Lush SUSAJ: Kolltukofagët dhe karakteret e lopësuara

624
Duke lexuar një fjalim të Nolit, të mbajtur në parlamentin e vitit 1924, me bëri përshtypje saktësia e përdorimit dhe aktualiteti i fjalëve të mësipërme. Për të mbirë kërpudhat, duhet të ketë reshje dhe lagështirë të lartë ajrore. Ndërsa për t’u shtuar dhe zhvilluar kolltukofagët dhe karakteret e lopësura duhet goditur shteti, ligji dhe institucionet, duhet shkaktuar kaos dhe anarki.
Në këtë fjalim, Noli ka folur për 5 anarkitë, aktuale, pothuajse njëlloj si në kohën e Nolit.
Noli shkruan: “E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha…..E pesta, anarkia e idealeve: për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i ç’qitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”
Në këto 25 vjet, kush nuk i ka dëgjuar e njohur krimbat me ambicie pa fre e pa kufi, kolltukofagët dhe të shushaturit që nuk lanë gjë pa bërë derisa u ngjitën në krye të politikës dhe institucioneve për t’i degraduar, poshtëruar, shpërdoruar dhe abuzuar deri në ekstrem.
Është e lehtë për të kujtuar edhe një herë metamorfozën e këtyre kolltukofagëve dhe larvave që pavarësisht se hiqen dhe deklarohen si burra shteti, janë autorët dhe përgjegjësit e vetëm të mashtrimit, dhimbjes dhe shkatërrimit moral, pasuror, shtetëror e kombëtar. Njerëzit e kanë përjetuar mënyrën se si kolltukofagët janë pasuruar dhe lumturuar duke mashtruar, poshtëruar e fukaradisur njerëzit, institucionet dhe krahinat e vendit. Nuk ka njeri që nuk e njeh sjelljen antishtetërore dhe metamorfozën e sundimtarëve tonë që me injorancën e babëzinë e tyre, kurrsesi nuk pranojnë të shqitën e të qëndrojnë larg kolltukut. Situata është e njëjtë më kohën kur Noli shkruante:“Që t’i ç’qitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”.
Populli thotë “të gjithë derrat, një turi kanë”, që do të thotë se pavarësisht nga demagogjia, format dhe trajtat e tjera, horrat, injorantët dhe hajdutët, nuk bëjnë hair as shtet. Përkundrazi nga vazhdimësia e tyre, buron vetëm kaos, dhunë, dhimbje, depërsonalizm, poshtërim e ligësi.
Këtu nuk e kam fjalën vetëm për kolltukofagët e sotëm që nuk dinë e as nuk pyesin, që nuk njohin asgjë përveç interesit të tyre të ngushtë, sepse nuk i ka njohur askush për asgjë të mirë në këtë jetë. Që nuk njohin rregull, drejtësi, profesionalizëm dhe as burrëri intelektuale, sepse janë servila, pa dije e meritokraci, sepse janë të shushatur, të deformuar e të qullosur. Nuk e kam fjalën vetëm për këta që po të ishte Noli gjallë, përsëri do të shkruante: “krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”. Nuk e kam fjalën vetëm për këta që flasin kundër korrupsionit në një kohë që janë produkte dhe krijesa monstruoze të një korrupsioni politik të pashembullt të këtyre 25 vjetëve ku çdo pushtet dhe abuzim ka lindur dhe ka vdekur tek kubeja e partive të tipit “Komita” të sajuara pa programe zhvillimore.
“Çunat e përkëdhelur të asfaltit”
Të merresh me “çunat e përkëdhelur të asfaltit” që qeverisin pa kokë e pa shpirt, është kohë e humbur sepse Shqipëria është shumë më e madhe dhe më e ndryshme nga ajo që ata njohin dhe imagjinojnë. Sot, pas 25 vjetëve çorganizim i organizuar, mendoj se është koha për të kujtuar ata besnikët dhe misionarët e devotshëm të ish-Partisë së Punës dhe levave të tjera të sajë, që në vitin 1991, uzurpuan strukturat e Partisë Demokratike dhe defaktorizuan lëvizjen studentore dhe idealët e sajë. Është koha për të folur për ata finokët që në këto 25 vjet me rrena dhe dekadencë, mbrojtën dhe ricikluan në mënyrën më të plotë gjithë platformën e njohur të krimit punisto-komunist, së bashku me kriminelët e pa shpirt të ish-Partisë së Punës dhe strukturave të sajë. Përveç kësaj platforme regresive të ruajtjes dhe ripërtëritjes së mitrës së krimit dhe korrupsionit politik dhe ekonomik, nuk mendoj se ka ekzistuar ndonjë platformë as ndonjë reformë tjetër e plotë në këtë vend të frikësuar e poshtëruar deri në shpirt e trashëgimi.
Si ish themelues i PD dhe drejtues i strukturave të sajë në vitet 1990-1994 dhe 1997-2001 e nga ku nuk kam përfituar asnjë pushtet dhe asnjë qindarkë, sot, mendoj se duhet të flasim për atë mënyrën se si PD nga lëvizja studentore, mori vetëm fjalën dhe fasadën, sepse brenda një kohe shumë të shkurtër u uzurpua nga klanet e ish Partisë së Punës. Për pasojë u përtha në ide dhe vizion akoma pa mbushur vitin, duke mbetur pa lider dhe ideale lirie, pa vendosmërinë dhe pa konsekuencën e duhur historike e parimore, pa atë forcën e domosdoshme përbashkuese, ndryshuese e reformuese. Për ta kamufluar këtë krim shtetëror e politik ndaj vuajtjeve të vendit dhe idealeve studentore, u dhanë aq shumë shfaqje hipokrizie, u organizuan gjyqe për kafe e filxhanë, u thyen disa xhama e dritare, u bën varrime e zhvarrime deri tek horrllëku i njohur i tërheqjes zvarrë të një copë bronci, kushtuar një të sëmuri psikik që kishte vdekur së bashku me kujtesën e vet, që në vitin 1973…
Koha për të rizgjuar kujtesën
Është koha për të rizgjuar kujtesën e atyre njerëzve që në këto vite e dekada hajnie e dekadence, nuk u qullosën, nuk u lopësuan, nuk u shndërruan në larva e krimba mbi institucionet e pasuritë natyrore të vendit. Të tillë krimba në këto 25 vjet janë pa se si sulën, kafshojnë, vjedhin, ikin, e prapë janë rikthyer për të rivjedhur, sepse përfitojnë nga heshtja dhe durimi i njerëzve të ndershëm të këtij vendi. Në vitin 1882, Niçja i drejtohej doktor Brojerit me fjalët: “Ju dëshironi të bëheni vetvetja. Sa shpesh ju kam dëgjuar që ta thoni këtë! Sa herë jeni qarë se ju nuk e keni njohur lirinë tuaj. Mirësia juaj, detyra juaj, besnikëria juaj, këto përbëjnë hekurat e burgut tuaj. Do të shuheni nga këto virtyte të vogla. Nuk mund të jeni pjesërisht i lirë, dhe instinktet tuaja kanë etje për liri, qentë tuaj të egër në bodrum lehin për liri. Vëruni veshin më mirë, a nuk mund t’i dëgjoni ata”?
Është fjala për kolltukofagët, që në këto 25 vjet janë sulur dhe ngopur mbi institucionet, financat dhe pronat publike, shumë më keq se lopët në jonxhë. Është koha për të kujtuar ish-ministrat që shpërdoruan investimet në bujqësi dhe tokën bujqësore si pasurinë më të çmuar e më deficitare të këtij vendi, e që sot flasin e hiqen si burra të mire, të mençur e të rëndësishëm. Është fjala për ata ish-ministrat e drejtorët e turizmit, tregtisë, rëndit, arsimit, financave, etj, që abuzuan duke krijuar këtë situatë dëshpëruese, e që sot përsëri dalin që të protestojnë për tu rikthyer në vendin e krimit me objektiv të vetëm masakrën e radhës për interesat e tyre të ngushta.
Për ata që e degraduan arsimin
Është fjala për ata që e degraduan arsimin e që tani bëjnë sikur protestojnë dhe fërkojnë duart përballë kaosit të krijuar nga shpërdorimi i fondeve, projekteve dhe investimeve që përfunduan në vila, në prona dhe në jetë luksi për shushunjat dhe kolltukofagët e arsimit e të çdo fushe tjetër si energjetika, mjedisi, pyjet që nuk u rimbollën kurrë, etj. Është fjala për ata që vranë drejtësinë e që tani po bëjnë sikur protestojnë e luftojnë për drejtësi. Në të vërtetë, kolltukofagët tanë nuk duan drejtësi, sepse në kushtet e një reforme minimale në drejtësi, do të ishin të parët nën akuzë për vjedhje e shpërdorim të aseteve tona publike, natyrore e njerëzore. Është koha të shquajmë dhe të përbuzim hajdutët që siç thoshte Noli “kafshojnë e thëthijnë”. Është koha për analizë të thellë e të sinqertë në mënyrë që t’i shquajmë kolltukofagët e të mos u besojmë më në asnjë hap të tyre, sepse hajdutit i punon mendja vetëm për të vjedhur e për të kthyer institucionet, infrastrukturën dhe fondet publike në drejtim të llogarive dhe të pronave të familjeve dhe njerëzve të klanit të tij nepotik e krahinor. Përcaktimi i Nolit është aktual, sa atëherë kur e ka shkruar sepse koha vërtetoj se kolltukofagët tanë janë të një lloji dhe specie të veçantë, janë hajdutë e kolltukofagë trima, sepse është vërtetuar ajo që thoshte Noli se: “Që t’i ç’qitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin”.
Është koha për të marrë në konsideratë mësimet dhe përvojën e Nolit sipas të cilës, dhuna fizike vetëm sa i forcon dhe i trimëron kolltukofagët tanë. Njerëzit duhet të kuptojnë se dhuna dhe ulurimat mbi një bunker betoni, janë përpjekja e kamufluar e radhës për të defaktorizuar dhe penguar reformën në drejtësi. Dhuna është rruga e vuajtjeve tona, është mënyra për të vazhduar historinë diskredituese me pyka, hajdutë, klane, me kriminel dhe injorantë. Është koha për të kuptuar se politikanët, ish- ministrat dhe zyrtarë të lartë të këtij vendi, duhet të përballën sa më shpejtë me drejtësinë. Kjo është më e mira për ne, për ta dhe për familjet e tyre, sepse përmes funksionimit të ligjit dhe drejtësisë, jo vetëm që zbresin nga kolltuku pa ua prerë trupin dhe kokat, por ndërgjegjësohen dhe detyrohen të paguajnë për çdo qindarkë të abuzuar.


Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 16.12.2015
Sigal