Lumturia e shtetarëve dhe fëmijët që qajnë për kafshatën e bukës

794
Sigal

Nga Agim JAZAJ

Të lumturit, mes të mjerëve…?!

Lajmi doli taze këto ditë e mori dhenë. Thanë se shkoi rrufe deri lart, te guberna qeverisëse. Nga mediat lokale, të Vlorës, prej burimeve zyrtare, institucionale, të pakontestueshme, u publikua: Caktimi në pozicionin zyrtar, si drejtues në Drejtorinë e Bujqësisë të… Shkarkimin e drejtuesit dhe të tjerëve, të IKMT- lokal… Madje më herët, po nga gjuha zyrtare, janë publikuar në faqet zyrtare, fb, mediat qendrore dhe lokale, të cilësuar, publikuar e shkarkuar: Si “grabitqarë”: drejtuesit e institucioneve, të spitalit Rajonal dhe të drejtorisë Arsimore Rajonale etj. Qytetaria vlonjate u befasua kur, po këta “Grabitqarë” të cilësuar nga gjuha zyrtare qeverisëse, u rigraduan me spaleta Gjenerali, po nga akuzuesit! Urra!- bërtitën njerëzit nëpër sheshe… Edhe një njeri i thjeshtë hap sytë. Ç’po ndodh? “I akuzon, i publikon, abuzon, i shkarkon si grabitqarë dhe i gradon sërish si gjeneralë?!” Ndërsa një miku ynë nga brenda kupolës tregonte: “Një “kontribues” i njohur, veçanërisht në fushën e Ulërimë-Sokëllimës, u përzgjodh dhe u caktua këto ditë në një pozicion të rëndësishëm, sipas kriterit: “Të jetë trup, le të jetë trap”! Pirgu i kërkesë-marazeve dhe mali i letrave në vite nga banorët e pallatit 1212 Vlorë edhe drejt Portalit, “Shqipëria që duam.al”, alias Pordhalit, që urrejnë me nr 11521 dhe datë, 01, 03.2018, me emër e llagap, nr telefoni të sekretarkave, madje dhe me vulë të njomë, pinë ujë te çezma e Thatë!

Nuk ndëshkojnë abuzuesit, por akuzojnë ankuesit!

Përfituesit dhe dhunuesit e pushtetit

Synimi i politikës për të përfituar pushtetin është aksioni final, për të cilin angazhohen gjithë strukturat e saj, “lokomotiva” në ballinën, duke tërhequr pas gjithë “vagonët” me udhëtarë drejt finishit. Nga ngjitja në pushtet premtohet, madje përllogaritet të përfitojnë gjithë zgjedhësit, pa dallim, ndërsa njerëzit brenda politikës, do të përfitojnë shumëfish edhe nga vendosja e “gradave” mbi supe. Njerëzit në përbërje janë medoemos më aktivët në propagandimin, zbërthimin e programit dhe për të bindur elektoratin; “për të qenë këta përfituesit” dhe përcaktuesit për fatin e “suksesit të tyre”. Përtej propagandës së tejngopur, zgjedhësit pas “zborit” të gjatë të zgjedhjeve, e jo të zgjidhjeve, të shënuara sa dhe të shëmtuara nën kapacitetin minimal, çmojnë më së shumti prijësit në kupolën qendrore, pa i hedhur vështrimin stafeve të politikës, vertikalisht, qoftë ato lokale: Mjafton: Është i biri i filanit edhe pse vet nuk ka as në lagje emër e le më vepra! Me këtë yrysh nisin betejën; ata që meritojnë të gradohen, për poste edhe ata që medoemos kërkojnë të venë “spaleta”! Në sprintin e ashpër drejtë pushtetit, dallohen lehtësisht prej “kamerave vëzhguese”, të shfaqura në kronikat e ditës; të uriturit dhe oreks-normalët, ata që kërkojnë dhe ata që meritojnë, ata që shërbejnë dhe ata që rrëmbejnë! Politikat ende komentohen se (s)’janë “në kërkim të kohës së humbur”, pa mundur të përcaktojnë standarde të prera dhe përqindje fikse të rinovimit, apo të reformimit siç quhet të administratës publike, nivelin e shigjetës deri ku duhet të prek, standardi, të cilin e zbatojnë vendet me demokraci të zhvilluar, të cilat (themi) i marrim për referim, po nuk zbatojmë standardet. Në SH.B.A, (p.sh) rokada e pushtetit rinovon administratën deri në 2 për qind dhe prek nivele të përcaktuara. Madje për të dobishmit nuk ka limit, (moshë edhe tek ne) dalje në pension! Limitet e caktuara, parimet e të zgjedhurve nga anëtarësia dhe mirëpritja e shoqërisë civile, deri në idenë e përzgjedhjes së drejtuesve “hije”, të pritshëm, do të zmbrapste edhe turravrapësit, me ndikim në rritjen e përgjegjësisë, jo në humbjen e përgjegjësisë. Mbi 27 vjetët e tranzicionit-stanjacionit- tërkuzë, nuk kanë shënuar (as) pak në evidencat e tyre nga kontingjenti i shumtë i Liderëve, të jenë shndërruar në: Tregtar të shpresës qytetare, por rezultojnë: Në rrënues të shpresave të shqiptarëve! Më së miri e provon këtë tregues-shkatërrues të vlerave dhe të shpresave: “Zbrazja dhe degdisja nga vendi, ku u ka u bërë Koka Dëng njerëzve. Kjo Hata e djeshme, me klithma të nesërme, ka “detyruar” Qeverinë e sotme të “Shpërblej” Lindjet me nga 400, 800 mijë dhe me 1.2000 mijë; “Mullarin” e tretë, por pa shlyer njerëzit për lindjet, me 50 mijë lekët e vjetra, në vite, të lindjeve të deritanishme…E kush i ha këto broçkulla? “Gënjeni zotërinj- po mos e kaloni Masën”- ka thënë Marksi, në kohën e vet. Të verbrit nga Trutë- i besojnë gënjeshtrat dhe mashtrimet, le të jenë sa më të trasha, mjaftojnë të jen të partisë “së zemrës” dhe pse nxin e vret zemrat e shqiptarëve dhe të këtyre! Për këta mostra: Partia është mbi të gjitha, e JO Atdheu mbi të gjitha! Shpesh tek ne aplikohet procesi “qilizmë” në administratë, në vend të “prashitjes”, shërbim i stinës, e keqe e domosdoshme për grupacionet, për të sunduar dhe jo për të udhëhequr, për të rrëmbyer dhe jo për të shërbyer! E përballur me “reformimin” e vazhdueshëm, administratës në tërësi, nuk i “kanë mjaftuar” as mbi 27 vjet rresht të tranzicionit të vendosen pajisjet e thjeshta mekanike të prerjes së biletave, në 2-3 trena udhëtarësh me mesataren e 4-5 vagonëve. Nuk ka qenë mundësia as në 2-3 qytete, me afro 10 autobusët e shërbimit urban secili, për të vendosur po këto pajisje! Habere të besueshme, thanë se një autobus urban, pa fatorino, të cilin do ta drejtonte vet Kryeministri, ndoshta për rasat, do të vendosej nga VLORA E RILINDJES, për t’u nisur pa mbërritur në rrugët e Evropës e përfunduar në molet e Kolumbisë! Përballë këtij konstatimi nga një i huaj që kërkonte nëpër autobus mekanizmin e thjeshtë, dobiprurës, edukues për shtypjen e biletës, qytetarët e radhës u ndjen të fyer në shërbimin urban të kryeqytetit… As këtë hap të thjeshtë në drejtimin e duhur nuk ka mundur të hedh “reforma”, ta “rrokë syri vëzhgues” i “reformistëve”- thonë udhëtarët e rastit.

Qiraxhinj, jo zotër…

Nëpërmjet zgjedhjes së drejtuesve të mëdhenj dhe nëpunësve të vegjël, qytetaria sheh në personin e këtyre “kampioneve” votën e dhënë, zbatimin dhe zbërthimin realisht të politikës, çmon veset dhe virtytet, justifikimin dhe shpërdorimin e pushtetit. Një pjesë jo e vogël edhe brenda këtij formacioni politik, mbështetur në opinionin e gjerë qytetar, arsyetojnë “firot” që kanë pësuar dhe i kanë pasuar njerëzit e provuar me pushtet në pozicione të ndryshme administrative. Njeriun e provon në pozicion. Në pozicionimet e ndodhura, çmohen dhe lakohen se: “Nuk kanë mundur të shpalosin vlerat, dobinë për komunitetin. Përkundrazi prej tyre kanë dhënë prova për shfaqje të megalomanisë, prepotencës dhe arrogancës në momentet e rastësishme të gjendur në ndonjë pozicion të administratës. Shumë zyrtarucë, megalomanë e prepotentë i quajnë edhe zyrat e shtetit ku janë për të shërbyer, sikur të jenë zotër e jo e qiraxhinj! Për këto rrjedhoja e kanë humbur respektin dhe mbështetjen e komunitetit”. Në demokraci nuk ekzistojnë poste, por pozicione. Pushteti thjeshtë nga kjo sërë njerëzish, të përzgjedhur, komentohet nga qytetaria dhe opinionistët: “Si qëllim i vetëm përfitimi, personal, për ta mjelë “lopën qumështore”, shoqëruar me kredon e kobshme: “Pas meje rëntë kiameti”. Unë të jem i lumtur, i pasur edhe mes të mjerëve. “Pas meje bëftë kiameti”! Njerëzit shpirt vegjël, e dritë shkurtër, të keqpërdorur dhe të futur nëpër labirintet e pasurimit: pa punë, mund e mend, duke tymosur puro dhe hashash nëpër lokale, këmba mbi këmbë, po vrasin të sotmen e tyre dhe të nesërmen e Shqipërisë, madje dhe të shqiptarisë.

 

Pandjeshmëria njerëzore

Militantizmi i llogoreve, të verbrit nga TRUTË, edhe kur lidershipi, kupola ka tradhtuar dhe braktisur Kauzën e tyre, aspiratën e shqiptarëve, ky kontingjent me verbërinë, u shkon pas si dele, me besë edhe me të pa besët. Njerëz të vdekur, mes të gjallëve, lumturohen vetëm e vetëm kur biri, a bija e tij është në punë dhe ai, ajo ndihet e lumtur edhe mes Kujeve, Lotëve të shqiptarëve të tjerë, njerëzve të një gjaku rreth e rrotull! Këta “njerëz” mostra, pa gjak njeriu e pa pikë gjaku shqiptari, mbajnë peng mjerimin e sotëm…

-Si mund të ndihesh i lumtur mes mjerimit të bashkëqytetarëve të tu, bashkëkombësve?

-Si mund të këndoj këngë e të heq valle një njeri i zakonshëm, e aq më keq një i zgjedhur me ndjeshmëri njerëzore, kur përballë tij, ka ndodhur një vdekje?

-Si mund të jesh njeri, e aq më keq titullar, kur nuk e ndërpret qoftë dhe dy minuta aktivitetin në Lungomare, kur dëgjon se në Resulaj të Vlorës ka ndodhur një Gjëmë, me 8 të vrarë?! Dhe Ramica, me birin e saj Neshet Leka e dha dhe e la mesazhin e vlerave, me një minutë heshtje, dhe për 8 viktimat e Resulajve!

-Si mund të dalësh e të kastrepsesh përpara “kazanit”, të jesh i ngopur dhe i dehur, o njeri, kur rreth e rrotull qajnë me lot për kafshitën e bukës? Kur foshnja e shqiptarit përballë, nuk e zë gjumi, sepse nuk ka nëna ushqim, për t’i dhënë?

-Si mund të ndihet i lumtur dhe të jetojë i lumtur Katili e Xhahili në vilat luksoze në: Butrint e Pogradec, në Ujin e Ftohtë e në Velipojë, në Surel e te Shkëmbi i Kavajës?…Të ngrituara përgjatë pusht-pushtetit, me pusht-pushtetin dhe shqiptarët e racës tënde vuajnë për kotheren e bukës. Ku e kanë Ndjenjën, Ndjeshmërisë këta njerëz, të quajtur padrejtësisht njerëz!

Kemi jetuar jashtë vendit dhe njerëzit- njerëz, madje jo të një gjaku, por vërtet njerëz, me dhembshuri njerëzore, na sillnin ne emigrantëve te dera e shtëpisë: Qeskat me rroba për t’u veshur dhe qeskat me ushqime për t’u ushqyer! Dhe kur nuk kishe për t’i paguar dritat, ta linin dritën sa për të parë… Kjo urrejtje, babëzi është kultivuar tek e nga Pushtetarët, Politikanët Pa din e PA IMAN. Nuk mund të shqitet nga Kujtesa njerëzore një akt i rrallë i deputetit të Vlorës, me rrënjë nga Sevasteri, Agron Shehaj: Dhënia, lënia e rrogës së tij si deputet për një familje të varfër në Dibër, apo dhe akordimi i një shume të konsiderueshme mujore prej tij, për një nga viktimat e vetmuara nga “Tragjedia e Resulajve. A nuk duhet marrë për referencë e frymëzim këto akte njerëzore, të këtij të zgjedhuri, përfaqësuesi të votës së Arsyes, njeriut me shpirt, që ndjen në trupin e tij dhimbjet e të tjerëve?! Si mund të harrojnë qytetarët e Vlorës, madje dhe të Shqipërisë; mos shkeljen e asnjë Qeveritari, e Deputeti të Rilindjes ditën e Gjëmës, në Resulaj, ku u vranë barbarisht 8 njerëz. Njerëzit aty dhe kudo në këtë zonë panë dhe shohin vetëm dorën, ndjeshmërinë e dhembshurinë njerëzore të kryebashkiakut të Labëri Selenicës- shkruante në Opinionet e tij Kristo Mërtiri!

Njeriu- njeri nuk mund të jetë skllav i një vendi pune, të shtëpisë së tij, pa lumturinë e gjithë shtëpisë shqiptare. Njeriun duhet ta udhëheq e frymëzoj arsyeja, jo instinkti. Nuk mund të ketë lumturi personale pa lumturi shoqërore! Vota e instinktit, vota qorre, në një përqindje jo të vogël e shoqërisë së pa zhvilluar, madje është përcaktuese, për fatin e vendit dhe të vegjëlisë. Kjo po mban në mjerim edhe vet të ardhmen e atyre, të fëmijëve, nipërve e mbesave të këtyre të viktimizuarve, të cilët po mbeten si “Qyqe Lisi”, sepse bijtë e bijat po marri arratinë dhe këtu do zbarkojnë Muzhahidinët, një ditë- arsyetonte dhe protestonte mes një grupi, Lorenc Keqaj aktivist i njohur i emigracionit shqiptar në Greqi, i cili Lumturinë dhe jetën e tij nuk e sheh me punësimin e tij, por me punësimin dhe lumturimin e shqiptarëve. Partia – thotë Lenci mund të fillojë nga mua dhe jo të gjithë për mua. Ndërsa militantët e thekur, trumcak të ferrave, cicërojnë edhe në Fb e quajnë, përkthejnë”: “Partia Fillon nga Mua dhe të gjitha për Mua, të tjerët përballë le të vdesin”!