioni i fundit ligjor do të ketë dhe pasojat e veta, që padyshim do nxis dashur pa dashur spekulime. Gjithsesi, bëj me dije që për nga mënyra se si po formatohen dhe zbatohen aktet e reja ligjore, do ishte më mirë që abuzitivistët, spekulatorët dhe manipulatorët e të drejtës, më mirë të gjykohen dhe këto pak kohë që kanë ngelur disa aktorë të drejtësisë që kanë kurajë, se sa më vonë, se si dihet??!!

Sipas mendimit tuaj, kryeprokurorja e Përkohshme a ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe kushtetuese me emërimet? Po kohëqëndrimi i saj pa afat a është Antikushtetues, derisa nuk mori në Parlament konsensusin e Opozitës, siç e kërkon Kushtetuta?

– Në mënyrën se si po funksionon organi procedural i hetimit, dhe për shkaqe ligjore, nuk mund dhe nuk ka asnjë mundësi të funksionojë ndryshe nga më parë. Ndaj vijueshmëria e qokave, apo nepotizmi skandaloz nuk përjashton asnjë institucion në vendin tonë. Për të qenë i qartë në përgjigjen time, konstatoj se në këtë vend nuk ka pozitë dhe opozitë, arsye për të cilën diskutimi se një nga palët votoi dhe tjetra nuk votoi përbën një diskutim pa vlerë. Në thelb problemi këtu qëndron diku tjetër, që ka të bëj thellësisht me të drejtën dhe garancinë e njeriut për të jetuar mbrojtur nga ligji dhe institucionet. Sa kohë institucionet dhe individët që vendosen në to janë nën presionin politik, pasoja është e qartë, ato nuk mund të funksionojnë, ose, dhe kur bëjnë sikur, punojnë duken qesharak.

Ju ishit i pari në interviste te gazeta Telegraf para 3 muajsh që dhatë alarmin e kalimit të afateve Kushtetuese për ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë paralizën e Gjykatës Kushtetuese. Tani ju kë zgjidhje kushtetuese shikoni si e vetmja mundësi për daljen nga kolapsi i Gjyqësorit?

– Paralajmërimi ka qenë më i hershëm, gjithsesi sa kohë nuk është në interesin e askujt prej përfaqësuesve tanë ekzistenca dhe funksionimi i organeve kushtetuese, ato nuk do të ngrihen. Qytetarët duhet të vihen në dijeni, që sot dhe për dy apo tre vite do jenë pa gjykatë të lartë apo gjykatë kushtetuese. Mbase del më mirë, kur pritja konsiderohet si forcë, dhe durimi për të drejtën pranohet si shpëtim. Të shohim.

03  Legjislacioni ynë nuk mbart përgjegjësi individuale të ministrit, apo kryeministrit

– P/ligji i qeverisë për Teatrin Kombëtar, a bie ndesh me ligje të tjera?

– Sa i përket Qendrës Kombëtare Teatrore të Artit Dramatik, ose Teatrit Kombëtar, në kuptimin ligjor është në varësi të Ministrisë së Kulturës, bazuar në Ligjin nr. 8578, datë 10.02.2000. Kaq mjafton të pohoj se ajo ndërtesë do të prishet, dhe atje e fundit gjë që mund të ndërtohet jo me tulla, por në video tredimensionale do të jetë teatri. Ndërhyrjet në ligj nuk bëhen për të ndërtuar teatrin, por për ta prishur atë. Ky nuk është projekt i sotëm, por ka vite, që nga koha kur kishte pozitë dhe opozitë. Problemi këtu nuk qëndron kush do ta prishi dhe kush do ta ndërtojë, se dihen tashmë, por qëndron te përgjegjësia ligjore dhe historike, ndaj do të kalojë me ligj. Por unë jam i bindur se ajo godinë do të prishet, sepse sa kohë qytetarët i besuan projektit 2015, padyshim pjesë e tij ishte dhe teatri.

– Në kësi rastesh nëse ky ligj edhe pse mund të miratohet nga parlamenti, por mund të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese “antiligjor” cila është përgjegjësia individuale para ligjit e ministrit që e hartoi p/ligjin?

– Legjislacioni ynë nuk mbart përgjegjësi individuale të ministrit, apo kryeministrit për iniciativat ligjore, të cilat kalojnë në organet me karakter kolegjial, siç janë Kuvendi i Shqipërisë, apo Këshilli Ministrave, apo organe publike të tjera, sepse konsiderohen që ato mbështeten në dispozitat ligjore dhe anëtarët e këtyre organeve duhet të reflektojnë në veprimtarinë e tyre integritet dhe profesionalizëm të lartë. Parlamenti konsiderohet si filtri ligjor ndaj lajthitjeve të qeverisë. Më pas, është Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për kushtetueshmërinë e ligjit. Sa kohë që nuk ekziston fryma ligjore e zbatimit, por ndihet e kundërta dhe sundon anarkizmi i një njeriu, padyshim teatri përbën vlerë të “vogël” historike. Nisur nga ky kuptim, prishja e teatrit kombëtar, nuk është pjesë e rregullit, por e shkatërrimit të historisë, ndaj nuk duhet të ekzistojë më.